E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, pjesë e Vendeve Antike të Europës dhe Mesdheut

Shqipëria është tashmë pjesë e 901 Vendeve Antike të Spektaklit në Europë dhe Mesdhe, pas nënshkrimit të marrëveshjes dje në Muzeun Historik Kombëtar. Kjo marrëveshje konsiston në përfshirjen e zonave antike të Shqipërisë, në Itinerarin Kulturor të Vendeve Antike të Spektaklit, dhe u firmos dje në kuadër të Konferencës së Tretë Vjetore Ndërkombëtare me temë: “Turizmi i qëndrueshëm dhe zhvillimi lokal – burimet, strategjitë dhe politikat për Shqipërinë, si pjesë e Bashkimit Europian”. “Akti i bashkëpunimit në pikat e tij thekson se aktivizimi i të gjithë burimeve shtetërore, apo private që operojnë në këto zona do të sjellë zhvillimin lokal të territorit”, tha Rektori i Universitetit Europian të Turizmit në Shqipëri, Salvatore Messina, promotori i kësaj marrëveshjeje. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, të gjitha vendet që janë pjesë e këtij projekti marrin përsipër zhvillimin e aktiviteteve në zonat antike, ku kryesisht synohet nevoja e informimit të brezit të ri dhe gjetja e metodave bashkëkohore për zhvillimet potenciale të turizmit. Pjesë e kësaj marrëveshje nga pala shqiptare është qyteti i Lezhës dhe Fierit. Gjithashtu, pjesë e marrëveshjes është përfaqësimi i secilit vend në komitetet tekniko-shkencore, ku çdo vend pjesëmarrës do të ketë përfaqësuesin e vet në komitetin shkencor të Itinerarit Kulturor të Vendeve Antike të Spektaklit, i cili do të ndjekë të gjitha projektet. Drejtori i Turizmit dhe Kulturës në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Klodjan Pajuni vlerësoi projektin “Shqipëria është Kulturë”, pjesë e të cilit është dhe nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje, si një aktivitet që pati një performancë të suksesshme. “Bashkëpunimi real i të gjithë partnereve, që nga qeveria e deri tek operatorët e thjeshtë, bëjnë të mundur këtë iniciativë. MTKRS ka në prioritetet e saj zhvillimin e aktiviteteve kulturore në Tiranë dhe rrethe”, tha Pajuni. Ndërsa Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Franka Paloka, shprehu nevojën urgjente për vendin të domosdoshmërisë së planeve, që sjellin zhvillim të qëndrueshëm të turizmit. Marrëveshja u firmos nga Drejtori i Përgjithshëm i Turizmit dhe Kulturës në MTKRS, Klodian Pajuni, Drejtorja e ATA, Franka Paloka, Presidenti i Distriktit Trapani – Itali, Girolamo Turano, Kryetari i Bashkisë Lezhë, Viktor Tushaj, drejtori i Parkut Kombëtar Arkeologjik të Apolonisë, Marin Haxhimihali dhe rektori i EUFT, Salvatore Messina.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›