Mediu dhe Tahiri, në Mëngjesin e Lutjeve në SHBA
Prezantojnë rezolutën çame në Kongresin Amerikan
Kryetari i Patise Republikane, Fatmir Mediu dhe deputeti i PDIU-së, z. Dashamir Tahiri zhvilluan një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me ftesë të Kongresit Amerikan për të marrë pjesë në Mëngjesin e Lutjeve.
Në këtë ceremoni tradicionale merrte pjesë Presidenti Obama, Zëvendëspresidenti Biden, Sekretari Shtetit Kerry, si dhe shkencetari Dr.Ben Carson, i cili ishte dhe folësi kryesor në këtë event madhështor, ku ishin të ftuar personalitete të shumta nga bota.
Në fjalen e tij, presidenti Obama theksoi nevojën e bashkëpunimit të politikës në sherbim të qëllimeve të mëdha për njerëzit që sidomos në këto momente presin nga politika jo konflikte, por komunikim dhe zgjidhje të përbashkëta.
Në kuadër të këtij evenimenti, Mediu dhe Kongresmeni Aderholt drejtuan takimin për përfaqësuesit e Europës Juglindore, ku ishin të pranishëm edhe Drejtori i Departament të Shtetit për Europën Qendrore dhe Lindore Jonathn Moore, kongresmenët Robert Aderholt, Lincon Davis etj.
Gjate vizitës, Mediu u takua me një nga figurat më të shquara Republikane, kandidatin për President të SHBA-së, Rick Santorum, i cili shprehu dëshirën për të vizituar Shqipërinë së shpejti.
Së bashku me Tahirin, Mediu u takua edhe me Senatorin Jim Inhofe, përfaqësuesi më i lartë në Komisionin e Sigurisë dhe Mbrojtjes si dhe Komisionin e Mjedisit në Senat. Duke e falënderuar për mbështetjen e dhënë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, i bënë prezente zhvillimet politike në Shqipëri. Një takim mjaft i veçantë ishte edhe ai me Kryetarin e Komisionit për Europën në Kongres, Danna Rohrabacher.
Mediu e njohu me perspektivën e integrimit europian të Shqipërisë si dhe pengesën e vazhdueshme që opozita i ka bërë këtij procesi kombëtar, duke mos votuar 3 ligjet e kërkuar nga BE. Po ashtu i kërkoi që në zgjedhjet parlamentare të ketë prezencë të vëzhguesve nga kongresi Amerikan.
Në këtë kuadër, Tahiri i dorëzoi rezolutën Çame dhe e njohu kryetarin e Komisionit për Europën me kërkesat e kësaj rezolute. Në takimin me Kongresmenin Aderholt Zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE, Mediu i paraqiti kërkesën e kryeministrit Berisha për pjesëmarrje sa më të madhe vëzhguesish në zgjedhjet e qershorit. Kongresmeni Aderholt premtoi se do të vizitojë Shqipërinë në maj, për tu njohur me procesin zgjedhor. Mediu zhvilloi një drekë miqësore pune me ish Sekretarin e Mbrojtjes Donald Rumsfeld, i njohur si mbështetësi kryesor për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Gjatë qëndrimit në Washington Kryetari i Partise Republikane Mediu dhe deputeti Tahiri zhvilluan takime me senatoret Tom Coburn, Mark Prayer, Jeff Session, John Bozman, Bill Nelson, Jerry Moran; kongresmenët Eliot Engel, Mike Doyle, Heath Shuler etj . Gjate vizites Mediu dhe Tahiri u takuan me Cohen Group dhe Drejtorin e Heritage Foundation Sen Jim DeMint.