E Shtunë, 31 Tetor 2026

Traviata, në Teatrin e Metropolit

Teatri i Metropolit tanimë ofron edhe opera. Përmes një njoftimi për shtyp, mësojmë se nesër në mbrëmje, në orën 19:00, në sallën e re Shekspir të Teatrit të Metropolit do të ofrohet akti i tretë i operës Traviata. Bëhet fjalë për një nga operat më popullore italiane dhe një nga më të njohurat e kompozitorit Giuseppe Verdi. Për premierën e nesërme është përzgjedhur momenti më kulminant i operës, akti i fundit që është pendimi i Alfredos, kthimi dhe vdekja e Violetës. Kjo provë e parë operistike në teatrin e kryeqytetit është marrë përsipër nga regjisori Shyqyri Caushaj, i cili ka realizuar regjitë e disa aktiviteteve të rëndësishme në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, apo në Akademinë e Arteve. Ndërsa koncertmaestër do të jetë Ingrid Pulizo. Mësohet se në rolin e heroinës, Violeta Valery, interpreton sopranoja e re Emiljana Palushaj, në rolin e Alfredo Germont, të dashurit të Violetës, tenori Elson Braha, në rolin e babait të Alfredos, Giorgio Germont interpreton Solen Alla, në të doktor Grenvilit, Armando Likaj dhe të Aninës, Lindita Kola. Përmes kësaj prove, Teatri i Metropolit tenton ti japë kryeqytetit një skenë alternative operistike, sigurisht i pakrahasueshëm me Teatrin e Operës dhe Baletit apo Akademinë e Arteve, por me shumë gjasa me një frekuentim të mirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›