E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tinguj virtuozë nga Shqipëria në Paris

Pas një seri koncertesh në disa vende të Europës, pianistja Dhurata Lazo do të japë një koncert recital në teatrin "Rendez Vous-d'Ailleurs" të Parisit, ku pianistja shqiptare, e duartrokitur në shumë skena botërore për shkëlqimin e interpretimit dhe vëmendjen e saj kushtuar pianos, do të interpretojë muzikë klasike, shoqëruar nga bashkëshorti, saksofonisti i njohur Zija Bushi Bejleri. Të dy bashkë do t'iu japin jetë me saksofon dhe piano tingujve të Jean Baptiste Singelee, Franz Joseph Haydn, Friedrich Handel Georg, Jean-Nicolas etj. Por në skenën e madhe “Rendez Vous-d'Ailleurs", pianistja Lazo do të luajë e vetme pjesë për piano nga Frederic Chopin - Nocturne Lento, Mazurkas Op 67 Vivace Nr.44, Nr.45 Cantabile, Nr.46 Allegretto, Andante spianato Grande poloneze e Brillante op 22 etj. E larguar herët nga Shqipëria, Dhurata Lazo në koncertet në shumë vende të botës ka ditur t'i japë jetë muzikës klasike shqiptare, duke përfaqësuar me dinjitetin e saj muzikor kompozitorët e njohur si Çesk Zadeja, Shpëtim Kushta dhe Tonin Harapi. Edhe këtë herë në Parisin e kulturës mondane, në koncertin ku do të jenë të ftuar njerëz të njohur të artit dhe të kulturës pariziene, Lazo do të interpretojë në piano muzikën e kompozitorit Tonin Harapi. Një sukses ka shënuar koncerti i saj në Shqipëri, në fillim të këtij viti kur interpretoi koncertin e Prof. Çesk Zadesë për piano dhe orkestër me Orkestrën e Radio-Televizionit Shqiptar. Ishte një koncert që u mirëprit jo vetëm nga artdashës të muzikës klasike.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›