E Diel, 1 Nëntor 2026

Hiri vullkanik, Topi anulon pjesëmarrjen në varrimin e Kazinskit

Kryeministri Berisha, i bllokuar për shkak të anulimit të fluturimeve, ka vendosur të udhëtojë me makinë drejt Polonisë

TIRANË - Hiri vullkanik i ardhur nga Islanda përveçse ka bllokuar mijëra vetë për të fluturuar me avion në vendet e Europës dhe në kontinentet e tjera, ka ndryshuar edhe axhendat e liderëve politikë, apo rikthimin e tyre në vendet respektive. Kjo u ka ndodhur edhe krerëve të shtetit shqiptar, përkatësisht Presidentit Bamir Topi, i cili ka anuluar vizitën e tij në Poloni, ku do të merrte pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-presidentit polak, Lech Kazinski, dhe Kryeministrit Sali Berisha, i cili ka mbetur në kryeqytetin e Austrisë.
Presidenti Bamir Topi kishte planifikuar për t'u nisur pasditen e djeshme drejt Polonisë, por e ka anuluar atë në orët e fundit, duke bërë që ai të mos u bashkohet një pjese të liderëve botërorë që do të marrin pjesë në ceremoninë e ish-presidentit Kazinski. Sipas burimeve nga Presidenca, bëhet e ditur se Presidenti Topi është konsultuar me autoritetet e aeroportit të Rinasit, të cilët e kanë këshilluar që të mos kryejë fluturime me avionë, për shkak të gjendjes së papërshtatshme në linjat ajrore ndërkombëtare që ka krijuar hiri vullkanik, i cili është ka përfshirë edhe pjesën juglindore dhe lindore të Europës.

Megjithatë, Shqipëria duket se do ta ketë përfaqësuesin e saj në këtë ceremoni mortore, pasi kryeministri Sali Berisha ka vendosur të shfrytëzojë bllokimin e tij nga anulimi i fluturimeve drejt Shqipërisë, dhe të niset me makinë nga Austria drejt Polonisë për të qenë i pranishëm sot krahas liderëve të tjerë botërorë në varrimin e ish-presidentit polak që gjeti vdekjen një javë më parë në një aksident ajror në Rusi. Pas vizitës që kreu në Bruksel para disa ditësh, ku dorëzoi në Komisionin Europian pyetësorin e plotësuar nga administrata shqiptare, ai e ka pasur të pamundur që të kthehet në Shqipëri nëpërmjet linjës së zakonshme ajrore Bruksel - Vjenë - Tiranë për shkak të hirit vullkanik të Islandës, i cili u përhap më pas në qiejt e vendeve të Europës, duke paraqitur rrezikshmëri për fluturimet ajrore. Megjithatë, Berisha tentoi të rikthehej në Shqipëri, duke përshkuar me makinë qindra kilometra rrugë në Gjermani për të arritur më pas në Vjenë, me qëllim që të merrte avionin për t'u nisur drejt Tiranës.

Por, edhe në kryeqytetin austriak fluturimet u anuluan, duke bërë që Kryeministri ta kalojë ditën e premte në Vjenë, ndërsa ka vendosur t'i drejtohet kryeqytetit polak për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të ish-presidentit Kazinski. Berisha është detyruar sërish të përshkojë rrugët e Austrisë për të kaluar përmes Çekisë e për të mbërritur më pas në Poloni. Vizita e kreut të qeverisë në ceremoninë e përcjelljes së ish-presidentit polak është edhe një thyerje e rregullave protokollare, pasi mendohej që në këtë ceremoni do të merrte pjesë Presidenti Topi. Por, duke qenë se ky i fundit e ka anuluar vizitën e tij, për shkak të kushteve të papërshtatshme për të udhëtuar me avion, në Poloni ka vendosur të shkojë kryeministri Berisha. Në këtë mënyrë, axhenda e Kryeministrit Berisha ka pësuar ndryshime, pasi ai mendohej që ditën e premte duhej të ishte në Shqipëri, ndërsa tani do t'i duhet të endet rrugëve të Europës, duke përdorur mjetet e transportit rrugor dhe atij hekurudhor për t'u kthyer në atdhe e duke e shndërruar këtë udhëtim të tijin në një odise të vërtetë.

Megjithatë, kreu i shtetit shqiptar nuk është i vetmi lider politik që detyrohet të ndryshojë axhendën e tij, si pasojë e problemeve të fluturimeve në të gjithë kontinentin europian. Kështu, kancelarja gjermane, Angela Merkel, nuk ishte në gjendje për të fluturuar në shtëpi, pas vizitës që kreu në Shtetet e Bashkuara, ajo e kaloi natën në kryeqytetin e Portugalisë, Lisbonë. Gjithashtu, në dyshim është edhe pjesëmarrja e presidentit amerikan, Barak Obama dhe atij rus, Dimitri Medvedev.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›