Filote: Media, kontroll mirëqeverisjes
Rastit ku një vendim i gjykatës shqiptare për gjobitjen e “Top Channel” i është bërë jehonë në mediat ndërkombëtare. Ky lajm i është paraqitur edhe Bashkimit Europian, si pjesë e raportit mbi median që i është dërguar Brukselit nga përfaqësitë diplomatike në Tiranë. Angela Filote, zëdhënëse e komisionerit për Zgjerimin, Shtefan Fyle, e pyetur nga korrespondentja e “Top Channel”, Arta Tozaj, mbi vendimin e fundit të gjykatësit Agim Bendo në Tiranë, tha se liria e medias është shtyllë e mirëqeverisjes dhe llogaridhënies. “Ju falënderoj për këtë pyetje, pasi është një mënyrë për të treguar se sa e rëndësishme është liria e medias. Ajo është shtyllë e lirisë. Nga ana tjetër, gjykatat duhet të jenë të pavarura dhe efikase”, ka deklaruar Filote. Sipas saj, liria e medias dhe pavarësia e gjyqësorit janë kritere kyçe, që duhen plotësuar për të arritur anëtarësimin në Bashkimin Europian. “Vendet anëtare u shprehën pro zgjerimit, por duke respektuar lirinë e gjyqësorit dhe medias”, ka shtuar zëdhënësja. Brukseli ka tashmë në dorë një raport të përfaqësive diplomatike mbi median, ku përfshihet edhe vendimi i gjykatësit Agim Bendo ndaj “Top Channel”.
Jehona në mediaNjë lajm i keq përhapet më shpejt se një lajm i mirë. Kështu ka ndodhur edhe me lajmin ku një vendim i gjykatës dënoi televizionin më të madh në Shqipëri me 400 mijë euro gjobë, për transmetimin e një videoje ku dukej qartë abuzimi me detyrën i një ish-ministri të qeverisë. Përveç mediave europiane, jehonë i kanë dhënë këtij lajmi edhe ato aziatike. Kina, Tajvani, por edhe të tjera site në Kontinentin Aziatik, nuk kanë harruar të përcjellin esencën e lajmit që ka të bëjë me një vendim i cili është kontestuar nga organizatat ndërkombëtare të gazetarëve. Në agjencinë “Taivannews” shkruhet: “Një organizatë e mediave e dënon si të tepruar gjobën 400000 euro (491000 USD), vënë një stacioni televiziv shqiptar, që ka transmetuar një video ku paraqitej një zyrtar i qeverisë duke i kërkuar aplikantes për punë që të zhvishej para tij. Gjykata ngarkoi me përgjegjësi televizionin ‘Top Channel’, sepse shfaqi një video ku tregohej ish-ministri i Kulturës, Rinisë, Turizmit dhe Sporteve, Ylli Pango, i cili i kërkonte një vajze që kërkonte punë, të zhvishej për të parë nëse ajo ishte e përshtatshme për këtë punë. Pango u shkarkua menjëherë pas këtij publikimi, por ai bëri një padi në gjykatë ndaj këtij stacioni televiziv. Organizata e Medias për Europën Juglindore, me qendër në Vjenë, e cilësoi gjobën si të tepruar dhe si shkelje të qëllimit për dhënien e informacionit që është në interes të publikut. Shtypi i pavarur në Shqipëri ankohet se ndaj tij merren shpesh sulme me motive politike”.
Po ashtu, në agjencinë “China economic”, e cila iu referohet mediave vendase, shkruhet: “Një televizioni shqiptar iu vu një gjobë e konsiderueshme, e tepruar dhe e papranueshme, pasi kishte denoncuar një skandal seksual. Në një klip të transmetuar në mars të vitit të kaluar nga ky televizion, tregohet ish-ministri i Kulturës, Ylli Pango, duke i kërkuar favore një vajze që shkoi tek ai për të kërkuar një punë. Pango u shkarkua 30 minuta pas transmetimit, dhe ai e paditi televizionin, duke thënë se gjithçka ishte e montuar. Një gjyqtar në Tiranë ka vendosur ta shpallë regjistrimin si të marrë në mënyrë të paligjshme dhe për këtë arsye stacioni televiziv duhet të paguajë dëmet”. Më pas agjencia i referohet deklaratës së Organizatës së Medias për Europën Juglindore, që është shprehur e habitur me vendimin e gjykatës, dhe se ai ishte një vendim i papranueshëm, që përbënte një shkelje serioze të lirisë së mediave.
Shkrimi i gazetës londinezePasqyrimin e këtij lajmi e gjen edhe në mjaft agjenci europiane dhe ballkanike. Më parë ishte gazeta prestigjioze, “The Guardian”, ajo që i kushtoi një shkrim të veçantë gjobës së vënë për “Top Channel” nga Gjykata e Tiranës javën e shkuar. Korrespodenti i “Top Channel”, Muhamed Veliu, raportoi nga Londra se në “The Guardian” shkruhej: “Gjobitet televizioni shqiptar që ekspozoi ministrin, i cili kërkonte seks”. Me këtë shkrim gazeta prestigjioze informonte lexuesit britanikë, se si një gjykatë shqiptare vendos një gjobë marramendëse ndaj një televizioni që zbuloi skandalin. “Televizioni shqiptar, ‘Top Channel’, është gjobitur me 400 mijë euro, pasi ka transmetuar filmime ku shikohet një ish-ministër duke i kërkuar favore seksuale një vajze të re, në këmbim të një vendi pune. Gjoba vjen pasi një gjykatës vendosi se filmimet janë siguruar në mënyrë ilegale dhe kështu televizioni duhet t’i paguajë ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pango, dëmshpërblimin”. “The Guardian”, në vazhdim të shkrimit, përmend se programi investigativ, “Fiks Fare”, tregoi zotin Pango së bashku me një aplikante për punë në vilën e tij, duke i kërkuar asaj të zhvishej, në mënyrë që ai të shikonte nëse ajo ishte e përshtatshme për një punë në sektorin e turizmit. Kjo gazetë britanike rikujtonte faktin se Kryeministri shqiptar, menjëherë pas transmetimit të filmimeve, pushoi nga puna Pangon, ndërkohë që ky i fundit ngriti pretendimin se ishte viktimë e një investigimi mediatik.
#