E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha dhe Bulku: Ta bëjmë reale ëndrrën e Botërorit

Kombëtarja shqiptare e futbollit po përga titet intensivisht për dy ndeshjet e radhës në kuadër të Eliminatoreve për Kampionatin Botëror "Brazil 2014". Kuqezinjtë kanë vijuar stërvitjen në Durrës për ndeshjet me Slloveninë dhe Islandën, ndeshje të cilat do të luhen më 6 dhe 10 shtator në Ljubjanë dhe Reikjavik. Pas fjalëve të trajnerit De Biazi në ditën e parë të grumbullimit, nga ku kërkonte dy rezultate pozitive në dy ndeshjet e radhës të Kombëtares, të martën e kanë pasur radhën dy futbollistë të tjerë të prononcohen në një konferencë për shtyp, Migjen Basha dhe Ervin Bulku, dy lojtarë stabël tashmë në formacionin kuqezi. Basha dhe Bulku kanë kërkuar të qëndrohet sërish me këmbë në tokë, pasi kjo i shërben Kombëtares më mirë.
MIGJEN BASHA
Mesfushori i Torinos, Migjen Basha, beson se paraqitjet e fundit japin shpresë për rezultat pozitiv në Lubjanë, por nuk harron që ekipi të mos e krahasojë aspak Slloveninë me ekipin norvegjez. "Sllovenia ka një ekip shumë më teknik sesa Norvegjia. Ndeshja do të jetë e fortë. Ekipi norvegjez luante me topa të gjatë, ekipi slloven luan me topa të gjatë e të shkurtër, janë të përgatitur shumë mirë teknikisht. Ne nuk i kemi parë ende kasetat filmike të Sllovenisë, por besoj që në ditët në vijim do t'i shikojmë me vëmendje, për të parë lojën e tyre dhe për të hartuar edhe ne taktikën tonë. Jam optimist që me lojën që kemi zhvilluar në takimet e kaluara mund të marrim pikë ndaj Sllovenisë. Ne do të mendojmë për lojën tonë, kemi vetëbesim dhe ky vetëbesim na ka ngritur moralin që në këto përballje të kërkojmë pikë, pavarësisht se luajmë në fusha kundërshtare", - deklaroi Migjen Basha.
ERVIN BULKU
Entuziazmi në ekipin kuqezi është i dukshëm, megjithatë Ervin Bulku i ka bërë thirrje skuadrës të qëndrojë me këmbë në tokë dhe të ruajë qetësinë. "Nuk duhet të tregohemi euforikë, pasi jemi në një pikë delikate dhe, nëse nuk zhvillojmë një lojë si në ndeshjet e mëparshme, do të ishte e kotë. I gjithë ekipi duhet të jetë i përqendruar në fushën e lojës, me disiplinë për të gjitha rolet që u ngarkohen lojtarëve. Është duke u bërë një punë e mirë dhe ëndrra jonë është të shkojmë deri në fund. Grumbullimi i lojtarëve të rinj i ka dhënë një frymëmarrje tjetër ekipit dhe kjo është vënë re në të gjitha ndeshjet e luajtura. Ne nuk i druhemi asnjë ekipi për momentin, por shikojmë vetëm përgatitjet tona. Për sa kohë që e veshim këtë fanellë dhe grumbullohemi, ky është nder i madh që na bëhet. Si legjionarët, edhe të rinjtë, kanë vetëm një ëndërr: Të kalojmë në finale të Botërorit", - tha në fjalën e tij, Bulku.
STERVITJA
Nga dy seanca stërvitore në ditë prej 90 minutash po zhvillojnë lojtarët e grumbulluar nga De Biazi. Tekniku italian, në seancën e parë të paradites të së martës, u ka kërkuar lojtarëve të kryejnë vrapim të lehtë dhe pasa të shkurtër, ndërsa seanca intensive e përgatitjes zhvillohet pasdite, prej orës 17:30, deri në 19:00. Trajneri ka provuar skema të ndryshme loje, të cilat italiani i mban shënim, për t'i vënë në zbatim ndaj sfidës me Slloveninë. Po kështu, trajneri ka parë edhe gjendjen fizike të lojtarëve të grumbulluar, ku secili është parë në rolin bazë, por edhe në role të tjera. 
(a.k/E.Ilnica/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›