E Shtunë, 31 Tetor 2026

Himarë 2013

Livadh, fraksion i Himarës, më 21 të gushtit të 2013-ës. Vend dikur i qeverisur nga ishhidrauliku Bollano, ndërsa sot nga sallaksi që herë i thotë vetes Gjergj dhe herë Jorgo. Skena zhvillohet në një restorant që tregton fruta deti të skuqura, me prejardhje nga kruarja e frigoriferëve të Selanikut, që i kishin në ruajtje nga viti ‘44, kur iku gjermani i fundit. Në qendër të skenës, një mesoburrë italian, i sapozbritur nga një kamper i vjetër, i drejtohej bashkëshortes, me vokal të dëgjueshëm dhe ekzibicionizëm të dallueshëm se “në këtë vend nuk do të shkelte më kurrë”. Qartazi besonte se mbijetesa e indigjenëve varej nga paratë që do të shpenzonte ai në darkë. Pronari, me sy gjysmë të mbyllur nga lodhja apo sëmundja e tiroides, e shikonte me shpërfillje. Pamja thoshte se aq i bënte. Gjithë-gjithë, tregu i humbëtirës, ofron edhe dy imitacione të tavernave greke, dhe dy dyqane, me asortiment mallrash në sergjene, aq të paktë, sa nëse hidhet miu, thyen kokën.
Për ata që duan koordinata më të sakta, kur vjen nga Vlora për Sarandë, tek varrezat e Himarës (skena e fundmit e nazizmit dhëmbëkrimbur grek), do të kthehesh djathtas dhe pas një kilometri gjendesh në rripin detar të Livadhit. Zallishtja e bregut, është ndarë për së gjeri me një rrugë rastësore që ecën paralel me vijën detare në një distancë tridhjetë metra nga ajo. Hapësira nga ana e ujit është e lirë, ndërsa në krahun tjetër, vendalinjtë kanë ngritur disa godina një ose dykatëshe të cilat i lëshojnë me qira. Ndodhet edhe një godinë e shëmtuar trekatëshe në përfundim e sipër, ndërtuesi i së cilës me siguri është fans i burgut të Spaçit, pasi e ka imituar në çdo detaj. Kjo pamje është e ngjashme, me variacione të pakta, në çdo gji apo zallishte të bregut jonian.
Çmimet janë të ngjashme me Greqinë. I mbushin kryeqytetas që duan t’i largohen zhurmës së Dhërmiut, Drimadhës apo Himarës. Këto të fundit, janë qendra tipike të turizmit fshatar shqiptar. Një piza “greek style” ka çmim të barabitshëm me lokale buzë shesheve të Romës. Rinia shtyn natën në klube të improvizuara që shpërndajnë deri në orët e vona muzikë reperash dementë shqiptarë dhe lënë pa gjumë pushuesit familjarë.
Restorantet e pakta kanë ushqim skadent, të ofruar me çmime stratosferike. Dyqanet e vetëquajtur supermarkete, tregtojnë perime të mbytura nga plehu kimik. Edhe pse je në një nga zonat më blegtorale të vendit, është e pamundur të gjesh djathë për të qenë, dhe ka vetëm dy zgëqe që pretendojnë se tregtojnë mish vendi. Të hash peshk të freskët deti, është zakon i harruar.
Jo më larg se dy kilometra në vijë ajrore, në buzë të rrugës nacionale, bashkia e kryesuar nga Jorgua, ka ngritur vendgrumbullimin e plehrave, të cilat as konservohen, as groposen por digjen. Tymi i tyre, nëse krahu i erës është në drejtim të Livadhit, të shoqëron gjatë ditës, duke zëvendësuar jodin e detit për të cilin ke vajtur. Robert Hackman, fotograf anglez i martuar me shqiptare, u skandalizua, kur pa afërsinë e depozitës së plehrave me qendrat e banuara, mënyrën e asgjësimit dhe papërgjegjshmërinë e pushtetit lokal për dëmin që iu shkaktonte banorëve dhe pushuesve tymi kancerogjen. “Këta njerëz nuk e duan popullin dhe vendin e tyre, por ngjan se nuk duan as familjen e tyre”, - u shpreh me sarkazëm.
Skena përsëritet e njëjtë në përmbajtje në gjithë bregdetin e jugut, me ndryshime vetëm të morfologjisë së terrenit. Dy ekstremet, Vlora dhe Saranda, janë monstra urbanistike, të parikuperueshme.
Politika e turizmit është dështim i tranzicionit shqiptar. Kush ka folur për turizmin deri më sot, i dallohen tri karakteristika të përbashkëta, të cilat shtetasi i thjeshtë, i dallon se i kanë të shkruara në ballë: Nuk marrin vesh nga kjo fushë por flasin me hamendje; e trajtojnë bregdetin shqiptar si një rezervat që nuk banohet nga askush dhe pret të ndahet; e vetmja gjë e qartë që kanë, është si të bëjnë ndonjë lek nga kjo punë. Kësaj katrahure, i shtohen edhe banorët e bregut, të cilët me letra false, gjithë kullotat e dikurshme, të cilat njiheshin si hapësirë e fshatit për të mbajtur bagëtinë, por jo pronë personale, i kanë kthyer në prona private. I ka ndihmuar edhe një ish-jurist i bashkisë, i cili mbahet për “dorën e artë” që ka me pronat, dhe pehlivanllëkun me ligjet. Më një gjyq dhe tre dëshmitarë, janë sot agallarët e rinj të bregut. Njëqind vjet pasi ka ikur Turqia, e kujtojnë me krenari kohën e “venomeve” dhe mendojnë se vazhdon, ndaj shqiptarë të tjerë nuk duhet të puthin në këto ujëra, ose në ardhshin, të punojnë për ta.
A do kishte një rrugë që turizmi të ishte një e mirë e përbashkët? Ndoshta. Por duhet të fillojë nga rruga që përshkon bregun, e cila është jashtë standardeve perëndimore. Në gjysmën e gjatësisë së saj, nëse humbet vëmendjen apo të shpohet një gomë, mund të përfundosh nga maja e malit, në breg të detit në formën e mishit të grirë. Një nevojë tjetër është legjislacioni, i cili duhet t’i bëjë zero gjithë pronarët e rinj që kanë dalë mbi kullotat dhe ish-pronat e përbashkëta. Për këtë është i nevojshëm konsensusi pozitë-opozitë. Rasti i Dukatit, ku fshatarët pretendonin pronësinë mbi një tokë që ka qenë kullotë si Karaburuni, është sinjifikativ. Do të duhej t’iu bëhej e qartë vendasve se nuk mund të kenë të drejta rentiere mbi një hapësirë që i takon gjithë Shqipërisë dhe shqiptarëve, vetëm se bixha iu ra atyre të lindnin nën atë hise dielli dhe dikujt i duket vetja “i zgjuar” duke falsifikuar letra.
Nevojitet një plan zhvillimi, ku të mendohet për resortet e mëdha, për vendalinjtë që të ndërtojnë, por edhe për shqiptarët që duan të kenë një vilë në breg të detit.
Nëse mendohet që të thithen turistët e huaj, ka nevojë për shkollë të menaxhimit të hotelerisë, kurse kamerierësh dhe kuzhine, pasi jo çdo bari mund t’i bëjë këto punë.
Dhe në fund, duhet menduar për politika afatgjata që të thithet turizmi nordik, që kapacitetet turistike të shfrytëzohen 6 muaj të vitit dhe jo 45 ditë.
A ka mundësi që kjo të bëhet në Shqipëri? Duhet goxha optimizëm që të japësh përgjigjen “Po”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›