E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sllovenët: Me Shqipërinë e kemi për "jetë a vdekje"

Ashtu si kombëtarja shqiptare kërkon maksimumin në dy ndeshjet e radhës, edhe kundërshtarët kërkojnë të njëjtën gjë. Sllovenia, rivali ynë i radhës, që do të sfidojë kuqezinjtë më 6 shtator, e sheh këtë ndeshje si më të rëndësishmen e këtyre eliminatoreve, ku vetëm fitorja do ta fuste në valle për të qenë minimalisht në "play-off" për të shkuar në Botëror. Sllovenia ndodhet në vendin e pestë në grup, e parafundit, me 6 pikë, por një fitore me Shqipërinë (që ka 10 pikë) dhe duke parë se ndeshja e radhës është me Qipron pas ndeshjes sonë, bën që shpresat për sllovenët të rriten shumë. "Me shqiptarët do të jetë për 'jetë e vdekje'. Nëse nuk marrim tri pikë në ndeshjen me Shqipërinë, ne nuk mund të flasim kurrsesi për Botëror. As barazimi nuk na bën punë, pasi shqiptarët ndodhen 4 pikë para nesh. Kanë një skuadër të konsoliduar dhe natyrisht që duan të mos humbin terren, ndaj vijnë për të marrë qoftë një pikë. Por ne nuk do ta tolerojmë një gjë të tillë, duam vetëm tri pikë", - është shprehur kapiteni slloven në mediet e këtij vendi.
(a.k/E.Ilnica/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›