E Shtunë, 31 Tetor 2026

PR-ja mbledh Asamblenë, Godo: “Berisha duhet të krijojë koalicionin për zgjedhjet”



Partia Republikane ka zhvilluar gjatë ditës së djeshme mbledhjen e Asamblesë Kombëtare në të cilën është diskutuar rreth organizimit të punës për fushatën e ardhshme elektorale. Në fjalën e tij, Presidenti i Nderit i Asamblesë Kombëtare të PR-së, Sabri Godo, u shpreh se është koha që e djathta të krijojë koalicionin me të cilin do të përfaqësohet në zgjedhjet e qershorit 2009. Godo tha se përgjegjës për këtë është kryetari i partisë më të madhe në maxhorancë, Sali Berisha. “Duhet të përpiqemi të krijojmë një aleancë të së djathtës. Si do të jetë aleanca, kjo varet nga ajo që është forca kryesore politike e maxhorancës dhe personalisht nga doktor Berisha. Për fat të keq, aktualisht ne nuk mund të themi asgjë më tepër për krijimin e koalicionit. Se ç’do të ndodhë, këtë do ta shohim në të ardhmen”, - është shprehur Godo. Më tej, fjalën e mori kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i cili vuri theksin tek organizimi i strukturave elektorale nëpër rrethe. “Këto zgjedhje do të vënë në provë punën 4-vjeçare të koalicionit qeverisës. Partia Republikane krijon pa dyshim një nga vlerat e munguara të politikës shqiptare. Ne jemi një parti e tolerancës dhe etikës brenda vetes dhe në raport me politikën në tërësi. Kemi ditur të ruajmë dhe të vlerësojmë çdo kontribut, kemi ofruar mundësi për njerëz të rinj në politikë dhe në qeverisje. Është e domosdoshme që krahas punës së çdo subjekti politik për organizimin e fushatës të krijohen grupe të përbashkëta të analizës elektorale dhe që t’u paraprijnë vendimeve të përbashkëta. Organizimi elektoral i së djathtës duhet të fillojë që tani për një strategji të përbashkët, për t’u finalizuar me një fushatë të suksesshme në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, - është shprehur Mediu. Ai theksoi se koalicioni duhet të përbëhet nga të gjitha partitë e spektrit të djathtë. “Thelbi i këtij koalicioni do të jetë përfshirja brenda një koalicioni i të gjitha partive relevante politike të së djathtës, por që në fund, në themel të saj ka organizimin dhe funksionimin tonë si parti brenda këtij koalicioni”, - është shprehur Mediu.

11 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›