Jam djalë.. dua djalë, fushata gay në Tiranë
Dy ditë më parë në prag të Ditës ndërkombëtare Kundër Homofobisë, një grup djemsh e vajzash, aktivistë të Pro LGBT, kanë mbushur disa nga rrugët kryesore të kryeqytetit me grafite në mur në mbrojtje të të drejtave të komunitetit lgbt në vend. Jam djalë, dua djalë dhe Jam vajzë, dua vajzë. Të bashkuar PRO kauzës LGBT në Shqipëri, ose shkurt PRO LGBT është një iniciativë vullnetare e një grupi të vogël, por të përkushtuar, djemsh e vajzash, të cilët luftojnë për të drejtat e LGBT, me moton: Hapa të vegjël, me dashuri të madhe. Ne besojmë se Shqipëria është duke jetuar një moment të pazëvendësueshëm të Lëvizjes për të Drejtat e LGBT. Besojmë se duke kontribuar bashkërisht për të fuqizuar vetë komunitetin, atëherë do ta avancojmë në mënyrë të sigurt kauzën LGBT në Shqipëri drejt përmirësimit të jetëve të atyre mijëra djemve e vajzave që ende jetojnë me frikë për atë që janë, në mes të një shoqërie ekstremisht armike ndaj të qenit ndryshe, thuhet në deklaratën e LGTB. Po dje, në Ditën ndërkombetare Kundër Homofobisë, është publikuar numri i parë i revistës elektronike të PRO LGBT. Aktivistë të PRO LGBT kanë në fokus të tyre vëmendjen dhe kujdesin ndaj personave të komunitetit për ti bërë këta të fundit të ndihen të sigurt dhe të qetë me orientimin e tyre seksual. Ne besojmë se shoqëria ka nevojë për sa më shumë histori të tilla personale dhe pozitive për të kuptuar se ky komunitet është një komunitet që jeton mes nesh, që ka vlera e që, në fund të fundit, kontribuon për një jetë më të mirë për të gjithë, në një vend ku duhet të respektohen të drejtat e kujtdo qytetari, pavarësisht veçorive apo dallimeve që ne të gjithë mund të kemi, shprehen përfaqësues të komunitetit. Sipas tyre, fuqizimi i komunitetit LGBT në vend është çelësi kryesor i suksesit dhe avancimit të kësaj kauze. Për këtë arsye, aktivistët e PRO LGBT shprehin vullnetin për të bashkëpunuar ngushtë me aktivistët e Aleancës Kundër Diskriminimit, apo me këdo organizatë tjetër në evenimente të përbashkëta për motivimin dhe fuqizimin e komunitetit të gejve, lezbikeve, biseksualëve e transgjinorëve në Shqipëri. Pak kohë më parë, PRO LGBT në Shqipëri dhe përfaqësues të ArciGay, një prej organizatave më të mëdha për të drejtat e LGBT në Itali, nënshkruan në Tiranë një marrëveshje binjakëzimi. Drejtuesi i Pro LGBT (Të bashkuar Pro kauzës LGBT në Shqipëri) dhe drejtuesi i Arcigay Pescara, Gianni di Marco, e nënshkruan këtë marrëveshje duke pasur parasysh se qëllimi i të dyja organizatave është të vlerësojnë, të ballafaqojnë dhe të bashkëpunojnë për rritjen dhe zhvillimin e komunitetit LGBT në vendet e tyre. Të dyja organizatat besojnë se kjo marrëveshje bashkëpunimi është një mjet shumë i dobishëm për rritjen e mobilizimit politik, kulturor dhe social dhe bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve të ndryshme lokale në fushën e promovimit të të drejtave të personave LGBT.