E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri nuk ndryshon qëndrim për kërkesat e opozitës

TIRANË - Kryeministri, Sali Berisha deklaroi dje gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, se qeveria që ai drejton po bën përpjekje për të bërë të mundur liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian, në hapësirën Shengen brenda vitit 2010. Por, sipas kreut të ekzekutivit, kjo nuk mund të arrihet pa kontributin e opozitës.


Ai bëri thirrje që opozita të marrë pjesë në realizimin e këtij procesi, duke qenë e pranishme në Kuvend. Sipas tij, ky është një proces ku kërkohet gjuha e përbashkët politike midis mazhorancës dhe opozitës, pasi liberalizimi i vizave është në interes të të gjithë shqiptarëve.


"Është edhe një herë rasti që të ftoj opozitën, të marrë rolin dhe misionin e saj në këtë proces historik, sepse vërtetë realizmi i aktit të heqjes së vizave për shqiptarët dhe lëvizja e tyre në mbarë Evropën e Bashkuar pa viza, është një arritje historike, jo vetëm kombëtare, por dhe individuale për çdo qytetar shqiptar.


Është një shans i ri i madh për të gjetur konsensusin e bashkëpunimit për projekte kaq madhore për Shqipërinë dhe shqiptarët", - u shpreh Berisha. Por, përpos ftesës publike të drejtuar opozitës, kryeministri Berisha nuk i ka ndryshuar asnjë presje qëndrimit të tij të mëparshëm.


Pra, mazhoranca nuk do të pranojë kërkesën kryesore të opozitës për hapjen e kutive të votimit, duke e bërë akoma më të vështirë mundësinë e gjetjes së një kompromisi mes palëve, që do të mundësonte edhe zhbllokimin e krizës politike në vend, aq shumë të kërkuar edhe nga ndërkombëtarët.


Kryeministri ka pranuar edhe kritikën e ardhur nga Komisioni Evropian, sipas të cilit, pajisja e një numri shumë të vogël të qytetarëve shqiptarë me pasaporta biometrike, ka ndikuar në procesin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë. "Në vendimin e Komisionit Evropian, siç është bërë e qartë edhe publikisht, ka pasur një ndikim të qartë numri tepër i vogël i pajisjes së qytetarëve me pasaporta biometrike.


Unë kam kënaqësi t'ju informoj ju se deri më tani aplikimet për pasaporta biometrike janë 231 725, nga të cilat janë prodhuar dhe shpërndarë në rajonet e policisë 223 545 dhe janë tërhequr nga shtetasit rreth 180 000", - pohoi Berisha.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›