E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hirsutizmi, problem jo vetëm kozmetik, por edhe shëndetësor



Diagnostifikimi bëhet me anë të testeve stimulative, inhibuese dhe ato të përziera stimulativo-inhibuese

Hirsutizmi paraqet rritje të shtuar të qimeve terminale në fushat androgjene sensitive në fytyrë dhe trup të femrës. Në Evropë më tepër dominon te femrat e Mesdheut sesa te femrat skandinave. Te shumica e femrave, hirsutizmi është manifestim kutan i tepricës së androgjenëve, që mund të kenë prejardhje nga ovaret, gjëndra suprarenale ose nga medikamentet. Androgjenët e nxisin shtimin e numrit dhe trashësisë së qimeve terminale në fushat androgjene sensitive.

Cila është prevelanca dhe etiologjia?

Frekuencën e hirsutizmit është vështirë për ta përcaktuar, sepse ekziston një dozë e subjektivizmit, gjë që varet kryesisht nga vetë e sëmura. Disa femra që kanë qime terminale në fytyrë (pa praninë e tyre në pjesë të tjera të trupit) janë shumë më tepër të shqetësuara se ato femra që ndryshimet i kanë në ekstremitete apo pjesë të tjera të fshehta të trupit. Në Evropë më tepër dominon te femrat e Mesdheut sesa te femrat skandinave. Te shumica e femrave, hirsutizmi është manifestim kutan i tepricës së androgjenëve, që mund të kenë prejardhje nga ovaret, gjëndra suprarenale ose nga medikamentet. Androgjenët e nxisin shtimin e numrit dhe trashësisë së qimeve terminale në fushat androgjen sensitive.

Arsyet e shfaqjes së sëmundjes mund të jenë të ndryshme: PCOS (Sindroma e ovareve policistike), hirsutizmi mund të jetë edhe idopatik, mund të paraqitet edhe për shkak të mungesës së enzimeve steroide të gjëndrës suprarenale dhe ovareve, për shkak të tumoreve ovariale dhe suprarenale sekretuese, apo te sëmundjet endokrine si: sindroma Cushing, sëmundja e metabolizmit të kortizolit, hiperprolaktinemia dhe akromegalia.

Përqindja më e madhe i takon PCOS dhe hirsutizmit idiopatik. Androgjenët e nxisin shndërrimin e vellus qimeve në qime terminale në fushat androgjen sensitive. Stimulans hormonal për rritjen e qimes shërben 5-alfa dihidrotestosteroni, që krijohet nga shndërrimi i testosteronit nën veprimin e enzimit 5 alfa-reduktazës në folikulin e qimes.

50-70% e testosteronit qarkullues te femrat normale vjen nga prekursorët e androstenedionit dhe DHEA (më se 80% e dehidroepiandrosteronit ka prejardhje nga suprarenalja). Te femrat, gjëndra suprarenale sekreton androstenedionin, DHEA, DHEAS dhe testosteronin; ovaret sekretojnë kryesisht androstenedionin dhe testosteronin.

A ka shenja të tjera?

Femrat me hirsutizëm mund të kenë edhe shenja të virilizimit: alopeci të tipit androgjen, akne, thellim zëri, rritje të masës muskulare, klitoromegali, libido të rritur, ndryshime të personalitetit. Shfaqen edhe ndryshime në ciklin menstrual: amenorrhea, oligomenorrhea. Shpesh të sëmurat kanë anamnezë familjare pozitive ose të dhëna për marrjen e medikamenteve të ndryshme.

Kur mund të konfirmohet se është hirsutizëm?

Me shumë kujdes kontrollohet lëkura për të vërejtur sasinë dhe lokalizimin e qimeve terminale, ekzistimin e acanthosis nigricans dhe strijeve. Me anë të shkallës Ferriman-Gallwey vlerësohen 11 fusha androgjene sensitive (buza e sipërme, mjekra, gjoksi, duart, krahët, këmbët, kofshët, pjesa e sipërme e barkut, pjesa e poshtme e barkut, pjesa e sipërme e shpinës, pjesa e poshtme e shpinës) prej vlerës 0 (mungesë e plotë e qimeve terminale) deri 4 (prani e shprehur e qimeve terminale). Shuma =8 ose >8 e vërteton diagnozën e hirsutizmit.

Cilat analiza laboratorike duhen bërë?

Duhet të përcaktohet niveli i hormoneve e sidomos: testosteroni, LH, FSH, prolaktina, DHEAS si dhe në urine të përcaktohet niveli i 17-ketosteroideve.

Nëse janë të pranishme çrregullimet e menstruacioneve (oligomenorrhea, amenorrhea) përcaktojmë: prolaktinën, FSH, testosteronin total.

Nëse është i pranishëm virilizimi përcaktohet: testosteroni, 17-ketosteroidet urinare (që flet për rritje të androgjeneve adrenale), DHEAS - që është specifike për gjëndrën suprarenale (>90% vjen nga suprarenalja), nëse niveli është shumë i ngritur kjo flet për praninë e tumorit të gjëndrës suprarenale. Për të diagnostikuar llojin e hirsutizmit përdoren edhe testet stimulative, inhibuese dhe ato të përziera stimulativo-inhibuese.

Kur duhen bërë ekzaminimet shtesë?

Kur dyshohet në hirsutizmin idiopatik duhet të përcaktohet 5-alfa reduktaza nga lëkura e regjionit pubik. Për të vërtetuar PCOS duhet të bëhet echo-gjinekologjike. Kur dyshojmë në tumore bëhet CT (tomografia e kompjuterizuar), rezonanca magnetike.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›