E Diel, 1 Nëntor 2026

Histori dhe tradita çame në Muzeun Kombëtar

Gatime tipike çame, ofruar nga amvisat, një ekspozitë historiko-kulturore dhe vargje të recituara nga aktori Reshat Arbana, kanë qenë aktivitetet organizuar në ditën e traditës çame, që i paraprijnë 17 qershorit, ditës së kujtesës së tragjedisë çame

Histori, traditë, trashëgimi, kulturë e përcjellë deri në ditët e sotme. Një varg stendash, përmes imazheve, por edhe teksteve, japin një histori të përmbledhur të çamërisë. Ekspozita është çelur dje në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Njëkohësisht, e konsideruar si dita e traditës çame, aktiviteti i pasdites së djeshme ka përfshirë edhe elemente të kulinarisë. Amvisat çame kanë ofruar për të pranishmit gatime tipike të tyre, duke sjellë në këtë mënyrë jo vetëm larminë e kësaj kulinarie, por edhe një traditë që vazhdon të ruhet edhe sot në familjet çame. Këto aktivitete i paraprijnë në mënyrë të natyrshme 27 qershorit, ditës së kujtimit të gjenocidit grek ndaj popullsisë çame. “çamëri, pasojat e gjenocidit grek”, kështu titullohet një prej stendave që tregon njerëz të përvuajtur të shpërngulur nga vendet e tyre me dhunë. Por në një lexim njëra pas tjetrës, në këto stenda lexon një histori të ndritur të kësaj zone. Ekspozita përfshin elementë të rëndësishëm që kanë të bëjnë me figura të shquara të krahinës, kontributin që kjo krahinë dhe personalitete të saj kanë dhënë në historinë e Shqipërisë, gjejmë rite e tradita, por edhe veshje tradicionale. Aktori Reshat Arbana, i ftuar edhe më herët në aktivitete të organizuara nga komuniteti çam, ka lexuar vargje poezish të shkrimtarëve me origjinë nga çamëria. “Ky aktivitet, i quajtur ‘Dita e trashëgimisë çame’, realizohet në kuadrin e 27 qershorit, ditës së kujtimit të gjenocidit grek ndaj kësaj popullsie, e do të pasohet me Festivalin e Këngës dhe Valles çame që nis nesër në Sarandë, organizuar nga Shoqata Patriotike çamëria, në bashkëpunim me Unionin Artistik të Kombit Shqiptar. Nata e fundit e këtij festivali përkon me datën e përkujtimit të tragjedisë së popullsisë çame”, shprehet Ardian Tana, kryetar i Shoqatës çamëria. Po në këtë ditë që i kushtohet kujtimit të viktimave të shumta të popullsisë çame, të detyruar të shpërngulen më 27 qershor të 1944-s, shoqata patriotike “çamëria”, organizon për të pestin vit një pelegrinazh nga Saranda drejt Qafë-Botës për të parë varrezat masive ku janë varrosur ata që nuk i shpëtuan dot sëmundjeve, urisë gjatë kalimit nëpër fushat e Konispolit pas shpërnguljes nga shtëpitë e tyre. Sipas Tanës, në këto varre do të vendosen tufa me lule në kujtim të viktimave të shovinizmit grek.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›