E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, 16 milionë lekë për Shërbimin e Gjendjes Civile

Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e djeshme, mori vendimin për një rishpërndarje fondesh buxhetore, të miratuara për vitin 2009, për Ministrinë e Brendshme, brenda programeve buxhetore të kësaj ministrie. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, "Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë", dhe të ligjit nr. 10 025, datë 27.11.2008, "Për buxhetin e vitit 2009", me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave vendosi sa më poshtë. Ministrisë së Brendshme, në buxhetin e miratuar për vitin 2009, për programin "Shërbimi i Gjendjes Civile", t‘i shtohet fondi 16.000.000 (gjashtëmbëdhjetë milionë) lekë, në zërin "Shpenzime korrente", për mbulimin e shpenzimeve të fushatës publicitare, për nxitjen e shtetasve shqiptarë për t‘u pajisur me letërnjoftim dhe pasaportë elektronike. Fondi 16.000.000 (gjashtëmbëdhjetë milionë) lekë të pakësohet nga zëri "Shpenzime korrente", nga programet dhe në masën, si më poshtë vijon: a)Nga programi "Policia e Shtetit", shuma 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë; b)Nga programi "Planifikim, menaxhim dhe administrim", shuma 6.000.000 (gjashtë milionë) lekë. Ngarkohen ministri i Brendshëm dhe ministri i Financave për zbatimin e këtij vendimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›