Hipertensioni, 50% e vdekjeve në Shqipëri nga sëmundja e fshehur
Mbi 50% e vdekjeve në vendin tonë shkaktohen për shkak të Hipertensionit. Një në katër shqiptarë mbi moshën 50 vjeç vuan nga sëmundja. Dje, në Ditën ndërkombëtare kundër hipertensionit, Instituti i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë zhvilluan një sërë aktivitetesh sensibilizuese. “Matni vazhdimisht presionin arterial. Ushtroni aktivitet fizik. Konsumoni perime dhe reduktoni kripën”, janë këto disa nga këshillat e dhëna nga specialistët. Hipertensioni njihet zakonisht si “presion i lartë i gjakut”. Ai është kondicion shëndetësor kronik, në të cilin presioni i gjakut qëndron i rritur. Hipertensioni nuk ka simptoma specifike dhe quhet “vrasësi i heshtur”. Rreth 900 mijë persona në vendin tonë vuajnë nga probleme të hipertensionit, duke e renditur këtë sëmundje ndër më kryesoret. Kjo shifër kap mbi 25-30 % të popullsisë adulte. Për parandalimin e hipertensionit mjekët rekomandojnë jetesë të shëndetshme, mospërdorimin e ushqimeve me yndyrna, bërjen e një jete sa më aktive, uljen e peshës së tepërt dhe në rastet e nevojshme marrjen e medikamenteve që duhen përdorur në mënyrë të rregullt. Hipertensioni arterial konsiderohet vrasësi i parë, krahasuar me të gjitha sëmundjet e tjera dhe numri më i madh i personave që vdesin kanë në më të shumtën e rasteve si shkak hipertensionin arterial. Duke qenë se mjekimi i tij është detyrë e mjekut të përgjithshëm, kualifikimi i tyre është problem i përhershëm, konsiderojnë mjekët specialistë. Në 95% të rasteve nuk dihen shkaqet dhe flitet vetëm për rreziqet e hipertensionit. Të sëmurët në përgjithësi janë të grupmoshës së mesme, me trashëgimi gjenetike, me mbipeshë, diabet, që kanë stres fizik, ose psikik të përditshëm, që janë përdorues të duhanit, konsumues të tepërt të kripës dhe alkoolit, që bëjnë një jetë sedentare (pa ushtrime fizike).
Simptomat
Në shumicën e rasteve, nuk ka shenja shqetësuese për vite me radhë të hipertensionit ose ato janë mjaft të pakta dhe të paqarta. Rritja e tensionit bëhet gradualisht dhe i lë kohë trupit të njeriut të adaptohet me këtë gjendje. Shenjat dhe shqetësimet mund të jenë dhimbje koke, apo qafe, ndjenjë djegieje, skuqjeje dhe temperaturë në fytyrë, shtypje, apo dhimbje gjoksi, nevojë dhe pamundësi për t’u mbushur më frymë.
Statstika
700 mijë njerëz në vendin tonë vuajnë nga hipertensioni
50% e vdekjeve në vendin tonë shkaktohen nga hipertensioni
1 në 4 shqiptarë mbi moshën 50 vjeç vuan nga sëmundja
25 për qind e popullsisë në moshë madhore vuajnë nga sëmundja e hipertensionit.
65 për qind e të sëmurëve me hipertension vuajnë edhe nga sëmundjet e zemrës.
7 për qind e të sëmurëve janë adoleshentë