E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hiqet taksa 2% për shitjen e automjeteve

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit dhe Transportit Rrugor ka marrë vendimin për heqjen e taksës 2 për qind, si detyrim që subjektet fizike dhe juridike kishin ndaj shtetit.

 Në vendimin e mëparshëm ishte e sanksionuar që taksa prej 2 përqindësh do të paguhej në ato momente kur kalohej e drejta e pronësisë nga njëri individ te tjetri.

Taksa llogaritej mbi vlerën e shitjes së automjetit, e shënuar te noteri. Për të shmangur vlerat e vogla, Ministria e Transporteve në bashkëpunim me atë të Financave kishin vendosur që nuk do të paguhej më pak se 5 mijë lekë të reja për çdo shitje të deklaruar.

Duke qenë se impakti i kësaj takse ishte shumë i vogël për financat e Drejtorisë së Shërbimit Rrugor, por mbi të gjitha me synim rritjen e numrit të automjeteve të regjistruara pranë kësaj drejtorie, u mor vendimi për heqjen e saj.

Edhe pse udhëzimi ka dalë me kohë, shumë prej zyrave noteriale nuk janë njohur ende me vendimin e ministrisë, duke bërë të mundur arkëtimin e kësaj takse në mënyrë të paqëllimtë.

Në rang vendi, numërohen me mijëra automjete që nuk janë të regjistruara për shkak të shmangies së detyrimeve fiskale. Qeveria, me kohë, ka nxjerrë amnistinë fiskale për faljen e gjobave dhe kamatëvonesave, me qëllim regjistrimin e automjeteve në autoritetet përkatëse.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›