Himni është kombëtar, as i burrave, as i grave
Tiranë- Pas strehimit të një grupi të komunitetit rom në mjediset e institucionit të Avokatit të Popullit, avokati Igli Totozani është rikthyer në qendër të vëmendjes publike me një propozim që ka ngjallur goxha debat.
Flamurtar i barazisë gjinore, Totozani ka hedhur idenë deri dhe në korigjimin e tekstit të himnit të flamurit, Himnit Kombëtar, i cili sipas tij duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe jo diskriminues.
Kush është burrë nuk frigohet, por vdes, por vdes si një dëshmor- thotë himni i shkruar nga Aleks Stavër Drenova. Por sipas Totozanit, Asdreni i madh duhet të kishte shkruar: Kush është edhe burrë edhe grua nuk frigohet, por vdes, por vdes si një dëshmor dhe dëshmore.
Në fakt Totozani deklaratën e bërë në emisionin e gazetares Ilva Tare në Ora News e ka mbrojtur edhe të Hënën, kur tha se megjithëse ishtë thjeshtë një ide, ai i qëndron asaj.
Sipas tij, në vend të fjalës burrë, duhet të vendoset fjala Shqiptar, e cila përfshihen brenda edhe burrat edhe gratë, e pse jo edhe kategori të tjera të shoqërisë.
Por a përbën diskriminim himni që u referohet vetëm burrave? A është normale të ndërhysh në një tekst të shkruar mbi një shekull më parë dhe që është shndërruar në simbolin e kombit?
Ka opinione të ndryshme për këtë, por ajo që ka sunduar në mjediset publike, menjëherë pas kësaj deklarate, ka qenë se himni është tashmë një simbol dhe mbi të nuk mund të bëhen restaurime. Vjershës së shkruar nga Asdreni, ose duhet t’i referohemi ashtu siç autori e ka shkruar, pasi ai gëzon edhe të drejtën e autorit mbi këtë, ose duhet të zgjedhim apo të shkruajmë një tjetër poezi ku të futen edhe burrat, edhe grate, edhe romët, edhe LGTB, edhe minoritarët. Në fund të fundit, kur Asdreni e ka shkruar ata që luftonin ishin vetëm burrat.
Por edhe Asdreni, ndonëse përmend burrin, duket se nuk ka nënkuptuar posaçërisht mashkullin si gjini, por burrin si nocion të trimërisë. Për të qenë relistë, edhe sot e kësaj dite çdo kush, për të treguar trimërinë i referohet fjalës burrëri.
Personalisht mendoj se të tilla ide janë po aq të paarsyeshme sa edhe ato që u hodhën vitin e shkuar nga AK, në emër të flamurit dhe dashurisë për atdheun, lidhur me ndryshimin e emrave të qyteteve dhe fshatrave, meqë ato janë toponime sllave dhe janë vënë gjatë pushtimeve sllave ndër shekuj.
Asnjë poet dhe asnjë politikan, pavarësisht motiveve, nuk do të guxonte sot të merrte penën dhe të rishkruante poezitë e Asdrenit. Personalisht mendoj se ka një mori fushash ku ne mund ta përmirësojmë të drejtën e grave dhe të vendosim barazinë gjinore, para se të shkojmë tek modifikimi i himnit, pasi atëherë do të na duhej që gjysmën e shqiponjës ta bënim mashkull e gjysmën femër. Atëherë do të na duhej të modifikonim edhe flamurin kombëtar dhe ta bënim atë më gjithëpërfshirës.
Por, për të mos i dhënë liri pa kufi fantazisë (është e drejta ime t’ia dhunoj lirinë fantazisë sime), do të doja të tregoja pak fanatizëm ndaj disa pasurive që nuk i përkasin asnjë qeverie, asnjë brezi, asnjë institucioni dhe asnjë grupimi shoqëror. Simbolet kombëtare janë pasuri që tejkalojnë çdo gjeneratë dhe sistem politik. Ato nuk janë sisteme ligjore që ndryshojë sa herë këtë e diktojnë nevojat e kohës apo interesat e ndonjë grupimi politik. Përpara se t’i bëjmë kontribuese në luftën e periudhës së Rilindjes, ne duhet që femrat t’i bëjmë kontribuese në periudhën ku po jetojmë.
Nga Mentor Kikia
No related posts.