Histori çnjerëzore në Dibër, dy motra të lidhura me zinxhirë prej 22 vjetësh
DIBËR - Dy vajza me probleme mendore jetojnë në kushtet e kafshërisë në Maqellarë të Dibrës. Motrat Thellenxa dhe Fidane Keshi mbahen të lidhura me zinxhir prej 22 vjetësh, për shkak të pamundësisë së të familjes për ti trajtuar si njerëz.
Dy femrat, 45 dhe 46 vjeçare, nga fshati i thellë i Dibrës kanë probleme mendore dhe shihen si rrezik për shoqërinë. I ati thotë se nuk ka pasur mundësi të ndjekë spitalet për shërimin apo përmirësimin e shëndetit të tyre duke gjetur zgjidhjen më të shkurtër lidhjen me zinxhir.
Nëna iu ka vdekur prej vitesh, duke i lënë në mjerim dhe rrënim dy vajzat tashmë në moshë të madhe. I ati Dine Keshi, thotë se ato janë agresive dhe përbëjnë rrezik për bashkëfshatarët ndaj i mban të lidhura. Sipas tij kushtet ekonomike dhe largësia me qytetin e kanë detyruar të mbajë fëmijët e tij lidhur me zinxhir.
Vajzat edhe pse me shqetësime mendore nuk kanë marrë asnjëherë mjekim, ndërsa gjendja e tyre përkeqësohet çdo ditë.
Ky është rasti i dytë, i sjellë nga mediat ku një njerëzit e sëmurë mendorë mbahen të lidhur me zinxhir. Pak dite me pare u publikua historia e një 26-vjeçari nga një fshat i Fierit, i cili prej tre vitesh mbahej i lidhur me zinxhirë pasi konsiderohej rrezik për komunitetin. Pas denoncimit ai u çua në psikiatri.