E Shtunë, 31 Tetor 2026

"ID Karta", karta e fundit nën mëngën e ndryshimtarëve



Ndërkohë që qeveria shqiptare ka hedhur në tregun politik gjithë kartat e saj për të qenë në derë të Evropës dhe për të trokitur atje kur evropianët të kenë vënë pak rend "në shtëpinë që po fut ujë", majtistët e Ramës dhe mjaftistët e Erionit nuk kanë kartë më të mirë në dorë për të luajtur bllofin sesa "ID karta", si për të gjetur një casus beli për betejën elektorale, ashtu dhe për të shpëtuar veten nga kryqëzimi politik i verës që vjen. Të mbetur të vetëm dhe pa përkrahje – mjafton të shihet fotoja e tyre në mitingun e "Gërdecit" për të kuptuar gjendjen e tyre shpirtërore, të eklipsuar nga diagrama gjithnjë e në rritje e LSI – PSV’91 – mjafton mbështetja e kësaj force edhe nga një kompani obamiane, të obsesionuar nga "Demokleu" Nano që u rri me shpatë mbi shpatull edhe me heshtjen që flet vetë, të kapur në befasi nga bumerangu që pësuan me "mbërtheckat", të vënë me shpatulla pas muri nga aplikantët e dorës së vjetër që duan të mbeten në listë dhe "të rinjve", që nuk u durohet sa të shohin emrin në lista, të demotivuar edhe nga kriza financiare që nuk e virusoi Shqipërinë, e cila fatmirësisht nuk operonte me këtë sistem të tejpërparuar, të mbetur pa firomë nga znj. Pack që i vuri kapak ID kartave, të mbetur pa "fat" edhe nga reshjet e shiut që po mbushin digat e hidrocentraleve dhe nxjerrin zbuluar kanalizimet në qendër të Tiranës, Ramës dhe ventrilokut të tij, Veliaj, nuk i mbetet kartë tjetër, veçse t'i kthehen edhe një herë dokumentit të identifikimit - versioni i apdejtuar i certifikatës së 2007-s është karta ID e 2009 - e "t'i qahen hënës" se ky produkt me kosto duhet të dalë në treg pa kosto fare. Dhe kjo fjalë del nga goja e njeriu, që fjala i vlen së paku 15% mbi kosto!

Gjithkush që e njeh sadopak mënyrën se si funksion Rama me “vullnetarët” e tij, e kupton kthjelltazi sjelljen e tij dhe atë të tyre që kanë lidhur fatin e xhepit me imazhin e tij publik të Ramës. Këtë kategori nuk e ha fort meraku se po u ikën Rama, por se mund t'u ikë nga dora shansi për t'u trajtuar financiarisht me trefishin e rrogës së deputetit Paloka. Janë këta analistë-kuratorë në top të shqetësimit, në top të ankthit që i ka kapluar se "gjeli nuk do u pjellë më flori", se nuk do të kapardisen më studiove televizive me frizurën e tij, nuk do të kenë më mundësi “të bëjnë lepitkën” me presidentët në pushtet, sepse as Mejdani e as Berisha nuk aspirojnë më për President.

Për këto arsye, e këshillojnë të sillet qetë, të mos shajë e mos mallkojë, të hedhë mbi shpinën e ujkut lëkurën e qengjit që pi edhe nënën nga e majta edhe atë nga e djathta, të ndryshojë taktikë pse jo edhe strategji. T'i lëshojë pe balonës në ditët e ftohta të marsit për ta tërhequr fort në ditët e nxehta të qershorit, të durojë "100 ditët e Elbës së tij" pa i shpërthyer konfliktet me kundërshtarët e mazhorancës, sepse do t'i eksplodojnë "predhat" brenda minorancës, si në një "Gërdec" që do të shkërmoqë imazhin e tij publik - ashtu si ndodhi me Veltronin, Segolenin e Rozën - e që nuk ka të krahasuar me ç'i ngjau imazhit politik të Mediut. Vetëm kështu, kreu aktual i PS-së do të mbajë në një varkë edhe dhinë edhe tagjinë, edhe Erionin e vjetër edhe Erionin e ri, edhe Gjinushin e vjetër edhe Fidelin e ri, edhe Daden e vjetër edhe Xoxën e re, edhe Majkon e vjetruar në pushtet edhe Maklenin e dëshiruar për pushtet, edhe... edhe...

Prandaj këshilltarë-opinionistët e tij, ashtu pompozë para studiove me sfond rozë, e këshillojnë që urtë e butë të mbjellë ditët para 28 qershorit një farë, që do ta korrë 24 orë më pas: farën e revolucioneve të njëpasnjëshme të qershoreve në radhë. Dhe në këtë rast nuk do të ketë as Avni '24-re e as Rustem '97-e, por vetëm një "eureka" (lexo kartë-manipulimi), që edhe sipas Kaçit të PS-së, “vërtetohet me sinus e kosinus Kamze”. Kjo pra është karta e vetme që Rama mban nën mëngën e tij, dhe që i ka mbetur ende pa luajtur. Ndryshe, klaustrofobia* që e kaplon herë pas herë do të marrë revan, do të ndrydhet si dy vjet më parë brenda selisë dhe sektit të tij. E nuk do të ketë më Ilir që ta nxjerrë në dritë të diellit, nuk do të ketë më as TV që t'i ofrojë më kamerat. Do të njihet thjesht si një Ramë që lindi në Tiranë, u rrit në Paris, dhe u çorodit po në Tiranë. Si për t'i dhënë jetë shprehjes shkodrane "tuj u rrit e tu u çorodit, si zogu i gomarit".

Sidoqoftë, personalisht besoj se Rama nuk është një zog i tillë, që të zgjedhë për të luajtur me kartën e bllofit. Ai vlen, dhe jo pak, për të mbetur në kujtesën politike të shqiptarëve të pas '90-ës, si një ekscentrik që nxori nga “shtrati i Nilit” të majtën e tej-ideologjizuar shqiptare, duke e ndarë atë në mori përrenjsh, ku rrjedhin ndarazi ujërat e enveristëve, stalinistëve, ramizistëve, çegevaristëve, qamilistëve e qemalistëve shqiptarë. Dhe kjo nuk është pak, përkundrazi. Nga një vullnetariat në tjetrin, nga ata të Enverit tek ata të Edit, ujërat e së majtës lëvizin në drejtime të kundërta. Çka për ekspertët e ujërave ka vetëm një domethënie: kur ndryshon drejtimi i rrjedhës së lumit, prit “cunamin”.

P.S. Klaustrofilia vjen nga klaustro - murg dhe fil - i dhënë, i prirur drejt diçkaje. Prirjet që kanë disa individë për t'u larguar nga shoqëria, tendencë asociale për të qëndruar të mbyllur brenda katër mureve. Klaustrofobia: Dëmtimet e parikuperueshme që pësojnë psikologjikisht individët që nuk ia dalin mbanë të suportojnë gjendjen e izolimit, me të mbeturit i vetëm. (IL Novissimo MELZI, Linguistico, fq. 235)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›