PD-PS, gati për ndarjen e re territoriale të Shqipërisë

Edhe pse ende nuk është konkretizuar një tryezë mes ekspertëve të dy partive kryesore, ka gjasa që diçka e tillë të mund të kryhet para zgjedhjeve të ardhshme.
Një prej drejtuesve të Partisë Demokratike tha për “Shqip” se “kjo është një çështje për të cilën ne kemi vullnetin e nevojshëm, përveç plotësimit të kritereve që na afrojnë me standardet ndërkombëtare”. Sakaq, e njëjta atmosferë vihet re në kampin e Partisë Socialiste.
Këta të fundit kujtojnë se kjo ishte një prej pesë pikave që propozoi kreu i socialistëve, Edi Rama, më 14 mars 2007 në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare. Pika që kishin të bënin me pesë reformat madhore që duhet të kryhen në vend me konsensusin e dy palëve.
Konkretisht pranohet se drejtimi kryesor i kësaj reforme do të jetë ulja e numrit të njësive vendore dhe riorganizimi i tyre në bazë të popullsisë, duke marrë parasysh këtu edhe lëvizjet e shumta që kanë ndodhur brenda vendit, nga një qytet në një tjetër. Shqipëria numëron në total një numër prej 12 qarqesh nga veriu në jug të vendit.
Numërohen 36 rrethe, 65 bashki dhe 309 komuna në të gjithë vendin. Shifra që konsiderohen krejt të papërshtatshme nga ekspertët për një vend me sipërfaqe sa kjo që ka Shqipëria. Por pakti për reformën e ndarjes administrative ishte pjesë e paketës së propozuar nga kreu socialist më shumë se një vit më parë.
Opozita u shpreh se mbështet realizimin e pesë reformave madhore në bashkëpunim me qeverinë. E para ishte reformë zgjedhore, që nënkupton rishikimin tërësor të sistemit aktual dhe rindërtimin e një infrastrukture zgjedhore të standardeve evropiane, që duhet të nisë me reformimin e gjendjes civile dhe të mbarojë me kartat e identitetit.
E dyta ishte reforma e territorit, që të realizojë krijimin e një harte të re administrative të Shqipërisë dhe një reduktim të numrit të njësive administrative në bazë të parametrave të Bashkimit Evropian, si edhe një rikonceptim të administrimit të territorit për t’i dhënë fund masakrës ekologjike dhe për të krijuar një kuadër ligjesh që mbrojnë natyrën, ndalin zhvillimin e pakontrolluar jashtë vijave të verdha të bashkive e komunave, si edhe u japin fund ndërtimeve pa leje.
E treta ishte reforma e sistemit të drejtësisë, me synim kthimin e luftës së politikës kundër krimit të organizuar, në një përpjekje të integruar të forcave politike, të strukturave të drejtësisë dhe të misioneve të asistencës teknike ndërkombëtare.
E katërta ishte reforma e decentralizimit, që duhet t’i njohë me ligj pushtetit vendor në Shqipëri të gjitha të drejtat që burojnë nga Karta Evropiane e Autonomisë Lokale, nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe nga ligji organik për pushtetin vendor.
E pesta ishte reforma e administratës publike, që duhet të garantojë integrimin në një kuadër tërësisht të rishikuar ligjor të aspekteve pozitive të eksperiencës së deritanishme të shërbimit civil.