“Hiqe ministrin nga priza” në teatrin Metropol
Çfarë ndodh nëse i heqim prizën një ministri. Këtë mundohet të shtjellojë regjisori Arbër Jakllari në komedinë “Hiqe ministrin nga priza”, të dramaturgut anlgez Erik Ilde.
Nё qendёr tё shfaqjes janё ngjarjet dhe situatat qё demaskojnë politikanët nga intrigat, aferat, korrupsionin, abuzimin qё ata bёnin vetёm e vetёm për të arritur në pushtet me çdo qëllim.
Një ministër anglez ka pësuar një aksident të rëndë. Ai mbahet në jetë nëpërmjet një aparature, vetëm për shkak të numërimit të votave. Një keqpërdorim i këtyre të fundit do të ndryshonte gjithçka në Parlamentin e Anglisë. Kur duan ta heqin nga priza, kuptohet se ministri i vërtetë ka vdekur, por mundohen ta mbajnë edhe pak gjallë derisa të kryhen tërë kombinimet konfliktuoze, që këtë post ta trashëgojë zv/ministri, që tashmë është duke e kryer detyrën. Komedia me regji të Arbër Jakllarit do të shfaqet në skenën e Teatrit Metropol në datën 2 qershor. “Hiqe ministrin nga priza”, do tё vijё nёn interpretimin e aktorёve tё rinj: Devis Muka, Ina Gjonçi, Klodjana Hoxha, Klodjana Keco etj., ndёrsa skenografia e shfaqjes i ёshtë besuar Beqo Nanajt.