E Diel, 1 Nëntor 2026

Hiqet TVSH-ja për makineritë e prodhimeve bujqësore

12-02-2013 / Gazeta 55

Qeveria vendos brenda javës

Heqja e TVSH-së për makineritë bujqësore do shoqërohet me heqjen e TVSH për plehrat kimike. Kryeministri Berisha tha dje se ky vendim është ndër më unikët, katalizator i prodhimit bujqësor me qëllim konsolidimin e biznesit dhe nxitjen e punësimit në këtë sektor. Sipas tij, sot importi i veglave bujqësore është 20 për qind më i lirë dhe parashikohet që brenda 2 viteve bujqësia shqiptare do të jetë më kompetitive.
“Le të marrim vendimin e kësaj jave për heqjen e TVSH-së, për të gjitha veglat, pajisjet, që përdoren nga fermerët shqiptarë, duke filluar nga bimët e rralla medicinare, te kulturat e arave, duke filluar nga bimët aromatike ekzotike,  tek arrorët e ullishtat. Duke filluar nga bletët dhe përfunduar tek gjedhët. Pra, ky vendim i qeverisë është ndër më unikët, por ky vendim i jep një nxitje të fuqishme prodhimit, zgjerimit, konsolidimit të biznesit në fushat respektive dhe punësimit shumë më të madh. Ky vendim do të shoqërohet me ligjin për përjashtimin e fidanëve, plehrave kimike, kimikateve që përdoren për qëllime të ndryshme në fushën e bujqësisë nga TVSH-ja, pra ne krijojmë kushtet më lehtësuese, që mund të ekzistojnë për fermerët  tanë. Ne besojmë se, vetëm në këtë mënyrë, vendimet dhe reformat tona do të mund të ndihen direkt në çdo fermë. Kjo faturë është të paktën 15 herë më e madhe, minimumi sesa çdo të ishte akciza e naftës, e cila siç faktojnë, skema rezultoi një grabitje masive nga pushtetarët e naftës destinuar për fermerët. Importi i veglave bujqësore, 20 për qind më i lirë, i të gjithave, do të ketë vetëm një kujdesie te fara e grurit, sepse ne nuk duhet të dëmtojmë prodhuesit e farës në Shqipëri, dhe me të drejtë një deputet ma shtroi problemi, sepse fara e grurit është një fare që prodhohet në sasi të mëdha, por fidanët dhe këto farishtet, e rasatet e veçanta dhe të gjitha, do të jene taks free. Unë jam i bindur se në një hark kohor të shkurtër, nuk mund  të them imediat, por të shkurtër, jo më shumë se 2-3 vjeçar, bujqësia shqiptare do të dyfishojë  prodhimet  e veta me këtë masë që ne marrim, dhe bëhet një nga bujqësitë me kompetitive, për krahun e punës barrën fiskale, plus kushteve natyrore që i ka afër  ideales dhe gjithnjë e më  i madh, po bëhet interesi për zgjerimin e fermave për krijimin e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë”, tha kryeministri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›