E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hiqet medaljoni i ministrit të Kulturës

Hiqet nga Ministria e Kulturës pllakati që i jepte meritat e rikonstruksionit Kryeministrit Berisha dhe ish-ministrit Ylli Pango.


Punonjësit: "As që e kemi vënë re. Kështu është kur mësohesh me të keqen". Zyra e shtypit: "Ishte tepër."


Kur inauguroheshin mjediset e reja të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, më 22 dhjetor 2007, fiksohej ky çast në një pllakë mermeri: Rikonstruksioni i kësaj godine u bë i mundur me kontributin e jashtëzakonshëm të qeverisë Berisha dhe nën kujdesin e ministrit të Kulturës, Ylli Pango." Diçka e përafërt duhet të ishte shkruar. Pllaka është hequr, ka disa ditë.


Punonjës që hyjnë e dalin disa herë në ditë thanë se as që e kanë vënë re heqjen e "asaj pllakës". Kështu është kur jeton dhe mësohesh me të keqen si në rrethim", - tha dikush.


Zyra e shtypit dha për këtë gjëzë një përgjigje që vinte nga paradhoma e ministrit, Ardian Turku, zëvendësuesi disamujor i Pangos. Përgjigja ishte: "Sikur të vinin nga një të tillë gjithë ministritë e rikonstruktuara? Prandaj u hoq, jo për ndonjë arsye tjetër", - tha zyra, duke lënë të kuptohej se ishin vetë fjalët e Turkut.


Me një urdhër të tillë, i cili sikur i ka hequr spaletat një gjenerali servil të radhës, po të merret parasysh çfarë ndodhi më pas me Pangon, zëvendësuesi i tij disamujor, ka hequr bashkë me pllakën edhe "njollën e fundit të turpit" që ishte ngjitur në portën hyrëse të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në rrugën e "Kavajës".


Kjo ministri e cila ndërroi tre herë godinë në dy vjet, u vendos në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Është ndërtesë e vitit 1932, vepër e arkitektit Dhimitër Dhespoti, inxhinier i xhenios, në ushtrinë shqiptare të kohës së Zogut. Ajo është përdorur si shtëpi për ushtarakët, në kohën e Mbretit Zog.


Mbas çlirimit u ruajt funksioni si godinë për ushtarakët, deri pas viteve '70, kur u ndryshua destinacioni, në funksion të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë.


Në vitin 2007, qeveria me Kryeministër Sali Berishën, mbështeti rikonstruksionin e saj me 60 milionë lekë (të rinj).


Administrata u përzie me sallat e konferencave, të ekspozitave, me hapësira që sot e kësaj dite mbajnë emra të personaliteteve dhe artistëve shqiptarë. Ka një sallë galeri të quajtur "Ibrahim Kodra", ¾ e mureve të së cilës janë me xham dhe është jashtë standardeve për një galeri. Ish-salla e madhe e Lidhjes është ndarë përgjysmë, një pjesë është zyra, tjetra është "Tefta Tashko Koço", një holl koncertesh me piano dhe karrige, ku jepen koncerte ose këndohet, në hapësirën që konkurron hollin operistik të TOB-it.


Tek mjediset çlodhëse të MTKRS-së llogariten dy tarraca: tarraca e parë është emërtuar "Vëllezërit Lymierë", tarraca e dytë mban emrin "Gjergj Fishta". Si njëra, si tjetra, nuk janë përdorur për gjë deri më sot, sepse në të vërtetë janë të pashfrytëzueshme.


Sado që rikonstruksioni i ka prekur, hija e tyre prej blevedereje të mrekullueshme ka mbetur, por prapë nuk mund të shfrytëzohen, sepse është mjedis i administratës publike dhe jo ballkoni i restorantit kinez mbi lulishten "1 Maji". Sipas specialistëve të rikonstruksionit, "stili arkitekturor i brendshëm ka synuar të krijoje vizionin për 'Një kulturë dhe art, të hapur me të gjithë dhe për të gjithë'".


Ish-ministri Pango e kish bërë zakon që, cilindo që ndeshte nëpër shkallë i tregonte "ja çfarë bëjmë ne". Prezantimi në katin e parë bëhej me foto. Nga njëri krah ishin ato me diçiturë "Si ishte", në tjetrën "si është".


Rikonstruksioni i Lidhjes renditej në detyrat vjetore të Pangos, tek gjërat e mëdha të ministrisë, sikur të ishte, për shembull, penalizmi i subjekteve piratë ndaj pronës intelektuale, për të cilën ai dhe të tjerë para e pas tij nuk kanë folur e as e kanë shpallur në agjendën e Ministrisë së Kulturës.


Pllaka u hoq e iku me gushtin, por e vështirë të ndryshojë kultura e të punuarit dhe të menduarit mbi kulturën.


Meqë jemi vetëm tek aspekti i jashtëm i MTKRS-së, ministria me godinën më të shqyer ndër ministritë, me ardhjen e ministrit të ri Ferdinand Xhaferri, së paku të shërbejë për atë që duhet të shërbejë, jo për stanet turistike me banak në oborr (!), jo për ekspozitat me punime lesh&perlon, dhe as të përdoret (sipas konceptit të Turkut) për të vobektët e kulturës.


Medaljoni i Pangos nuk është i fundit për ministrinë në fjalë. I fundit do të ishte përdorimi i administratës publike për propagandën e vakëfit - Një kulturë dhe art, të hapur me të gjithë dhe për të gjithë - që me njërën dorë jep, me tjetrën merr.


Ekspozita në Vlorë

So Many Men
Galeria më e re e artit në Vlorë, "The Promenade Gallery" prezanton së afërmi, më 20 shtator deri më 10 tetor, ekspozitën kolektive të pesë artistëve. Titulli "So many men" (Kaq shumë njerëz) u kushtohet katër veprave me autorë Gaia Fugazza, Alessandro Mancassola & Barbara Ceriani Basilico, Bruno Muzzolini dhe Fani Zguro.


Dyshja Alessandro Mancassola and Barbara Ceriani Basilico nëpërmjet një videoarti sjellin nga Milano portretin e Roye Lee-së, i cili pas 35 vjet jetë endacake kthehet në skenë i vetëm, me emocionet dhe me këngët e tij blues dhe country. Dy artistët përcjellin nëpërmjet këtij portreti një jetë mes ekstremesh.


"Men Looking" është një nga imazhet e reportazhit fotografik nga Eurosatory Paris 2008, një Panairin Ndërkombëtar Ushtarak. Për shkak të kushteve të sigurisë, hyrja në këtë ngjarje është vetëm për të ftuar nga industria e mbrojtjes.


Gaia Fugazza ka fokusuar vetëm burra midis burrash të së njëjtës fushë, duke sjellë një imazh dokumentar nga prezantimi i shpikjeve teknologjike, i planeve dhe pushteteve.
Videoja "Anema e core" paraqet një zonë vullkanike në Islandë. Është punë e Bruno Muzzolinit.


Kurse artisti shqiptar Fani Zguro vjen me një nga punët që e ka bërë të njohur tre vjet përpara në ekspozitën ndërkombëtare të artit "Onufri". Është "Autoportret" i Zguros, një kuadër i grirë me lojën e hijes që krijon rënia e dritës nga një kënd i caktuar. Është një homazh për Rembrandin, për kohën kur në mungesë të modelit, model merrte veten.

Diçiturë: Men Looking (2008)
Hand-made silver print from 35 mm negative film
50 x 60 cm


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›