E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hipotekimi i apartamenteve, Bashkia e Tiranës bashkëpunim me ALUIZNI-n

18-07-2012 / Gazeta 55

Jorida Tabaku: 76 subjekte pasive në listën e zezë të Bashkisë së Tiranës

Procesi i hipotekimit është prioritet kryesor i Bashkisë së Tiranës. Në funksion të realizimit të një prioritetit të tillë, Bashkia e Tiranës do të bashkëpunojë me të gjitha institucionet e përfshira në këtë proces, siç ZRPP dhe Agjensia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale.
Gjatë ditës së sotme zëvendëskryetarja e bashkisë, Jorida Tabaku dhe Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, z. Ardian Kollozi zhvilluan një takim ku evidentuan ecurinë e këtij procesi.
Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me ALUIZNI-n ka ngritur një Task-Forcë e cila ka analizuar rast pas rasti të gjitha ndërtimet që kanë pasur shkelje të lejes. Në total janë 456 objekte.
Nga të cilat janë pajisur me leje legalizimi pranë Drejtorisë rajonale të ALUIZNI-t; 212 objekte dhe po vazhdojnë procesin e hipotekimit pranë zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajteshme. Ndërkohë, 244 objekte janë në proces të përfundimit të procedurave për legalizim.
Për të mundësuar përfundimin e procedurave dhe përshpejtuar procesin e legalizimit, Bashkia e Tiranës ka vendosur në shërbim të subjekteve të gjithë dokumentacionin që gjendet në arkivën teknike të Bashkisë.
Pavarësisht kësaj, disa subjekte vazhdojnë të jenë indiferente ndaj plotësimit të detyrimeve që kanë përballë qytetarëve.
68 subjekte nuk kanë plotësuar dokumentacionin tekniko-ligjor dhe nuk kanë shlyer detyrimet financiare ndërsa 8 subjekte të tjera nuk kanë shlyer detyrimet financiare.
Ndërkohë që nga dita e sotme, të 76 subjektet e mësipërme, pronarët e tyre dhe çdo kompani tjetër e regjistruar në emër të tyre, do të futet në listën e zezë të Bashkisë së Tiranës dhe do të ketë një marrëdhënie të kushtëzuar me të, deri në përfundim të këtij procesi sipas ligjit.
Aktualisht në listën e zezë janë dhe 19 subjekte 13 prej te cilave nuk kanë plotësuar dokumentacionin për t’u pajisur me leje përdorimi dhe 6 të tjera nuk kanë aplikuar për hipotekim.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›