Gjyqi i Gërdecit, dëshmon Berisha: Shpërthimi ndodhi pas një krisme
Shpërthimi në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec, i cili u mori jetën 26 personave dhe qindra të tjerë u plagosën, ka ndodhur si pasojë e një krisme, nga e cila u shkaktua një flakë e madhe. Të paktën ky ka qenë pretendimi i dëshmitares Ermira Berisha, punëtore në fabrikë, e cila ka rrëfyer në procesin e djeshëm gjyqësor ndaj 28 të pandehurve, tmerrin që ka përjetuar gjatë dhe pas ngjarjes. Ermira ishte dëshmitarja e gjashtë e thirrur nga organi i prokurorisë, ndërsa në duar mbante edhe fëmijën e vogël. Tregoi se gjatë tragjedisë ka qenë tremuajshe shtatzënë, ndërsa ka pësuar dëmtime në trup, por fatmirësisht fëmija ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore. Tashmë dëgjimi i është vështirësuar dhe për dy muaj pas ngjarjes ka qëndruar nën psikoterapi, për shkak të frikës së humbjes së fëmijës. Ka punuar në fabrikë dhe kishte shkuar me disa shoqe. Kishte takuar drejtuesit e firmës. Fillimisht punoi në procesin e fishekëve. Ajo tha se gjatë kësaj faze lante fishekët që shkonin për demontim dhe paketim. Ditën e ngjarjes ka qenë në fabrikë, rreth 15 metra larg vendit nga ku u përhapën flakët. Tha se ka dëgjuar një krismë të madhe dhe më pas ka tentuar të largohet. Në këtë moment e ka kapur flaka e madhe, duke e djegur në kurriz dhe në pjesën e pasme të kokës. Si pasojë e këtij shpërthimi ka humbur pjesërisht dëgjimin. Gjatë seancës së djeshme ka ngritur disa herë zërin, pasi mendonte se askush nuk e dëgjonte. Në momentin që e ka kapur zjarri, i ka rënë të fikët dhe është zgjuar në spital.
Shpeshherë ripërsëriti se para se të përhapeshin flakët, ka dëgjuar një krismë të madhe. “Edhe sot e kësaj dite, në gjumë dëgjoj krisma të forta”, tregoi Ermira. Megjithatë, prokuroria ka kërkuar që të kundërshtonte pjesërisht dëshminë, në lidhje me krismën që kishte dëgjuar. Prokurorja Marjeta Zaimi ka lexuar dëshminë e Ermirës, dhënë para oficerëve të policisë gjyqësore pasditen e datës 15 mars 2008, kur ndodhi edhe shpërthimi fatkeq. Ajo kishte deklaruar se rreth orës 12 pa 10 minuta shpërtheu një flakë e madhe dhe në këtë moment është larguar me shpejtësi. Gjatë deklarimeve para oficerëve të policisë gjyqësore, nuk kishte pohuar faktin se kishte dëgjuar krisma. Kundërshtimi i dëshmisë nga prokuroria është pranuar edhe nga mbrojtja, të cilët nuk kanë dhënë asnjë koment.
Avokatët dhe dëshmitëNë fillim të seancës së djeshme gjyqësore, avokati Mark Pëllumbi që mbron ish-gjeneralin Dashnor çaushi, ka replikuar me trupin gjykues për njoftimin e klientit të tij. Ai ka deklaruar se është shkelje e rëndë mosnjoftimi i të pandehurve dhe kjo procedurë mund të rezultojë fatale për të gjithë procesin gjyqësor, pasi gjykatat e larta mund ta kthejnë për parregullsi procedurale. Pëllumbi tha se gjyqi nuk mund të zhvillohet me këtë shkelje të rëndë dhe i kërkoi trupit gjykues të marrë menjëherë masa. Megjithatë, kryetari i seancës, Ridvan Hado, tha se i pandehuri Dashnor çaushi ka marrë dijeni për zhvillimin e gjyqit. Në “mbrojtje” të avokatit Mark Pëllumbi ka qenë edhe avokati Maksim Haxhia, që mbron interesat ligjorë të të pandehuri Mihal Delijorgji. Haxhia ka ripërsëritur se shkeljet procedurale në këtë shkallë gjykimi mund ta kthejnë sërish çështjen. Megjithatë gjykata ka qenë e prerë për të vazhduar seancën.
Në megaprocesin gjyqësor të “Gërdecit”, ku janë të pandehur 28 persona, kanë dëshmuar dje gjashtë dëshmitarë okularë. Duke treguar detaje nga fabrika famëkeqe që u mori jetën 26 personave, ata kanë pohuar se për të filluar punë nuk kishin firmosur asnjë kontratë. Kushtet ishin skandaloze. E para për dëshmi ka qenë Thëllëza Gjoka. Ajo ka pohuar se ditën e ngjarjes ka qenë në fabrikë dhe kishte parë një flakë rreth 50 metra larg vendit ku punonte. Flaka e ka zënë nga pas, duke e djegur në disa pjesë të trupit. Gjithashtu i është dëmtuar edhe shtëpia. I dyti ka qenë dëshmitari Artan Dedej, i cili ka deklaruar se gjatë procesit të punës, para shpërthimit tragjik, binin zjarre të vegjël që fikeshin me kova uji. Ai tha se rroga e tij shkonte rreth 750 mijë lekë të vjetra në muaj. Më pas ka dëshmuar Gentian Vata. Ky dëshmitar ka pohuar se ka punuar edhe në repartin ushtarak të Rinasit. Prokuroria ia ka kundërshtuar këtij personi dëshminë. Prokurorja Zaimi ka lexuar se Gentiani kishte deklaruar në muajin maj të vitit 2008 se kishte punuar te fishekët dhe nga frika e ndonjë shpërthimi kishte lënë edhe punën. Ai merrej me procesin e shkarkimit të municioneve.
Pas dëshmisë së Gentianit, fjalën e mori i pandehuri Dritan Minxolli. Ish-drejtori i fabrikës së demontimit në Gërdec pohoi se firma “Albademil” kishte dy administratorë, Mihal Delijorgjin nga ana financiare dhe shtetasin amerikan Patrik Henri nga ana teknike. Minxolli tha se nuk ka pasur asnjë ndërhyrje nga administratorët dhe rregullat kanë qenë të shkruara. Dëshmitari i radhës ka qenë Elton Hasa, i cili i ka shpjeguar gjykatës marrjen në punë dhe kushtet në fabrikë. Seanca e djeshme u ndërpre, pasi disa nga dëshmitarët nuk ishin të pranishëm.