Serbët dhe shqiptarët, jo “të huaj” por të panjohur
Serbët dhe shqiptarët duhet të shtojnë kontaktet njerëzore për të njohur më mirë njëri-tjetrin, ndërkohë që duhet të ecin me ritme më të shpejta në fushat e ekonomisë dhe të kulturës, si fusha të ‘sigurta’ në bashkëpunimin e tyre dypalësh. Dhe mbi të gjitha, Bashkimi Europian konsiderohet aktori kryesor në zhvillimin e bashkëpunimit shumëpalësh rajonal”.
Këto ishin disa nga konkluzionet kryesore të një studimi të ndërmarrë nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare (ISSN) dhe ‘Belgrade Center for Security Policy’ (BCSP), të cilat u bënë publike të premten e kaluar me prezencën e medias, analistëve, diplomatëve përfshirë Këshilltarin e Parë të Ambasadës Serbe në Tiranë, Boris Fira, përfaqësuesve nga BCSP, Institutit të Medias e të tjerë.
Studimi u bazua në një monitorim dyvjeçar (2011 & 2012) të medias shqiptare dhe asaj serbe (televizione, gazeta dhe media sociale) si dhe në intervista me ekspertë shqiptarë e serbë të fushave të ndryshme.
Studimi, i quajtur “Serbi, Shqipëri: A Përputhen Perceptimet me Realitetin?”, u krye me qëllimin për të parë gjendjen aktuale të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë, analizimin e tyre nga tri kontekste: politik, ekonomik dhe kulturor dhe dhënien e një kontributi në përmirësimin e tyre.
Një studim i tillë është me interes dhe vjen në kohën e duhur, duke marrë parasysh tendencën në rritje të komunikimit midis dy vendeve. Është e qartë për këdo se marrëdhëniet Shqipëri-Serbi kanë vuajtur dhe akoma vazhdojnë të vuajnë nga stereotipe dhe paragjykime të ndryshme. Dhe ky studim hedh dritë mbi këto barriera të ngritura dhe mënyrën e kapërcimit të tyre.
Studimi i bazuar në median shqiptare tregoi se 49% të artikujve ishin negativë, 42 % neutralë dhe 9 % pozitivë nga një total prej 4012 artikuj nga të cilët 1560 (39 %) të shkruar në 2011 dhe 2452 (61%) në 2012.
Përsa u përket tipeve të artikujve të zgjedhur, mund të thuhet se ka një tendencë të qartë në median shqiptare për të mbuluar ngjarjet politike në Serbi(81%). Ndërsa 16% janë artikuj me temë social-kulturore dhe artikujt ekonomikë zënë 3%. Më tej, nga totali i artikujve, 2 % janë opinione dhe editoriale nga të cilat 46% janë për Kosovën dhe 54% për Serbinë. Ka pak mbulim të iniciativave rajonale ku përmendet Serbia.
Studimi sugjeron më shumë kontakte midis dy kombeve, më shumë lëvizje në fushat e sigurta të ekonomisë dhe kulturës, ndërkohë që marrëdhëniet politike dhe çështja e Kosovës mbeten ende kyçe për të ardhmen e marrëdhënieve dypalëshe. Gjithashtu, ai nënvizon rolin vendimtar të BE-së në mbajtjen në fokus të perspektivës europiane në rajon.
Lidhur me pjesën e studimit serb, mund të thuhet se ai u bazua në 21 revista online të spektrave të ndryshëm të jetës politike. Një total prej 1982 artikujsh u botuan në 2011 (1251 artikuj) dhe 2012 (731 artikuj) ku përmendej termi Shqipëri. Dy të tretat e të gjitha shkrimeve të tjera të analizuara (1287) ishin të lidhura në një mënyrë apo në një tjetër me Kosovën (912 në 2011 dhe 375 në 2012). Megjithatë, ajo që vihet re është përmirësimi i trendit. Më shumë se gjysma e artikujve totalë ishin rreth trafikut të aluduar të organeve gjatë dhe pas luftës së Kosovës, që sipas raportit të Këshillit të Europës të hartuar nga Dick Marty, përfshinte një qendër paraburgimi dhe një klinikë brenda territorit shqiptar. Nga të gjitha shkrimet e shkruara në dy vite, vetëm një shkrim ka bërë pyetjen “A ndodhi ky trafikim në të vërtetë?”.
Një fraksion të shkrimeve të analizuara i dedikoheshin sportit, 35 në 2011 dhe 27 në 2012, duke u marrë më së shumti me transferimin e futbollistëve serbë nga/ose në Shqipëri apo ndeshje të ndryshme futbolli të zhvilluara në Shqipëri me pjesëmarrjen e futbollistëve serbë. Një numër më i vogël artikujsh kanë mbuluar kulturën. Për shembull, shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare figuron në 6 shkrime (1 në 2011 dhe 5 në 2012) ndërsa pjesa tjetër e prodhimtarisë së artit shqiptar është pothuajse e padukshme në median serbe.
Studimi tregoi se 166 artikuj ishin pozitivë, 1196 negativë dhe 620 neutralë. Kryesisht, shkrimet me konotacione negative rrahin tek trafiku i organeve, Shqipëria e Madhe, krimi, trafiqet ilegale dhe terrorizmi, historia dhe problemet e brendshme të vendit. Ndërsa ato pozitivë përfshinin krahasimet e favorshme midis dy vendeve si për shembull, paraqitja e Shqipërisë si një treg më pak i rrezikshëm me një liri ekonomike më të madhe; me një bregdet të bukur ku mund të kalosh pushime pa harxhuar shumë; me një tolerancë fetare dhe ku ka edhe raste të martesave ndëretnike.
Një ndër pjesëmarrësit në këtë aktivitet, diplomati i karrierës dhe gazetari Shaban Murati komentoi për “Gazetën Shqiptare” marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë, duke i quajtur ato ende të ftohta dhe për këtë, ai bëri përgjegjës të dyja palët.
“Marrëdhëniet me Serbinë mund të klasifikohen si të ftohta dhe ky vlerësim nuk buron vetëm nga ngjarjet e muajve të fundit, që kanë të bëjnë me Preshevën. Ato lidhen me një politikë hezitimi, neglizhimi dhe nënvleftësimi, që ka karakterizuar vazhdimisht politikën e Serbisë ndaj Shqipërisë”, tha autori i shumë librave dhe shkrimeve mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe rolin e Shqipërisë në to.
Ai shtoi se “Këtu ka pjesën e vet edhe qeveria e Shqipërisë, e cila nuk ka ditur të kërkojë dhe të ndërtojë një partneritet dinjitoz me Serbinë”.
Ndërsa drejtori i Institutit të Medias, Remzi Lani nënvizoi se “ky është një studim interesant, sepse marrëdhëniet Shqipëri-Serbi nuk janë më bardh e zi. Ato kanë ndryshuar”.
Prandaj, shtoi ai, “kemi nevojë për një qasje realiste ndaj këtyre marrëdhënieve. Fjala kyçe është ‘njohja’ dhe mendoj se në këtë drejtim media ka ndikim, ashtu si edhe shoqëria civile e biznesi”.