E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hiqen statujat, portiku në dorë të specialistëve të monumenteve

Zhvendosja

Dje, me ndihmën e dy specialistëve gjermanë, pjesa më e madhe e statujave të portikut të rrezikuar të Muzeut Arkeologjik të Apolonisë janë zhvendosur. Ato janë vendosur në pjesë të tjera të këtij muzeu që janë më të sigurta. Drejtori i Parkut Arkeologjik të Apolonisë, Marin Haxhimihali, shprehet se sot ka mbetur vetëm një përqindje e vogël e punës. Më parë, nga kjo pjesë e dëmtuar vite më parë dhe e rrezikuar seriozisht nga rrëshqitjet e dheut një ditë më parë, janë hequr 36 objekte arkeologjike (sarkofag guri të mëdhenj, stela funerale, pitosat, si dhe 9 statujat). çdo të ndodhë më tutje me portikun? “Radhën e ka Instituti i Monumenteve, i cili është ngarkuar t’i japë një zgjidhje situatës. Fillimisht do të bëhet një studim gjeologjik e më pas do të vendoset për konsolidimin e mureve dhe çatisë së dëmtuar rëndë”, shprehet Haxhimihali. Zhvendosja e statujave ishte një kërkesë paraprake e specialistëve të IMK-së jo vetëm për t’i ruajtur, por edhe për të pasur mundësinë e ndërhyrjes. “Shpresojmë që puna të vazhdojë po me këto ritme të shpejta. Kjo është nga të paktat radhë që bashkëpunimi mes hallkave të institucioneve të trashëgimisë ka funksionuar më së miri. Qendra e Studimeve Albanologjike reagoi shpejt ndaj shqetësimit tonë”, shprehet Haxhimihali. Veç portikut, dëmtime kanë ndodhur edhe në teatrin antik. Sipas drejtorit, për këtë priten specialistët që do të vijnë nga ekspedita shqiptaro-gjermane që ka punuar në këtë zonë. Sipas tij, synohet që gërmimet të vazhdojnë e teatri të bëhet i vizitueshëm. Ndërkohë, Haxhimihali shprehet se vizitat vazhdojnë normalisht në sektorët e tjerë të Parkut Arkeologjik. “Synimi ynë është që në sezonin turistik gjithçka të jetë stabilizuar”, shprehet Haxhimihali.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›