E Diel, 1 Nëntor 2026

Hipoteka, nis regjistrimi fillestar i pronave në Tiranën e Re

TIRANE- Hipoteka e Tiranës ka nisur regjistrimin fillestar të pronave në zonën e Tiranës së Re. Burimet zyrtare të Hipotekës bejne te ditur se janë afishuar rreth 1900 prona në këtë zonë për regjistrim fillestar, disa prej të cilave i përkasin shtetit dhe të tjerat, personave juridikë dhe atyre fizikë.
Në funksion të sigurimit të pronës private dhe rritjes së vlerës së saj, në Shqipëri është ndërtuar Sistemi i ri i Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, bazuar në ligjin "Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme". Baza e këtij sistemi krijohet nëpërmjet procedurës së Regjistrimit Fillestar të Pasurive të Paluajtshme nën drejtimin e Kryeregjistruesit të Shqipërisë. Regjistrimi i parë sistematik filloi në zonat rurale në vitin 1995, dhe 80 për qind e zonave kryesore bujqësore u kompletuan ne viti 2001. Regjistrimi i zonave urbane ishte më i ngadalte dhe deri më sot, vetëm 30 për qind nga zonat urbane kadastrale kanë kompletuar procesin e Regjistrimit të parë.

Aktualisht janë në proces regjistrimi fillestar sistematik rreth 170 zona kadastrale me një numër pronash prej rreth 500 000.
Regjistrimi Fillestar Sistematik i Pasurive të Paluajtshme kadastrale është një projekt i Qeverisë Shqiptare që financohet nga Banka Botërore (BB) nëpërmjet Projektit për Administrimin dhe Menaxhimin e Tokës dhe që në bashkëpunim me ZRPP, i mundëson gjithsecilit, posedues pasurie të paluajtshme, regjistrimin e saj brenda 45 ditëve. Regjistrimi Fillestar Sistematik i Pasurive të Paluajtshme është një projekt që zbatohet nga disa kompani të huaja nën kontrollin e ZRPP-së dhe përfaqëson regjistrimin ligjor të pronave në ZRPP. Regjistrimi Fillestar përfshin krijimin e hartës treguese të regjistrimit (HTR) dhe plotësimin e një kartele për çdo pronë, me një proces Afishimi Publik për 45 ditë si një proces i njoftimit dhe kontrollit publik.

Gjatë këtyre 45 ditëve të afishimit publik, lista e pronave më të dhënat përkatëse dhe harta treguese e regjistrimit, afishohen në Zyrën e Afishimit Publik, që ndodhet në një ambient brenda zonës kadastrale. "Ky moment është shumë vendimtar për mbarëvajtjen e mëtejshme të procesit të regjistrimit. Pas këtij afati gjithçka do të kryhet përkundrejt pagesave", shtojnë specialistët e Projektit të BB-së dhe ZQRPP-së.

Në rast se ndokush konstaton pasaktësi gjatë periudhës së afishimit publik, pronarët duhet të paraqesin menjëherë një fletë ankesë në Zyrën e Afishimit Publik, ku të përshkruhen me hollësi pretendimet mbi çdo gabim ose pasaktësi (qoftë edhe një shkronje në emër) që mund të jetë vënë re. Kërkesës duhet t’i bashkëngjitni edhe dokumentacionin që vërteton pretendimin e gjithsecilit. Brenda periudhës 45-ditore të afishimit, duhet që sërish, pretenduesi të verifikojë nëse zgjidhja e pretendimit është pasqyruar në listat dhe hartat e afishuara. Shqipëria ka më shumë se 4.5 milionë prona, të ndara në 36 rrethe dhe rreth 3000 zona kadastrale. Çdo rreth ka një Zyrë Regjistrimi të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP) dhe një Regjistrues, i cili mbikëqyr regjistrin për zonën e tij. Zyra Qendrore e Pasurive të Paluajtshme (ZQRPP) drejtohet nga Kryeregjistruesi, i cili emërohet nga ministri i Drejtësisë.

Çdo pronë ka një kartelë që tregon emrin e pronarit, tipin e pronësisë, vendndodhjen fizike dhe madhësinë e pronës. Ajo tregon gjithashtu çdo ngarkesë ose kufizim ne transferimin e pronës si p.sh.:, të drejtën e përdorimit të tokës nga të tjerët, hipotekimin, lënien si kolateral, dhënien me qira ose problemet gjyqësore. Çdo pronë, pavarësisht nëse është një parcelë apo ndërtesë, ka një numër unik identifikimi, i cili referohet në kartelë dhe në Hartën Treguese të Regjistrimit (HTR).

(d.b/ATSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›