Ndryshimet në statut, PS mban sot kongresin

Socialistët do të diskutojnë sot edhe për krizën politike dhe atë ekonomike. Kongresi do të dalë sot me një rezolutë
Programi politik nuk do të miratohet. Në dyshim pjesëmarrja e kreut të Internacionales Socialiste, Ayala
Socialistët mbajnë sot kongresin radhës, ku përveç rregullave të reja të organizimit të brendshëm, pritet të përcaktojnë edhe linjën politike që do të mbajë Partia Socialiste, si ndaj krizës politike ashtu edhe asaj ekonomike, për të cilët duket se do të miratojnë edhe një rezolutë. Ndërkohë që një vëmendje e veçantë do t'i kushtohet edhe projektprogramit politik, i cili siç mësohet nuk do të miratohet, por vetëm do të diskutohet në parim, për tu lënë i hapur për ndërhyrje të mundshme gjatë konsultimeve që mund t'i bëhen më pas.
Axhenda
Kongresi pritet të hapet me një fjalë përshëndetëse të kryetarit të partisë, Edi Rama, i cili natyrisht do të bëjë një rezyme të përgjithshme të aksionit politik që ka ndjekur opozita gjatë këtyre muajve, si dhe do të japë në vija të përgjithshme synimet politike të së ardhmes, ku beteja për votën e lirë pritet të zërë vendin kryesor. Natyrisht, siç edhe paralajmëroi vetë kryesocialisti dy ditë më parë, një pjesë të rëndësishme në fjalën e tij do të zërë edhe kriza ekonomike që, sipas socialistëve, ka mbërthyer vendin, si pasojë e keqmenaxhimit të treguesve financiarë. Faktikisht, kriza ekonomike, e ndërthurur kjo edhe me atë politike, do të jenë objekt i pikës së dytë të rendit të ditës së mbledhjes së sotme, për të cilat disa nga figurat kryesore politike të kësaj force do të diskutojnë mbi efektet e tyre, si dhe rolin që duhet të luajë PS në minimizimin e pasojave. Më pas, si pikë e tretë e rendit të ditës është përcaktuar diskutimi në parim i draft-programit politik, për të cilin, siç mësohet, nuk do të ketë miratim, por vetëm hapje të debatit të gjerë që pritet të përfshijë në ditët në vijim edhe bazën e gjerë të partisë, si dhe grupe të ndryshme interesi. Siç mësohet nga burime pranë PS-së, programi i ri do të paraqitet si një projekt që do të lihet i hapur për ndryshime të mëpasme dhe për tu miratuar në një kongres të dytë pas një kohe të papërcaktuar. Natyrisht, për sa i përket programit në PS, ekziston dhe një mendim i disa figurave të kësaj force, të cilat mendojnë se ai duhet të miratohet sot për vet faktin se zgjerimi i temave që ai trajton nuk është i nevojshëm se ai nuk është program qeverisës.
Pika e katërt e rendit të ditës do të jetë miratimi i draft-statutit, i cili, siç edhe bërë i njohur, tashmë përmban një sërë ndryshimesh që prekin organizimin e partisë në bazë. Natyrisht, për këtë pikë është e hapur mundësia e prurjes së propozimeve edhe nga delegatët, të cilët janë njohur paraprakisht me projektstatutin e përgatitur nga grupi i punës dhe i përmirësuar nga Asambleja Kombëtare. Gjithashtu, në gjirin e socialistëve ekziston edhe një mendim alternativ që kongresi i sotëm të jetë midis të tjerave edhe një kongres zgjedhor, ku të votëbesohet Asambleja për t'i hapur rrugë më pas edhe rinovimit të strukturave të tjera drejtuese siç është kryesia dhe sekretariati. Megjithatë, për të ndryshuar rendin e ditës dhe për të përfshirë votëbesimin e Asamblesë statute aktuale e partisë parashikon se duhet të ketë një propozim me shkrim të mbështetur me firmat e 1/3 së delegatëve, çka ka pak gjasa të ndodh. Në fund, Kongresi pritet të dalë edhe me një rezolutë, ku do të shprehet qëndrimi i PS-së për zgjidhjen e krizës politike dhe ekonomike, si dhe mbështetja që kjo forcë jep për integrimin e vendit në BE.
Të ftuarit
Në kongresin e socialistëve përveç 1600 delegatëve pritet të jenë pjesëmarrës në statusin e të ftuarit edhe një sërë figurash politike nga brenda dhe jashtë vendit. Kështu, mësohet se ka konfirmuar pjesëmarrjen e vet sekretari i përgjithshëm i Internacionales Socialiste, Luis Ayala, por, siç mësohet nga burime pranë PS-së, prania e tij në Tiranë do të varet nga zhbllokimi i fluturimeve që janë anuluar për shkak të hirit vullkanik që ka shkaktuar shpërthimi i llavës në Islandë. Gjithashtu, pjesëmarrës do të jenë dhe krerët e partive aleate të PS-së, si dhe disa nga përfaqësuesit e trupit diplomatik në vendin tonë.