E Diel, 1 Nëntor 2026

Italia, kapen shqiptarët me 145 kg marijuanë

Droga dyshohet se është dërguar përtej detit duke kaluar nëpërmjet Shqipërisë. Policia jonë: S'është dërguar me skaf


Dy të rinj nga Shqipëria kanë përfunduar në prangat e policisë italiane pasi janë kapur duke transportuar 145 kg marijuanë. Burimet zyrtare të policisë italiane pohuan se gjatë operacionit të Guardia di Financias janë arrestuar Fiodor Mezuraj, 30 vjeç, nga Vlora si dhe Arjon Zholi, 23 vjeç, nga Tepelena, të cilët janë të dyshuar si posedues dhe transportues të lëndës narkotike të sekuestruar gjatë operacionit policor të zhvilluar në Leçe gjatë ditës së enjte.


Identiteti i dy shqiptarëve është konfirmuar dhe nga burimet zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, e cila reagoi menjëherë pas publikimit të lajmit për sekuestrimin e drogës dhe arrestimin e dy shqiptarëve që rezulton se ishin klandestinë, duke hedhur poshtë mundësinë e trafikimit të drogës nga territori shqiptar.


Lajmi për arrestimin e shqiptarëve ka gjetur dje jehonë të madhe në mediat e shtetit fqinje, sipas të cilave, agjentët e Guardia di Finanza në qytetin e Leçes, kanë zbuluar 145 kilogramë marijuanë, e cila ishte e ndarë në disa pako. Sipas policisë italiane, sekuestrimi i drogës është bërë në lokalitetin bregdetar të Torre dell' Orso, 20 km larg Leçes.


Lënda narkotike ishte fshehur në një pyll me pisha, ndërsa në media italiane është hedhur dyshimi se droga mund të jetë dërguar në territorin italian e ardhur nga Shqipëria.


Lënda narkotike e sekuestruar mësohet se ishte e paketuar në një mënyrë perfekte për t'u mos u ulur cilësia e substancës, ndërsa dyshimet e para për dyshen e arrestuar kishin lindur pas lëvizjeve të dyshimta të njërit prej tyre përreth pyllit 20 km larg Leçes, ku dhe u sekuestrua marijuana.


Pas publikimit të lajmit ne mediat italiane për sekuestrimin e sasisë së konsiderueshme të drogës dhe arrestimit të dy shqiptarëve, ka reaguar dhe Policia shqiptare, duke hedhur poshtë pretendimet e medias italiane se droga vinte nga Shqipëria në rrugë detare.


"Gjatë komunikimit zyrtar me autoritetet e policisë italiane dhe as në njoftimin për shtyp të bërë publik prej tyre nuk është konfirmuar fakti që sasia e lëndës narkotike të jetë trafikuar me gomone nga Shqipëria.


Autoritetet italiane nuk kanë sekuestruar ndonjë mjet lundrimi që mund të kishte shërbyer për trafikun e lëndës nga Shqipëria ne drejtim të Italisë", -u shprehën dje burimet zyrtare të Policisë së Shtetit pas operacionit të Policisë së shtetit fqinj.


Pas këtij operacioni agjentët e policisë italiane kanë nisur dhe një kontroll në kanalin e Otrantos, për të shmangur çdo tentativë të kalimit të lëndëve narkotike në territorin e shtetit italian, ndërsa hetimet do të zgjerohen për të zbuluar destinacionin prej nga ka ardhur droga.


Por policia shqiptare ka reaguar edhe për ngjarjen e 21 gushtit të këtij viti, ku në brigjet italiane u sekuestrua sasi prej 250 kg drogë, si dhe u prangosën katër shqiptarë.


Sipas policisë, gomonia që ka transportuar lëndën narkotike më 21 gusht, është nisur në të njëjtën ditë nga Italia, me destinacion bregun shqiptar, ku në kthim për në shtetin fqinj, është sekuestruar bashkë me sasinë prej 250 kg marijuanë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›