Të huajt në alarm për korrupsionin. Berisha injoron raportin e TIA-s Nga “Faktori Plus”Ndërkombëtarët po i mëshojnë shumë raportit të Transparency International, që e shenjon korrupsionin në Shqipëri si fenomen të përkeqësuar dhe që mban peng reforma
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Të huajt në alarm për korrupsionin. Berisha injoron raportin e TIA-s Nga “Faktori Plus”Ndërkombëtarët po i mëshojnë shumë raportit të Transparency International, që e shenjon korrupsionin në Shqipëri si fenomen të përkeqësuar dhe që mban peng reformat në vend. Pas rënies së sivjetshme me 10 vende, nga numri rendor 85 në atë 95, në listën me plot 180 shtete, diplomatët e huaj, ndryshe nga autoritetet shqiptare, lëshuan alarmin.
Ambasadori i Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, gjatë një konference për situatën ekonomike në rajon, artikuloi se raporti i Transparency International ishte një lajm i keq për të gjithë. Diplomati i Brukselit theksoi se fakti që Shqipëria ka bërë hapa mbrapa në luftën antikorrupsion, përbën një zhvillim negativ.
“Raporti i Transparency International tregoi se Shqipëria ka bërë hapa prapa në luftën antikorrupsion dhe ky është një lajm i keq. Po ju citoj Progres-Raportin e Komisionit Evropian, i cili thekson se ky fenomen përbën një sfidë për qeverinë dhe më duhet të shtoj, se ajo vazhdon të mbetet e tille. Është lajm i keq, një zhvillim negativ për gjithë rajonin, e veçanërisht për Shqipërinë, gjë që do të ndikojë dhe në ecurinë e biznesit. Unë e vlerësoj faktin se ka shumë struktura e ligje për antikorrupsionin, por në fakt ato zbatohen pak. Reformat e mëdha kërkojnë shumicën parlamentare dhe ato nuk mund të realizohen pa praninë e opozitës në Kuvend”, - tha Lohan.
Reagimi i zotit Lohan vjen pasi një ditë më parë ambasadorët e Danimarkës, Francës, Gjermanisë, Holandës, Mbretërisë së Bashkuar dhe i Ngarkuari me Punë i Suedisë, në mënyrë të menjëhershme e të pazakontë hartuan një deklaratë të përbashkët, ku e quajtën një lajm të keq për Shqipërinë raportin e publikuar nga TI.
“Rënia në rang ndërkombëtar e Shqipërisë është lajm i keq. Ne shpresojmë se kjo renditje do të inkurajojë fuqishëm Shqipërinë për të implementuar në mënyrë urgjente masa për ndryshimin e kësaj tendence dhe për të treguar rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet. Kjo do të jetë thelbësore për të çuar para integrimin e Shqipërisë në BE dhe për përmirësimin e mjedisit të biznesit, për të tërhequr më shumë investime ndërkombëtare të nevojshme”, - thuhej në reagimin e tyre.
Në të kundërt të kambanave të alarmit të ndërkombëtarëve, qeveria shqiptare e injoroi ekzistencën e raportit të Transparency International. Kryeministri Berisha ditën e djeshme, në të paktën 3 aktivitete publike, me prezencë të kamerave, gjeti kohë edhe të fliste për vlerat e ullirit në bujqësi, por as edhe një çast nuk përmendi 10 vendet e humbura nga Shqipëria nën qeverisjen e tij, dhe shtimin galopant të korrupsionit me gjithë luftën e shpallur nga ai vetë, madje duke kërkuar që rastet korruptive të denoncoheshin në celularin e tij personal.
Në mënyrë të paramenduar, zoti Berisha foli dje disa herë për atë që e quajti vendim historik të Unionit, për marrjen në konsideratë të kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, edhe pse për këtë u deshën gati 7 muaj, një kohë kjo rekord, krahasuar me të gjitha vendet në proces integrimi.
Edhe opozita u ndal më gjatë në replikën ndaj kryeministrit, duke e quajtur të vonuar qëndrimin e Brukselit, për shkak të keqqeverisjes, por gjithsesi Edi Rama e quajti të turpshme renditjen e Shqipërisë pas vendeve afrikane në perceptimin e korrupsionit… Një ditë më parë, raporti i përvitshëm i Transparency International, e zbriste Shqipërinë plot 10 vende në renditjen për perceptimin e korrupsionit. Në të njëjtën kohë, indeksi i vlerësimit rezultonte me rënie nga 3.4 në 3.2, duke lënë pas vetëm Bosnjë-Hercegovinën në rajon, por duke qenë edhe më keq në këtë pikë se shtetet afrikane si Uganda e Ruanda.
Rastet e fundit të publikuara nga media, si evazioni fiskal me mbështetje politike në privatizimin e ARMO-s nga Rezart Taçi, shpërdorimi i fondeve me rrugën Durrës-Kukës, faktet korruptive të zbuluara pas tragjedisë së Gërdecit, aferat klienteliste të njeriut të afërt të kryeministrit, Damir Fazlliç, dhe çështje të tjera të nxehta, kanë ulur besimin e qytetarëve se qeveria po e lufton korrupsionin.
Në këtë kontekst, e vetmja që moralisht e ka fituar betejën me fenomenin është media me faktet e investiguara dhe të bëra publike, ndërsa kryeministri Berisha nuk identifikoi korrupsionin si të keqen e madhe të këtij vendi, por medien që e nxori atë në dritë të diellit.