Skadon afati, studentët asnjë udhëzim nga UT për TOEFL-in
Universiteti i Tiranës ende nuk ka përcaktuar koston dhe kriteret për certifikatën e TOEFL-it. Ndonëse ky proces duhet të kishte përfunduar, ende nuk ka asnjë udhëzim të qartë për mënyrën se si studentët do ti nënshtrohen testimit.Një numër jo i vogël janë në përfundim të masterit dhe nuk mund të marrin diplomën pa dhënë gjuhën angleze. I vetmi udhëzim deri tani është ai i dërguar nga Ministria e Arsimit. Në të përcaktohen nivelet e njohurive të gjuhës së huaj, të cilat duhet të zotërohen për çdo cikël studimesh. Burime nga Rektorati i UT-së sqarojnë se grupet e punës po punojnë për të përfunduar këtë proces, por pa shumë detaje. Afatet ligjore kanë skaduar e, nga sa duket, Universitetit të Tiranës i është hapur pak më shumë punë nga sa pritej. Në mungesë të një udhëzimi nga Rektorati, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja do të vijojë të lëshojë certifikatën kombëtare që dëshmon për mbrojtjen e Anglishtes. Detyra jonë është që në bazë të këtyre standardeve të reja, çdo student duhet që në përfundim të ciklit të parë të studimeve të ketë të paktën nivelin B2 të gjuhës angleze, thotë Klodeta Dibra, dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Sipas saj, është e domosdoshme që të ketë një ndryshim të kurrikulave në sistemin parauniversitar që ato të përputhen edhe me programet që ofrojnë universitetet.
Është ngritur një grup pune për rishikimin e kurrikulave të sistemit parauniversitar lidhur me gjuhët e huaja, qoftë të kurrikulës bërthamë, qoftë të kurrikulës me përzgjedhje dhe gjithmonë në harmoni të studimeve që studentët kanë bërë përpara se të vijnë në universitet, theksoi dekania. Në udhëzimin e MASH, të bërë publik pak kohë më parë, janë përcaktuar gjithashtu nivelet minimale të pranueshëm të kompetencës gjuhësore. Niveli B2 do të jetë kompetencë e mjaftueshme gjuhësore për programet e ciklit të dytë, Master Profesional. Niveli C1, kompetencë operative e kënaqshme gjuhësore për programet e ciklit të dytë, Master i Shkencave dhe për studimet e ciklit të tretë. Por, sipas udhëzimit të MASH, institucionet e arsimit të lartë kanë të drejtë të përcaktojnë nivele të zotërimit të gjuhës angleze më të larta se ato minimale të përshkruara më sipër. Në kuadër të këtij procesi, institucionet e arsimit të lartë duhet të shpallin listën e testeve të gjuhës angleze dhe vlefshmërinë e tyre kohore, si nivelet e kompetencës gjuhësore përkatëse për programet e studimit të ciklit të dytë dhe të tretë. Subjektet e parashikuara, që janë të certifikuara nga qendrat a organizatat që gëzojnë të drejtën e pronësisë intelektuale mbi testet dhe të drejtën e certifikimit, me të cilat institucioni i arsimit të lartë ka nënshkruar marrëveshje të veçanta bashkëpunimi për ofrimin e testimit për studentët, thuhet në udhëzim
Llojet e testeve
Cambridge ESOL- University of CambridgeExaminations
IELTS International English Language Testing system
TOEFL Test of English as a Foreign Language
TOEIC Test of English for International Communication
Michigan Test
PTE General Pearson Test of English General
Testi i TOEFL-it, vetëm në UT
TOEFL, Test of English as a Foreign Language, vlerëson aftësitë e një individi për të përdorur dhe kuptuar gjuhën angleze, zakonisht për anglishten e përdorur nga amerikanët American English. Rezultatet e këtij provimi u kërkohen aplikantëve në kolegjet dhe universitetet që përdorin gjuhën angleze. Pikët e marra nga provimi i TOEFL-it janë të vlefshme vetëm për dy vite dhe pastaj ato fshihen nga baza e të dhënave zyrtare. Pa TOEFL nuk do ti jepet mundësia asnjë studenti të vazhdojë një cikël studimi pasuniversitar Master apo Doktoraturë. Universiteti i Tiranës ka nënshkruar pak muaj më parë marrëveshjen me ETS për ekskluzivitetin e testimeve në gjuhën angleze. Nga sa përcakton marrëveshja, partneriteti do të fillojë me ofrimin e dy testimeve të gjuhës angleze, të lëshuara nga ETS, të cilat janë TOEFL dhe TOEIC, nga Universiteti i Tiranës. Këto dy testime, të cilat jepen në formën paper-based, do ti jepen Universitetit të Tiranës si ekskluzivitet për Shqipërinë.
ZIRINA LLAMBRO