Dëbora izolon vendin, mjaft zona me ndërprerje energjie
Vazhdon puna për zhbllokimin e disa akseve rrugore, drejtuesit e automjeteve rekomandohen të përdorin zinxhirët. Rrëzohen tri shtylla tensioni, ndërpriten sinjalet e transmetimit për disa televizione
Reshjet e dëborës kanë vazhduar sërish, duke përkeqësuar më tepër situatën e motit në vend. Akse rrugore të bllokuara, fshatra apo komuna plotësisht të izoluara nga trashësia e madhe e borës. Dendësia e borës dhe bllokimi i akseve rrugore bëri që të bllokohet për disa orë edhe një autobus i linjës Prishtinë-Tiranë. Ai ishte nisur në orën 6 të darkës nga kryeqyteti i Kosovës dhe në orët e vona të natës është bllokuar në Qafë-Mali. Mësohet se në autobus ka pasur të paktën 12 fëmijë të vegjël, çka ka shqetësuar së tepërmi prindërit e tyre. Por, edhe vetë udhëtarët e rritur nuk kanë qenë të përgatitur për një ndalesë kaq të gjatë dhe për një të ftohtë kaq të madh. Megjithatë, situata e njëjtë ka qenë në disa zona të ndryshme të vendit. Si rezultat i reshjeve të dendura të borës e të shiut që kanë vazhduar gjatë 24 orëve të fundit, ka një situatë të rënduar në disa zona të vendit e kryesisht në Qarkun e Kukësit, Qarkun e Dibrës dhe të Korçës. Gjatë natës duke u gdhirë dita e djeshme ka pasur disa automjete të bllokuara në zonën e Ulzës dhe Bulqizës. Përgjatë gjithë natës policia ka evakuuar të gjithë udhëtarët në hotele dhe ambiente private dhe disa qytetarë të sëmurë drejt qytetit të Bulqizës. Po punohet me katër borëpastruese për hapjen e rrugës Peshkopi-Burrel. Po kështu në aksin Qafë-Mali -Fierzë-Pukë-Iballë ka pasur disa automjete udhëtarësh të bllokuara. Qytetarët janë kontaktuar nga policia dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Qarkut Shkodër se ndodhen në këtë aks. Shtabi lokal i emergjencës po menaxhon këtë situatë dhe katër borëpastruese po punojnë për hapjen e rrugës. Ndërkohë, Policia e Qarkullimit Rrugor ka shtuar patrullat e saj në të gjitha akset problematike dhe u bën thirrje të gjithë qytetarëve që udhëtojnë në drejtim të Qafë-Krrabës, Qafë-Thanës, në aksin Korçë-Ersekë, në Qafën e Llogorasë, në drejtim të Qafë-Benës, aksin Qafë Mali-Fierzë-Pukë-Iballë, Shkodër-Pukë, Kukës-Has dhe Burrel-Milot, të lëvizin vetëm të pajisur me zinxhirë. Ministria e Brendshme u ka kërkuar shtabeve lokale të emergjencës të ndjekin situatën 24 orë pa ndërprerje. Sipas shërbimeve meteorologjike, dje situata e motit ka qenë e përkeqësuar, me temperatura maksimale deri në 8 gradë celsius, shoqëruar me reshje të dendura dhe të pandërprera. Sipas të dhënave paraprake, situata në veri të vendit paraqitet mjaft emergjente, pasi rezultojnë të bllokuara shumë akse rrugore dhe automjete nga dëbora e trashë dhe e dendur. Kështu, në Dibër rezultojnë të bllokuar akset e Qafë-Buallit dhe Qafë-Ulzës, ndërsa në zonat rreth tyre ka probleme në furnizimin me energji elektrike. Ndërsa në Pukë rezultojnë tre akse të bllokuara me dhjetëra makina në to, si aksi Pukë-Shkodër i bllokuar në Luf, apo ai Pukë-Fierzë, si edhe Qafë Mali-Kukës.
Situata e motit në Kukës dhe Pogradec
Reshjet e dëborës që po vazhdojnë prej dy ditësh në zonën verilindore të vendit kanë bllokuar qarkullimin e mjeteve në disa akse kombëtare, si dhe kanë izoluar disa fshatra të thella malore. Të bllokuara, sipas drejtorit rajonal të mirëmbajtjes së rrugëve, Rushit Gashi, janë akset nacionale Kukës-Shishtavec, Kukës-Peshkopi dhe Krumë-Shkatin. Ai informoi se aksi rrugor Morinë-Kukës-Qafë Shllak është i kalueshëm me zinxhirë dhe aktualisht për mbajtjen hapur të këtij aksi po punojnë 4 borëpastruese. I kalueshëm është edhe aksi Kukës-Krumë. Dëbora ka izoluar disa fshatra të komunave Zabot, Topojanë, Shishtavec, Bushtricë, Grykë Çajë, Ujmisht, Arrëz dhe Kalis, me një popullsi prej rreth 35 mijë banorë. Ndërmarrja e mirëmbajtjes së rrugëve rurale po punon për hapjen e akseve që lidhin fshatrat me qendrat e komunave. Si pasojë e motit të keq, disa shtylla të tensioni të mesëm dhe të ulët janë rrëzuar, duke lënë pa energji 3 lagje të qytetit të Kukësit dhe një pjesë të komunave Tërthoraz dhe Bicaj. Në juglindje nuk ka përmirësim të gjendjes së rrugëve. Aksi Librazhd-Qafë Thanë kalohet vetëm me zinxhirë. Policia Rrugore ka ndaluar kalimin e tonazheve të rënda dhe ka lejuar vetëm kalimin e autoveturave. Kurse aksi Qafë Thane-Ohër për paraditen e djeshme ka qenë i bllokuar dhe gjatë ditës është punuar për hapjen e tij.
Koha e keqe ndërpret energjinë në vend
Moti i keq solli edhe shkëputjen e energjisë në disa rrethe të vendit. Verilindja e vendit është prekur më shumë nga defektet në rrjetin elektrik, ku qytete si Peshkopia, Bulqiza, Burreli, Rrësheni, Klosi, zona e Gollobordës përveç borës së madhe po përballen edhe me mosfurnizimin me energji elektrike. Energjia ka bërë që të ndërpritet puna në shumë biznese në këto rrethe, por gjendja më alarmante paraqitet në spital e maternitete. Mungesa e energjisë jo vetëm ka ndërprerë operacionet, por ka shtuar edhe të ftohtin në dhomat e të sëmurëve. Energjia mungon edhe në jug, veçanërisht në rrethin e Vlorës. Bëhet e ditur se Radhima, Orikumi, Kuçi e Himara kanë pasur ndërprerje të energjisë gjatë orëve të para të mëngjesit. Bora ka shkaktuar defekte në rrjetin elektrik edhe në Bilisht në juglindje të vendit. Pa energji është dhe zona e Divjakës. Moti i keq nuk kurseu as kryeqytetin, ku si shkak i stuhisë e shiut tre shtylla të tensionit të lartë në Dajt janë rrëzuar në greminë dhe kanë mbetur pa drita fshatrat Shën Gjergj e Zallbastar. Ndërprerje të shpeshta të energjisë ka pasur edhe në Tiranën e Re, veçanërisht te “Komuna e Parisit”.
Moti i keq, rrëzohen tri shtylla transmetimi në Dajt
Moti i keq, plot erë dhe stuhi, në 24 orët e fundit ka sjellë ndërprerjen e transmetimit për shumë televizione në vend. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) bëri të ditur se shkak është bërë rënia në greminë e 3 shtyllave të tensionit të lartë që ndodheshin në malin e Dajtit. Sipas të njëjtit burim, si pasojë kanë mbetur pa energji Shëngjergji dhe Zallbastari, ku ndodhen edhe antenat e televizioneve. Aktualisht shqiptarët mund të ndjekin vetëm 4 televizione, “News24”, “Top Channel”, TVSH dhe “Alsat”. Stacionet e tjera televizive kanë ndërprerë transmetimet prej disa orësh dhe presin të rregullohen defektet. Por, OSSH bën të ditur se rivendosja e shtyllave përfundon vetëm ditën e hënë. Ndërkohë pa energji këto dy ditë do të mbeten edhe banorët e Shëngjergjit dhe Zallbastarit.
Bulqizë, përmbytet miniera
Reshjet e dendura dhe të rrëmbyera të shiut gjatë 24 orëve të fundit kanë përmbytur edhe minierën famëkeqe që Bulqizës. Minatorët e zonës së Bulqizës janë ndaluar të hynë në galeritë e nëntokës, pasi uji kishte mbuluar jo vetëm oborrin, por edhe tunelet e brendshme. Drejtori i minierës së kromit, Petrit Duva, deklaroi se miniera ndodhet në rrezik për shkak të shirave nëntokësore. “Pompat e ujit nuk mund të thithin ujin që ka depërtuar në thellësitë e galerive”. Miniera ndodhet në rrezik paralajmëron drejtori Duva. Mbi 20 persona kanë gjetur vdekjen në galeritë e minierës si shkak i shembjes së masave të dheut në tunele. Shumë minatorë janë aksidentuar, ndërsa shumë të tjerë shprehen se punojnë me frikë në minierën e Bulqizës. Tanimë që ujërat kanë vërshuar, në minierë nuk dihen masat e fundit që do të jepen rreth vendit të vetëm të punës për banorët e zonës së Bulqizës.
Krujë, përmbyten 7 fshatra
Në Krujë kanë vërshuar përmbytjet si pasojë e shirave që ranë dje gjatë gjithë 48 orëve të fundit. Nga reshjet janë përmbytur tokat në 7 fshatrat Borizan Derven, Gramëz Bilaj, Murqin, Mallkoc, Mazhë, Ishëm e Zhurica.
Qafë-Kërraba e bllokuar nga bora, dhjetëra automjete në radhë
Aksi kryesor që lidh Tiranën me Elbasanin, Qafë-Kërraba, këtë mëngjes rezulton e bllokuar nga bora. Ky aksi është shumë i qarkullueshëm nga automjetet, ku shumë prej tyre kanë mbetur të bllokuara që nga dita e djeshme në borë. Sipas burimeve, bora ka arritur trashësinë 30 cm dhe punonjës të drejtorive rajonale të rrugëve po punojnë vazhdimisht për ta hapur rrugën. Në ndihmë të tyre kanë mbërritur edhe forca të ushtrisë. Mes pasagjerëve që udhëtojnë ka shumë studentë, fëmijë e të moshuar.
Situata e motit në Gjirokastër
Si pasojë e reshjeve të dëborës, të rëna gjatë natës në lartësi, në aksin rrugor Gjirokastër-Sarandë në vendin e quajtur Qafa e Muzinës, lëvizja gjatë natës është bërë me zinxhirë, ndërsa pasditen e djeshme lëvizja është bërë pa zinxhirë. Ky aks është i mbuluar me shërbime të policisë së qarkullimit rrugor të Komisariatit të Policisë Gjirokastër gjatë 24 orëve. Megjithatë, rezulton të jetë e bllokuar Komuna Zagori e rrethit Gjirokastër, ku trashësia e dëborës ka arritur deri në 35 centimetra. Rruga rurale nga Gjirokastra deri në qendër të Komunës Pogon të rrethit Gjirokastër është e hapur, ndërsa midis fshatrave të kësaj komune është e bllokuar si pasojë e trashësisë së dëborës deri në 20 centimetra. Ndërsa në rrethin e Tepelenës është bllokuar Komuna e Kurveleshit, si pasojë e reshjeve të dëborës të rëna gjatë natës dhe po vazhdojnë ende, ku trashësia e dëborës ka arritur mbi 50 centimetra (50-55 centimetra). Komuna e Lopësit dhe e Buzit janë të hapura, lëvizja bëhet pa zinxhirë, pasi gjatë natës kanë rënë reshje shiu dhe dëbora ka shkrirë.