E Hënë, 2 Nëntor 2026

Progresraporti i KE: Shqipëria aktive në zbatimin e Planit të ri të Rritjes, autoritetet angazhim të fortë ndaj integrimit

TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Komisioni Evropian publikoi sot progresraportin e vitit 2025 për Shqipërinë, ku vlerëson angazhimin e autoriteteve shqiptare në procesin e negociatave dhe përmbushjen e kushteve të vendosura nga BE.

Gjithashtu raporti thekson progresin e vendit tonë në fusha kyçe si sundimi i ligjit, administrata publike, zgjedhjet dhe Reforma në Drejtësi.

Në progresraport thuhet se, pas konferencës së dytë ndërqeveritare të 15 tetorit 2024, e cila hapi negociatat e pranimit mbi grup-kapitullin 1, “Themeloret”, u mblodhën katër Konferenca Ndërqeveritare që çuan në hapjen e negociatave mbi katër grup-kapituj.

Angazhimi i fortë politik i autoriteteve shqiptare ndaj qëllimit strategjik të integrimit në BE është deklaruar vazhdimisht si përparësia kryesore e vendit, dhe një nivel i lartë ambicieje për të ecur përpara në negociatat e pranimit është ruajtur përgjithësisht.

Vrulli i vazhdueshëm në procesin e negociatave të pranimit duhet të çojë në reforma më të shpejta në lidhje me BE-në.

Shqipëria ruajti rekordin e saj të përafrimit të plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke u përafruar me qëndrimin e BE-së, duke përfshirë masat kufizuese dhe sanksionet kundër Rusisë. Qëndrimi i Shqipërisë dërgon një sinjal të fortë të zgjedhjes së saj strategjike për pranimin në BE dhe të rolit të saj si një partner i besueshëm.

Shqipëria është angazhuar në mënyrë aktive dhe ka filluar të zbatojë Planin e ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor në të katër shtyllat: integrimi gradual me tregun e vetëm të BE-së; integrimi ekonomik rajonal; reforma themelore; dhe rritje e mbështetjes financiare.

Në kuadër të Programit të Reformës dhe Rritjes (RGF), instrumenti i BE-së i bazuar në performancë që mbështet procesin e pranimit në BE, vendi miratoi axhendën e tij të reformave, e cila mbulon reformat në fushat e: mjedisit të biznesit; kapitalit njerëzor; digjitalizimit; energjisë dhe tranzicionit të gjelbër; dhe të drejtave themelore dhe shtetit të së drejtës.

Pas vonesave fillestare në krijimin e strukturave të koordinimit të brendshëm, Shqipëria emëroi një koordinator kombëtar të RGF-së dhe vazhdoi të punojë drejt objektivave të agjendës së reformave.

Sa i përket gjetjeve kryesore të raportit theksohet se, zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 11 maj 2025, të cilat pasuan një reformë të pjesshme zgjedhore, rezultuan në një mandat të katërt radhazi për partinë në pushtet.

Përfundimet paraprake të misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) / Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) vunë re se zgjedhjet ishin konkurruese dhe të zhvilluara profesionalisht, por identifikuan disa mangësi, duke përfshirë mungesën e një fushe loje të barabartë dhe abuzimin e burimeve publike, thuhet në raport.

Progresraporti i vitit 2025 i BE për Shqipërinë

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›