E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hiperaktiviteti dhe mungesa e vëmendjes

Ka shumë prindër të cilët nuk mund të shpjegojnë dot sjelljen dhe veprimet e fëmijës së tyre, të atyre fëmijëve të “vështirë”, dhe të tillë sigurisht që konsiderohen ata që nuk binden. Një nga tiparet që haset si thelbësor tek ata është hiperaktiviteti dhe mungesa e vëmendjes, të cilat jo gjithmonë duhen trajtuar si një çrregullim i mirëfilltë, por gjithsesi, për të kuptuar edhe këto raste, të cilat janë pa diskutim shumë shqetësuese, duhet që prindërit të kenë informacion në lidhje me atë se çfarë është ky çrregullim dhe a është fëmija i tyre hiperaktiv?

Çrregullimi i vëmendjes me hiperaktivitet përcaktohet si çrregullim zhvillimi të papërshtatshëm në drejtim të vëmendjes dhe impulsivitetit të fëmijës. Fëmijët hiperaktivë duken sikur janë gjatë gjithë kohës jashtë detyrave. Detyrat e klasës që kanë të bëjnë me lojën ose me shkrimin e diçkaje janë të karakterizuara nga plot gabime të pavëmendshme dhe janë rezultat i mosndjekjes së udhëzimeve të mësuesit. Ata shpesh nuk i dëgjojnë të rriturit. Problemet e vëmendjes në shtëpi janë të shfaqura përmes dështimit për të ndjekur detyrat prindërore dhe paaftësisë së tyre për të luajtur për një kohë të gjatë me një lojë të caktuar.

Fëmijët më të vegjël me hiperaktivitet shpesh e shfaqin atë përmes vrapimit ose ngjitjes nëpër objekte, sende apo vende të ndryshme, duke mos lënë dy gurë bashkë, ndërsa të rriturit i përshkruajnë ata si makina ose motorë që nuk pushojnë e që nuk zënë vend asnjëherë.

Disa vështirësi që ata kanë janë:
1. Mungesë investimi, organizimi dhe ruajtjeje të vëmendjes dhe përpjekjeve për të përfunduar detyrat.
2. Paaftësi për të ndaluar e penguar reagimet impulsive.
3. Mungesë aftësie për të normalizuar nivelet e ngritura të impulsivitetit, për të arritur kështu kërkesat e situatës.
Këta fëmijë mund të konsiderohen edhe si “kokëfortë, negativistë, padronë ose zotërues, me luhatje emocionale, me tolerancë të ulët ndaj frustracionit, vetëvlerësim të ulët, mungesë përgjigjeje ndaj disiplinës, mashtrues, hileqarë”. Problemi i tyre mendohet të jetë i lidhur më tepër me paaftësinë për të vëzhguar veten ose të tjerët, sesa me sjelljen jo të përshtatshme e të qëllimshme. Në klasë këta fëmijë flasin më shumë se fëmijët normalë dhe janë më të gatshëm të nisin ndërveprimet me të tjerët. Veprimet e tyre priren të jenë intensive, të pasinkronizuara me kontekstin situacional dhe të pandjeshme ndaj pritshmërive të të tjerëve. Vajzat me këtë problem referohen tek klinicisti më pak për hiperaktivitet dhe sjellje agresive dhe më tepër për vështirësi në të mësuar ose folur. Ato janë të frikësuara, të prirura për të qenë enuretike dhe të refuzuara nga moshatarët. Prindërit e këtyre fëmijëve raportojnë se në moshën parashkollore fëmijët e tyre kanë pasur probleme me disiplinën, gjaknxehtësinë, paaftësinë për të luajtur vetëm dhe vështirësi për të luajtur me motrat, vëllezërit apo bashkëmoshatarët e tyre.

Këta fëmijë tregojnë disa deficite në teste deri në një farë niveli. Një përqindje e vogël e tyre mund të dalin me rezultate mesatare, ndërsa pjesa tjetër kanë një rrezik të madh për të përsëritur klasën.

Gjithashtu edhe marrëdhëniet sociale me moshatarët dhe funksioni social i tyre është i dëmtuar. Këta fëmijë kanë një stil ndërpersonal jobashkëpunues dhe shmangës. Sjelljet e tyre janë negative, të papjekura apo të papërshtatshme me situatën, të paparashikuara, duke pasur një dëshirë për të dominuar tjetrin, tipare këto që çojnë në refuzim nga moshatarët. Të gjithë ata prindër që vënë re se fëmija i tyre ka këto tipare apo ka dyshime se mund të jetë i tillë, atëherë mund të shkojë të flasë më një psikolog, i cili do të japë sigurisht edhe një mendim më profesional në lidhje me rastin.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›