E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hipokrizia, stimulohet apo ndëshkohet?

Televizioni egjiptian “Al-Nahar” ka transmetuar ditët e fundit një intervistë të gazetares Riham Said me një klerik, imamin Yousuf Badri. Pak para regjistrimit të emisionit, teksa ishte duke kuvenduar me imamin, gazetarja nuk kishte vënë shami në kokë. Imami dukej i pashqetësuar nga kjo herezi, ndaj vazhdonte të bisedonte pa teklif, madje duke ia ngulur herë pas here shikimin, si një burrë zamani. Por kur filloi regjistrimi, imami, me autoritetin që i jepte xhybja, i kërkoi gazetares të vinte shaminë në kokë. Rihad Said e pyeti imamin (tashmë para kamerave, live, si thuhet tani) se “përse atij nuk i kishte bërë përshtypje fakti që para regjistrimit ajo ishte pa shami dhe përse po ia kërkonte këtë gjatë regjistrimit?” Imami, që nuk e priste këtë reagim, pa u shpjeguar, këmbënguli dhe urdhëroi që gazetarja gjithsesi duhej të hidhte patjetër velin në kokë, të mbulohej... Rihan Said këmbënguli që imami të shpjegohej para publikut për shtirjen, për hipokrizinë, për dyfytyrësinë, për qëndrimin e shpenguar para fytyrës së saj të zbuluar, ndërkohë që kur u gjend para publikut, në transmetim direkt, pat dëshmuar tjetër fytyrë, “fanatike” dhe intolerante, duke i mbajtur sytë në tjetër drejtim, me gjasë për të mos rënë në gjynah, a thua se edhe Allahu po e shihte dhe e po ndiqte nëpërmjet kamerave! Tregohej i vendosur dhe i prerë të mos i hidhte asnjë vështrim tundues e mëkatar gazetares, e cila pak minuta më parë nuk pat bërë blasfemi, kurse tani, para publikut, po mëkatonte.... I kapur në kurth, imami u përpoq më kot të krijonte përshtypjen (për fanatikët egjiptianë) se ishte i ndershëm dhe i respektonte një për një mësimet e Kuranit... Emisioni dështoi dhe u mbyll kur moderatorja, pasi hoqi hijabin në mënyrë demonstrative, u ngrit e u largua nga studioja, për ta sfiduar e damkosur përfundimisht hipokrizinë e imamit.
E gjitha kjo shfaqje, e sendërtuar kaq thjesht, në dy-tri minuta, sigurisht që ka vlerë ku e ku më të madhe e më dobisjellëse se të gjitha debatet, premtimet, fasadat, demagogjia, ligjërimet, predikimet, psalmet, syret, d.m.th. maskat e liderëve fetarë e politikë, të cilët, falë teknologjisë elektronike janë stërvitur dhe “edukuar” me artin e hipokrizisë për të mësyrë e për t’u shfaqur para publikut të tjetërsuar (para kamerave dhe altoparlantëve!) ndryshe nga ç’janë, sipas parimit “tjetër bëj e tjetër thuaj”, duke na hedhur sa më tepër hi syve... Kjo sot quhet politikë, ky quhet sukses, ky është kushti për të bërë karrierë në të gjitha fushat.
Ngjarja me imamin e Egjiptit të largët tregon se edhe imamët, ashtu si edhe priftërinjtë, të cilët kapen në mëkat, si p.sh. me pedofili, janë të njëllojtë me politikanët, të cilët nuk kanë frikë nga Allahu, nga mësimet e Zotit, nga ligjet, nga morali, sa paskan frikë e drojë se mos u dalin të palarat në sy të publikut. Të shtirurit është bërë sot arti më i sofistikuar, më i vyer, më i shtrenjtë, më i paguar. Pa dyshim që rasti i mësipërm është niveli më i lartë dhe më i ndyrë i hipokrizisë, për faktin se ky inskenim u pa në publik nga e gjithë bota... Po sa janë rastet dhe shembujt negativë të kësollojtë, të cilët ne nuk i pikasim e nuk i shohim dot ngaqë na fshihen, jo vetëm nëpërmjet mekanizmave shtetërorë, por edhe nga makineritë mediatike?... Se, kur je besimtar dhe nuk ke frikë nga ndëshkimi i Zotit, kur je pushtetar dhe nuk ke frikë nga Ligji, si mund të kenë këta së toku frikë nga hipokrizia, nga dyfytyrësia, nga paudhësitë, nga mashtrimet, nga mëkatet dhe nga gënjeshtra?!
 ***
Nuk ka gjë më të dëmshme e më shkatërronjëse për një shoqëri se të mbetet pa modele të pastra, pa figura publike të ndershme e të besueshme morale. Për këtë qëllim njerëzimi ka shpikur fetë, kishat e xhamitë; për këtë janë krijuar dhe ekzistojnë qeveritë e parlamentet, partitë dhe sindikatat, bashkitë dhe komunat, gazetat dhe mediat elektronike... Për të zgjedhur më të mirët, më të devotshmit dhe më të ndershmit, kryhen herë pas here zgjedhje, sepse presupozohet se ata do të jenë ndër më të mirët, më të virtytshmit, më të aftët. Por a ndodh kështu? Kur del se të zgjedhurit e të përzgjedhurit janë me dy fytyra, mashtrues e hipokritë, si ky imami i Egjiptit, si duhet vepruar dhe si duhet të reagojnë mediat? Sigurisht, sipas shembullit të gazetares egjiptiane. Edhe pse ne jemi shtet laik, pluralist, demokratik, fatkeqësisht ne nuk kemi shembuj të tillë si të gazetares egjiptiane. Por nuk mjafton vetëm shembulli i saj. Lipset edhe reagimi i opinionit publik, qëndrimi qytetar, përndryshe ky “skup”, edhe po të ndodhte tek ne me ndonjë lider, fetar apo partiak, do të mbetej në kufijtë e një argëtimi që bëjnë kalamajtë në cirk. Fatkeqësisht shembujt dhe modelet e tillë janë të pakët.
E pra, kjo trushpëlarje masive në fakt realizohet, jo pa efekt dhe pa sukses, por në bashkëpunim e bashkërendim me mediat, me manjatët e tyre... Që është paralizuar dhe ngrirë opinioni publik, “meritë”, sigurisht që ka edhe media. Hipokrizia mund të thuhet se është legalizuar, ligjëruar e pranuar si e mirëqenë. Nuk bën më përshtypje kur një ish-komunist fanatik shndërrohet në antikomunist fanatik, kur një persekutor shpallet demokrat, kur një legen e quan veten VIP, rëndom më lehtë edhe se imami i Egjiptit. Edhe kryehipokritin në majë të qeverisë e të partisë e quajmë burrë të zotin, pasi ky, jo vetëm që ka ditur t’ua hedhë bashkëpunëtorëve, por prej një çerek shekulli është treguar “aq i zoti” sa nëpërmjet gënjeshtrave, hipokrizisë, premtimeve, demagogjisë, parimit “tjetër bëj e tjetër thuaj”, i ka hedhur hi syve, hapur, ditën për diell, gjithë popullit, i cili “e voton dhe e mban në pushtet me vota të lira dhe demokratike”... A nuk e quajmë ne këtë “aftësi” talent, zotësi, madje edhe gjenialitet?
“Imamët” tanë të politikës dhe të së ashtuquajturës shoqëri civile nuk kanë akses dhe suksese vetëm te “popujt e tranzicionit”, por anekënd botës. Në pamje të parë duket sikur mundësia e manipulimit dhe e trushpëlarjes është më e madhe dhe më e kollajtë te popujt e shtypur, pa kulturë të mjaftueshme demokratike, më pak të civilizuar. Por, me sa duket, nuk është kështu. Në fakt ndryshon vetëm sofistikimi dhe mënyra e përdorimit të mjeteve mediatike. Pa këto mjete çudibërëse, “flakëhedhëse”, të cilat më së shumti e stimulojnë dhe nuk e ndëshkojnë hipokrizinë dhe falsitetin, nuk do të kishte pasur as edhe një efekt mbi opinionin tonë publik as amplifikimi i qëllimshëm i votim-mosvotimit të tri ligjeve të famshme, të cilat, me gjasë, na paskan lënë jashtë dyerve të Evropës... E pra kjo bëhet që të përjashtohen, si me shkop magjik, nga përgjegjësia historike “imamët” tanë të politikës! 
 ***
 Sidomos nëpër fushatat zgjedhore këtë dukuri të kameleonizmit e shohim dhe e prekim çdo minutë. Por jo vetëm nëpër zgjedhje e jo vetëm nëpër edicionet e lajmeve dhe debatet televizive. Shumica e spektakleve dhe e paraqitjeve shërbejnë për të fabrikuar klishera, modele, modë, idhuj të rremë, falsitet, d.m.th. omëgjëra kulturore, politike dhe morale. Harxhohen miliarda për këtë qëllim. Trukohet e vërteta, stimulohet dhe investohet gënjeshtra, mashtrimi dhe hipokrizia gjithandej me ndihmën e kompanive të ngritura për këtë qëllim, si është rasti që njohëm së fundi, “Podestën” amerikane... Kryetarët e partive nëpër fushatat zgjedhore janë pronarët e lavatriçeve të trurit, të hipokrizisë sociale. Pa asnjë diskutim më të fituar dalin përherë demagogët, shtinjakët, kameleonët, mashtruesit, snobët, gënjeshtarët, “idhujt pa krena” dhe jo publiku.
Në këtë klimë të molepsur me hipokrizi “institucionale”, njeriut të zakontë e të pambrojtur i duket më se normale që, ata që flasin për demokracinë, të jenë pikërisht ata që i kanë varrosur dhe rroposur parimet e saj; ata që kërkojnë votën tonë për një mandat të tretë, të katërt, madje edhe të pestë, janë ata që kanë bjerrur mundësinë, shpresën dhe të drejtën tonë natyrale për integrim në Evropë; ata që flasin për drejtësi janë “imamët” e Drejtësisë, të cilët dalin para kamerave pa pasur frikë se mund t’u dalë përballë e t’iu heqë maskën ndonjë gazetar i guximshëm “egjiptian”... Ashtu si prostitutat shtiren të ndershme e të virgjëra, edhe krerët e korruptuar të politikës dhe qeverisjes nuk e kanë për turp të denoncojnë me neveri dhe me ashpërsi shembullore korrupsionin, kur janë përballë publikut.
Mos vallë, si qytetarë e si votues, falë kësaj trushpëlarjeje e kemi humbur shpresën se mund të lindë një ditë një shembull i tillë si i gazetares Riham Said në Egjipt që t’u heqë maskën këtyre “imamëve”? Mos vallë kjo është një tjetër dëshmi modeste që provon se sa e kanë djerrëzuar e shterpëzuar shoqërinë tonë të lirë dhe demokratike “imamët” tanë të politikës në këto vite që kanë ecur një hap para e dy prapa? Për të mirë a për të keq, 23 qershori do t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›