E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi dhe Pollo betohen sot tek Topi

Sokol Olldashi dhe Genc Pollo do të betohen sot sërish para Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Por, kësaj here, Olldashi si ministër i Punëve Publike dhe Transportit, ndërsa Pollo si ministër për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit. Bëhet fjalë për një akt formal që vjen si pasojë e ndryshimit të emërtimit të dy dikastereve që këta dy ministra drejtonin deri më tani, por që shoqërohet edhe me ndryshim kompetencave dhe fushës së veprimit që këto ministri mbulojnë, pasi tashmë telekomunikacionet kalojnë nga Olldashi tek Pollo. Kreu i Shtetit, Bamir Topi, dha pëlqimin e vet para disa ditëve lidhur me propozim e Kryeministrit, duke shpallur një sërë dekretesh që kishin të bëjnë me ndryshimin e emërtesave të ministrave të Kabinetit Qeveritar, duke shkarkuar së pari dy ministrat nga pozicionet që ata mbanin dhe duke i emëruar sërish në dy ministritë e reja. Kështu, fillimisht, ai me një dekret të veçantë shkarkoi Sokol Olldashin, si ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, dhe me një dekret tjetër e riemëroi atë në detyrën e kreut të ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit. Pra, ndryshe nga deri më tani dikasteri që do të drejtohet nga Olldashi nuk do të ketë më vijimin e emërtesës "telekomunikacioneve", çka në vetvete përbën dhe një ndryshim në objektin e punës së kësaj ministrie, e cila nuk do të ketë më të bëjë me telefoninë dhe mjetet e tjera të komunikimit. Ndërkohë që ky proces reformimi ka përfshirë edhe dikasterin ministror që drejtohet nga Genc Pollo. Por, ndryshe nga rasti i Olldashit, Pollo, do të drejtojë tashmë një ministri që për nga fusha që do të mbulojë përbënë një ndryshim rrënjësorë. Kështu Genc Pollo, është shkarkuar nga detyra e ministrit të Shtetit për Reformat dhe Marrëdhëniet me Kuvendin, për tu emëruar ministër për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit. Të dy ministrat e "rinj" të enjten e shkuar morën dhe pëlqimin e Kuvendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›