“Në Tiranë u gjet ‘stofi’ i domosdoshëm për shtet-formim”
Para 93 vitesh, në këtë godinë ndryshoi një herë e përgjithmonë fati dhe historia e qytetit tonë. Kur Sulejman Delvina u vendos në Tiranë, me qeverinë e tij të parë, në kryeqytetin zyrtar të vendit, të shpallur vetëm tre javë më parë në Lushnjë, vendi dhe kombi ynë po kalonin kohë të vështira. Nuk kishte stabilitet dhe e ardhmja ishte e paqartë. Një gjë ishte e sigurt dhe e dimë edhe sot. Banorët e Tiranës e mirëpritën qeverinë dhe u përpoqën e luftuan për mbrojtjen e saj dhe aktivitetit të saj. Në këtë qytet u gjet “stofi” i domosdoshëm për shtet-formim.
Ne sot jetojmë të lirë dhe po punojmë për të integruar vendin tonë në familjen evropiane por duhet të kujtohemi e të tregojmë mirënjohjen tonë për familjet e mëdha të Tiranës dhe gjithë patriotët e mëdhenj të 93 viteve më parë që ndihmuan në ngritjen e institucioneve të para duke dëshmuar faqe skeptikëve e jo dashamirësve se ky komb kishte të ardhme, dinte të qeverisej e të funksiononte si vendet e tjera.
Edhe atëherë kishte përpjekje për bllokim, njerëz që pengonin të ardhmen, sigurinë, perspektivën e vendit, që ushtronin forcën e tyre për ta ndalur Shqipërinë, për ta pasur vendin një çiflig personal por ngrohtësia dhe mbështetja që gjeti qeveria në ditët e ftohta të shkurtit të vitit 1920, në shtëpitë familjet dhe banorët e Tiranës ishte një inkurajim dhe garanci për të vazhduar përpara. Tirana u bë “zemra” e kombit. Përpjekjet që u bënë këtu për zhvillim, edukim, kulturë, identitet u shpërndanë më tej në të gjithë dejet e shqiptarëve.
Për vite dhe dekada me radhë, bashkëkombësit tanë i kanë pasur sytë tek Tirana. Ka qenë gjithmonë një pikë referimi dhe ky qytet nuk ka zhgënjyer. Gjithnjë ka treguar vëmendje, gjithnjë i ka pasur dyert e hapura për këdo. Një dëshmi për këtë ishte edhe atmosfera që Tirana ofroi në kremtimin e 100 vjetorit të Pavarësisë.
Sot, pas 93 vitesh kryeqytet, Tirana është e autoktonëve por edhe e të ardhurve, një qytet bujar që lejon, madje bashkëjeton çdo ditë me të ndryshmen. Tirana është “streha” e kulturave dhe besimeve të ndryshme fetare. Kjo ka ndodhur sepse Tirana ka trashëguar genin dhe shpirtin tiranas që është mikpritja, respekti dhe dashuria për dijen dhe lirinë.
Ne jetojmë sot në kryeqendrën e sipërmarrjes, studentëve, të atyre që duan të ndryshojnë jetën e tyre. Nuk është e rastësishme që Tirana është ëndrra e të rinjve dhe prindërve të tyre që kujdesen për të ardhmen e fëmijëve. Këto tipare e rrisin përgjegjësinë që Bashkia ka zgjedhur për të qeverisur qytetin. Për fat të keq, ka pasur shpesh periudha që Tirana është shfrytëzuar, është shfrytëzuar për ideologji, për të shtypur lirinë, është shfrytëzuar për interesa ekonomike, është lënë në errësirë, është ndaluar festa, stolisja, siç i takon qendrës më të rëndësishme të kombit, është ndërtuar shpesh dhe si një komunë e largët, pa dinjitet.
Sot, Tirana ka simbolet e saj të merituara. Nuk është më qyteti “memec” që nuk tregonte asgjë. Ka shqiponjën e madhe në hyrje të qytetit tonë, ka shtatoret që dëshmojnë historinë, sakrificat dhe mirënjohjen tonë për heronjtë e kombit. Në Tiranë u ngrit për herë të parë edhe Kuvendi mbarëkombëtar i njësive vendore shqiptare, të gjithë rajonit, një lëvizje që bashkon të gjithë shqiptarët e Ballkanit.
Tani ka ardhur koha që këtij qyteti t’i shërbehet me sakrifica. Si kryebashkiak, ndihem çdo ditë i frymëzuar për këtë shërbim, sepse ne i detyrohemi këtij qyteti. Sa më shumë të punojmë, sa më shumë ta zhvillojmë, sa më shumë të sjellim standarde evropiane në infrastrukturë, arsim, aq më shumë vlerësojmë sakrificën e patriotëve që themeluan Tiranën kryeqytet, aq më shumë ndriçojmë të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve tanë.
Tirana është në krye të integrimit evropian të vendit por kjo nuk mund të funksiononte nëse Bashkia dhe administrata e saj do të ishte “e shurdhët” para zërit të qytetarëve dhe kërkesave të tyre. Nuk mund të funksiononte nëse Bashkia dhe administrata përdoreshin për “katapultë” politike apo për “lulëzim” financiar të një grupimi. Ne kemi ndryshuar mënyrën se si qeveriset qyteti. Tirana ka për herë të parë një plan të zhvillimit urban, një “kushtetutë” urbane që garanton respektimin e pamohueshëm të së drejtës së pronës, që garanton transparencë dhe nuk lejon arbitraritet në kurriz të askujt. Sot, çdo qytetar që ka një kërkesë pritet të dëgjohet nga Bashkia. Tani qyteti nuk fillon dhe mbaron në qendër. Tirana do të vazhdojë të ketë standarde evropiane në çdo cep të saj, gjë që e dëshmojmë çdo ditë me investimet tona.
Sot, në këtë 93 vjetor të futjes së qeverisë së parë në Tiranën kryeqytet, më lejoni të përsëris si kryebashkiak i Tiranës dhe në emër të Këshillit Bashkiak, të kryetarëve të njësive bashkiake, të administratës, përkushtimin tonë për të shërbyer pa u lodhur, duke e bërë këtë çdo ditë të vitit.
Në këtë ditë të veçantë, ne kemi zgjedhur një sërë aktivitetesh për të gjithë grup - moshat e kryeqytetarëve. E nisim sot me këtë aktivitet, pas kësaj kemi një ekspozitë fotografike e cila do të jetë e hapur sot gjatë gjithë ditës për qytetarët e Tiranës, pikërisht këtu në këtë godinë historike të qytetit tonë dhe selinë e parë kryeqytetase të qeverisë shqiptare. Pas kësaj, gjatë pasdites për rininë kryeqytetase në 10 bare dhe kafe të ndryshme si dhe në hapësirën “Atrium” janë organizuar aktivitete artistike me pjesëmarrjen e emrave të mëdhenj të muzikës bashkëkohore moderne shqiptare, siç është grupi “NA”, që është edhe grupi kryesor me kërkesën dhe stimulimin e veçantë të Këshillit Rinor por edhe shumë artistë të tjerë.
* Fjala e plotë e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, në aktivitetin “Qeveria e parë në Tiranën kryeqytet”