E Shtunë, 31 Tetor 2026

Saim Kokona: Mendoj ti kthehem sheshxhirimit

Operatori i shumë filmave të vjetër shqiptarë ka festuar mes miqve 76-vjetorin e lindjes. Një katalog dhe një dokumentar modest, përgatitur nga Arkivi i Filmit, kanë sjellë një retrospektivë të punës së tij ndër vite

Një orë nuk i mjaftonte dje as Saim Kokonës dhe as miqve të tij të tregojnë një jetë si operator filmi. Që prej vitit 1955, kur nisi të studiojë në Pragë, Kokona do t’i mbetej besnik profesionit të tij, në ndryshim nga kolegët e tij, Dhimitër Anagnosti, Viktor Gjika apo Piro Milkani, të parët operatorë profesionistë, të cilët nuk i shpëtuan dot ngasjes për t’u marrë me regji. “Saim Kokona nuk e festonte asnjëherë ditëlindjen kur ishim studentë. Pas 55 vjetësh miqësi, kjo është hera e parë që unë mundem të bëhem pjesë e kësaj feste”, ka thënë Piro Milkani në takimin e djeshëm për të festuar përvjetorin e 76-të, por edhe për të kujtuar vite të tëra të Kokonës me kamera në krah. Fjala e tij ka vijuar me kujtime të tjera nga koha e studimit, pastaj nga momentet e sheshxhirimit e deri edhe në detaje që mund të rrëfehen shumë vonë. “Gjatë xhirimit të filmit ‘Koncert në vitin ‘36’, marr vesh papritur se aktorja ishte shtatzënë pesë muajshe. Të kapur nga paniku, pasi biseduam me këshillin e filmit, u vendos që do të abortohej. Por mjeku u shpreh se aborti ishte i pamundur, prandaj nuk dinim ç’të bënim. Saimi me qetësinë që e karakterizonte, e gjeti vetë zgjidhjen. E vendosi Margarita Xhepën në plan të parë dhe aktoren të qëndronte gjithnjë pas saj. Si rezultat lindi një fëmijë i mirë dhe u bë një film i mirë”, tregoi dje regjisori Saimir Kumbaro. Kujtime të tilla, nga ato që u thanë para mikrofonit dhe ato që thuheshin në pëshpëritje, kishte plot. Në fakt, një katolog i realizuar nga Arkivi Shtetëror i Filmit, që sjell përmes një retrospektive fotografike jetën e Kokonës fëmijë, student, operator filmi dhe familjar, ishte parashikuar të promovohej një vit më parë, atëherë kur mbushte 75-vjeç. Arsyet shëndetësore dhe një operim në zemër e detyruan që t’i mblidhte miqtë një vit më vonë. Një dokumentar modest bënte një udhëtim në filmat artistikë të realizuar ndër vite nga Kokona. Janë plot 30 artistikë (“Ngadhënjim mbi vdekjen”, “Prita”, “Njësiti gueril”, “Guximtarët”, “Beni ecën vetë”, “Radiostacioni”, “Apasionata”, “Sinjali i dashurisë”, “Taulanti kërkon një motër” etj.), rreth 30 filma dokumentarë e plot të tjerë kronikalë. “Secili prej këtyre filmave jepte variantin e tij mbi jetën tonë. Unë duhet të skicoja e të portretizoja gjithmonë ato që ishin të bukura në vendin tonë, për njerëzit dhe punën e tyre. Janë shumë filma e shumë vite punë, por nuk kam ndjerë asnjëherë lodhje”,shprehet ai teksa miqtë e tij kineastë i afrohen vazhdimisht me urimin e një jete të gjatë. Veç regjisorëve, janë të shumtë edhe aktorët që sjellin kujtimet nga sheshi i xhirimit. Të gjithë i vënë në pah humorin e hollë apo skenat që i xhironte papritur. “Me aktorët kemi pasur raporte shumë të mira. Mundësitë ishin shumë të mëdha që të bënim më të mirën. Në punë e sipër humori nuk mund të mungonte, ndryshe nuk kishim se si t’i kalonim muaj të tërë bashkë, si në një familje”, tregon Saimi. E kur bie fjala te familja, tund kokën në shenjë pohimi se i ka hyrë pak në hak familjes. “Megjithatë unë kujdesesha shumë edhe për familjen e bashkëshorten time Shpresa, e cila në largimet e shpeshta të miat është kujdesur për dy fëmijët tanë”. Saim Kokona e nisi nga fotografia. Ishte vetëm 10 vjeç, kur në 1944-ën, nën nxitjen e dajallarëve të tij, Osman dhe Mehmet Kallfa, fokuson në Tiranën e pasluftës pasojat e shkatërrimit. “Pikërisht në rrugën e Shën Gjergjit, ku familja ime u vendos kur isha 10 vjeç, pashë partizanët e parë që hynë në Tiranë, duke ardhur nga Dajti për në qendër të qytetit. Mbaj mend që ata kalonin në një kolonë me hap të shpejtë dhe të mirarmatosur”, kujton ai. Vazhdon Liceun Artistik për pikturë, ndërsa studimi në Pragë për operator filmi do të vuloste fatin e tij. Ka shumë kujtime. “Kam nisur t’i shkruaj dhe po përpiqem t’i vazhdoj. Kam kujtime nga vitet e fëmijërisë, ato studentore, vitet e punës, ato që kam kaluar në shoqëri në familje. Do të vijë dita të botohen, shoqëruar edhe me fotografi”, shprehet ai. Ka disa vite që nuk e përdor më kamerën si dikur. “Xhiroj vetëm ndonjë gjë për qejf”, thotë ai, duke mos mohuar dëshirën për t’u gjendur sërish në sheshxhirim. Po mendon për një dokumentar, një realizim kushtuar Veriut e malësorëve. Janë hedhur vetëm mendime. Ndërsa për sa u përket viteve që kalojnë? “Nuk u trembem. Ndjehem njeri i realizuar”.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›