Hiqen dublikimet, Shqipëria me 4,249,942 shtetas
Numri total i popullsisë së Shqipërisë rezulton të jetë 4,249,942 shtetas. Kjo e dhënë u bë dje publike nga drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti, në një komunikim me median. Sipas tij, me ngritjen e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, u bë i mundur kontrolli për saktësinë dhe vlefshmërinë e të dhënave. "Kontrolli i parë që u krye mbi këtë bazë të dhënash është kontrolli për rekorde të shumëfishta që i përkasin të njëjtit shtetas, ose siç janë quajtur rëndom ‘dublime‘", theksoi Teliti. Për këtë qëllim, vijoi ai, janë hartuar procedura të gjetjes dhe identifikimit të dublimeve të mundshme në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Për gjenerimin e këtyre procedurave u bashkëpunua ngushtësisht me Ministrinë e Brendshme të Austrisë, të cilët janë edhe krijuesit e sistemit online të RKGjC-së. Në përfundim të kontrollit të dublimeve të mundshme u identifikuan në sistem: 5,818 persona të dubluar brenda së njëjtës zyrë, të njohura si dublime të brendshme; 45.074 persona të dubluar ndërmjet zyrave, të njohura si dublime të jashtme në një total të përgjithshëm prej 50,892 personash të dyshuar si të dubluar. "Me përfundimin e pastrimit të dublimeve deklarojmë se kemi për herë të parë një Regjistër Kombëtar të Gjendjes Civile të pastër nga dublimet", u shpreh Teliti. Përjashtim, vijoi ai, bëjnë disa dhjetëra raste, ku vetë ZGJC-të, pasi kanë kontrolluar dokumentacionin, kanë konkluduar se ato rekorde pavarësisht se janë shënuar si dublime, i përkasin personave të ndryshëm. Në përfundim të ekzekutimit të procedurës së pastrimit të dublimeve nga sistemi i RKGjC-së, bazuar në informacionin e sjellë nga vetë ZGJC-të, u arrit të pastroheshin të gjitha dublimet. "Është përgatitur lista e personave të cilët janë pastruar dhe një listë e veçantë po i dërgohet çdo ZGJC-je për të kryer hapin final të pastrimit të dublimeve, atë të çregjistrimit nga Regjistrat Themeltarë", tha Teliti. Ai sqaroi se nga të dhënat e nxjerra nga RKGJC-ja i pastruar rezulton se: numri total i popullsisë është 4,249,942 shtetas, ndërsa numri total i zgjedhësve është 3,133,248 zgjedhës. Numri total i popullsisë, i ndarë sipas qarqeve dhe Njësive të Qeverisjes Vendore, i është dërguar dje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Është përgatitur Udhëzimi i Ministrit ‘Për procedurat e hartimit të listës së zgjedhësve për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë‘. Teliti tha se është gati edhe lista e zgjedhësve dhe për çdo NjQV e gjeneruar nga RKGjC-ja. Për shkak të lëvizjeve të kryera ndërmjet njësive rezulton një numër total prej 88,000 zgjedhësish pa një numër të saktë qendre votimi. Në përputhje me Kodin Zgjedhor, kryetari i njësisë duhet t‘u caktojë të gjithë zgjedhësve në listë një qendër të vlefshme votimi brenda datës 28 shkurt 2009. Kjo punë duhet të kryhej për 3,133,248 zgjedhës, ndërkohë që u shkon e gatshme njësive në 97% të punës dhe mbetet vetëm 3% ose 88,000 zgjedhës pa përcaktuar një qendër të vlefshme votimi.