Ja vendet ku nuk sugjerohet udhëtimi, rrezik sulmet terroriste dhe rrëmbimet

Ministria e Punëve të Jashtme këshillon qytetarët
Ministria e Punëve të Jashtme këshillon qytetarët shqiptarë që të shmangin udhëtimet në vendet që konsiderohen të rrezikshme për sigurinë e tyre. Në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme janë renditur disa shtete të cilat nuk sugjerohen për udhëtim. Ato janë Jemeni, Republika e Kongos, Afganistani, Libia, Nigeria, Mali, Somalia dhe Algjeria.
“Shpesh herë harrojmë se udhëtimet mund kthehen në ankth dhe disa herë rrezikojnë edhe jetët tona. Kërcënimi global i sulmeve terroriste dhe rrëmbimet vazhdojnë. Këto kërcënime mund të ndodhin në ndërtesa qeveritare dhe administrative, qendra tregtare, avionë, trena, anije, hotele, vende fetare etj. E parë nga ky këndvështrim, Ministria e Punëve te Jashtme do të dëshironte që qytetarët e Republikës së Shqipërisë, në udhëtimet që ata të zhvillojnë të jenë të sigurt. Ministria e Punëve të Jashtme ju ofron informacionin e nevojshëm dhe ju sugjeron se, në cilat vende nuk mund të udhëtoni në mënyrë të sigurt, për shkak të situatës së brendshme. Niveli i kërcënimit terrorist është i ndryshëm nga vendi në vend. Ka vende dhe rajone, ku organizatat terroriste janë aktive dhe terroristët kanë mbështetjen e popullatës lokale, ose për shkak të mungesës së masave të sigurisë efektive, aktet terroriste ose rrëmbimet, mund të kryhet relativisht lehtë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.
MPJ këshillon qytetarët që të marrin në konsideratë informacionet, paralajmërimet, rekomandimet, që janë postuar në faqen zyrtare, duke nënvizuar se vendimi përfundimtar mbi fillimin e një udhëtimi është përgjegjësi e vet udhëtarit.