Qeveria shkel ligjin që të fryjë investimet

Sipas ligjit të ri “Për prokurimin publik”, i hartuar me ndihmën e Bankës Botërore, afati i fundit për të kryer tenderë është data 31 tetor.
Pas kësaj date, institucionet nuk mund të kryejnë asnjë procedurë të hapjes së ofertave, por vetëm lidhje kontratash për tenderët e kryer deri më 31 tetor.
Megjithatë, shumë institucione nuk i kanë kryer të gjitha shpenzimet në kohë dhe duke u nisur nga fakti i djegies së fondeve, një pjesë e administratës publike ka paraqitur pranë Kryeministrisë kërkesën për shtyrje të afatit.
Në ligjin “Për prokurimin publik” i jepet e drejta Kryeministrit që të pranojë kërkesën e Entit Prokurues për shtyrje afati vetëm nëse shpenzimi (blerjet materiale ose investimi) është i nevojshëm ose emergjent.
Kjo hapësirë e ligjit është duke u përdorur pa kriter nga institucione të ndryshme, ku një pjesë e mirë e atyre kërkojnë zhvillimin e tenderëve përtej afatit të vendosur.
Vetëm në muajin nëntor, Këshilli i Ministrave ka miratuar mbi 15 VKM që lejojnë shtyrjen e afatit. E para që hapi “lojën” e tenderëve përtej 31 tetorit ishte Ministria e Shëndetësisë, e cila kishte nevojë për blerje ilaçesh, nisur nga nevojat emergjente që kishin spitalet.
Qeveria e miratoi kërkesën e ministrisë në javën e dytë të nëntorit, me qëllimin e sigurimit të ilaçeve. Pas këtij vendimi, në qeveri paraqitet kërkesa e Ministrisë së Brendshme, me të njëjta kushte si Shëndetësia. Por ndryshe nga kjo e fundit, e cila mori shtesë afati deri më 8 dhjetor (përfshi dhe lidhjen e kontratës), qeveria i dha dikasterit të Nishanit afat deri më 30 nëntor.
Institucionet
Ashtu si dy të parat, qeveria lejoi Drejtorinë e Përgjithshme të Ujësjellës-Kanalizimeve, konkretisht njësitë lokale që menaxhojnë ndërmarrjet publike që të përfundojnë, deri më datën 31.12.2008, procedurat e prokurimit, për 53 objekte, me fondet buxhetore të investimeve, të parashikuara në buxhetin e shtetit të vitit 2008. Brenda këtij afati, sikurse dhe të tjerave, përfshihet edhe lidhja e kontratave. Me kalimin e ditëve dhe me dështimin radhazi të tenderëve shtoheshin paralelisht kërkesat për shtyrje të afateve. Kësaj here, Këshilli i Ministrave lejoi Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe të institucioneve në varësi të saj, që brenda datës 29 dhjetor, të përfundojë procedurat e prokurimit për ndërtime, mallra e shërbime. Pas këtij vendimi, situata del jashtë kontrollit. Këshilli i Ministrave merr vendime radhazi, duke lejuar Kuvendin e Shqipërisë, Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe degës së doganës së Tiranës, etj., që të përfundonin brenda datës 29 dhjetor 2008, procedurat e prokurimit, për mallra e shërbime dhe ndërtime, me fondet e parashikuara në buxhetin e shtetit 2008. Niveli i ulët i realizimit të shpenzimeve krijon një imazh negativ për qeverinë, pasi në fund të vitit do të kishim një diferencë të lartë të mosrealizimit të investimeve. Duke u nisur nga kjo arsye, e prirur dhe politikisht, Këshilli i Ministrave vijoi t’u jepte leje institucioneve të tjera, Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve në varësi të saj, si dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, përfshi dhe Shërbimin Informativ Shtetëror.