Kritikët e Ramës institucionalizojnë lëvizjen antiPS
Blushi dhe Malaj kanë zhvilluar takimin e parë të Lëvizjes së tyre për Mendim Ndryshe në PS
Në takim ka marrë pjesë edhe ish-Presidenti Rexhep Meidani, si dhe një nga themeluesit e PS-së, Moikom Zeqo
Kundërshtarët e linjës zyrtare të Partisë Socialiste kanë konstituuar dje Lëvizjen për Mendim Ndryshe, si një organizim opozitar brenda radhëve të socialistëve.
Me sloganin "Jo bojkotit, - Për një PS të bashkuar dhe fituese", Ben Blushi dhe Arben Malaj i kanë dhënë jetë lëvizjes së tyre që ka në themel të saj kundërshtimin e vendimeve të marra nga strukturat e partisë lidhur me procesin zgjedhor dhe kushtëzimin e pjesëmarrjes në Kuvend të grupit kuvendor socialist dhe ku janë bërë një sërë figurash të njohura të kësaj force, si ish-Presidenti Rexhep Mejdani, Moikom Zeqo apo Ylli Bufi.
Takimi është mbajtur në ambientet e Akademisë së Arteve në Tiranë, me pjesëmarrjen e thuajse të gjithë atyre anëtarëve të kryesisë dhe Asamblesë Kombëtare të PS-së, të cilët kohët e fundit janë shfaqur si kritikë të kryetarit në detyrë të kësaj force, Edi Rama.
Fjalën hapëse e ka mbajtur anëtarja e kryesisë së PS-së, Eva Allushi dhe për të vazhduar më pas me kreun e kësaj lëvizjeje, Ben Blushi, i cili edhe një herë në fjalën e tij ka renditur arsyet e këtij pozicionimi kundër Edi Ramës dhe Partisë Socialiste. Kështu, ai ka vënë edhe një herë theksin tek nevoja që ka kjo forcë politike për t'u ndryshuar dhe për t'u bërë zëri i shqiptarëve opozitarë me qeverinë e Berishës.
"Ne jemi këtu, sepse se PS-ja nuk po shkon mirë, se Shqipëria rrezikon të jetë pa opozitë, sepse forumet herë pas here na e kanë mbyllur derën, sepse besojmë tek e majta, sepse duam që PS-ja të ndryshojë", - tha Blushi duke këmbëngulur se bojkoti që PS-ja ka vendosur t'i bëjë Kuvendit, favorizon Berishën dhe dëmton socialistët.
Sipas tij, vendimi për të mos marrë pjesë në jetën kuvendore u heq mundësinë socialistëve për të luftuar me qeverinë dhe për të goditur aferat e saja korruptive. "PS-ja po debaton, po nuk kupton, po bojkoton dhe s'po lufton, po i ikën betejës dhe i largohet fitores.
Nuk ka shërbim më të mirë që mund t'i bëjë PS-ja kësaj qeverie vetëm duke bojkotuar, nuk ka Kryeministër që nuk do të donte të mos kishte një kundërshtar. Berisha krijoi qeverinë, po ama PS-ja ku do e thotë mendimin e saj? Në oborrin e PS-së, apo në Parlament?", - u shpreh Blushi.
Nga ana tjetër, Ylli Bufi, në emër të kryesisë së kësaj lëvizje ka lexuar edhe një herë para të pranishmëve pikat kryesore që përmban paketa "Blushi" për ndryshimet statutore, ku natyrisht kërkohet të sanksionohet pamundësia e kryetarit të partisë për të rikandiduar për këtë post, nëse humbet zgjedhjet e përgjithshme.
Kritikën e tyre ndaj vendimmarrjes së forumeve socialiste e kanë shprehur edhe folësit e tjerë në këtë takim, si Moikom Zeqo, Rajmonda Stefa, Bardhyl Agasi apo edhe Arben Malaj.
Madje, ky i fundit, duke mbajtur fjalën mbyllëse të këtij takimi të parë, ka evidentuar nevojën për kurajën që duhet të kenë socialistët për të hequr dorë nga vetizolimi dhe për t'u dhënë mundësi shqiptarëve që të njohin alternativën e tyre në Kuvend. "Bojkotimi i Parlamentit është një vendim i gabuar. Ne duhet të gjejmë kurajën ta ndërpresim bojkotin sa më parë.
Për ne, Partia Socialiste nuk mund ta plotësojë misionin e saj si opozitë dhe nuk mund t`i arrijë objektivat e saj politike jashtë institucioneve", - tha Malaj në fjalën e vet. Ndërkohë që në takim nuk kanë munguar me pjesëmarrjen e tyre edhe shumë individë që më parë janë njohur si mbështetës të çdo lëvizjeje apo rryme opozitare në PS, përfshi këtu edhe të lëvizjes që gati dy vjet më parë ndërmori ish-kryetari i PS-së Fatos Nano. Madje, ata nuk kanë nguruar që në këtë takim të hedhin dhe thirrje të tilla si "E duam Fatos Nanon".
Drejtuesit e kësaj lëvizje opozitare brenda PS-së kanë programuar edhe një sërë takimesh të tjera, por që agjenda e tyre nuk është bërë e ditur, për shkak se kërkohet të koordinohet me agjendën e turit elektoral që po zhvillojnë dy kandidatët për kryetar të PSSH-së.