Ministri Pango: “Pezullimi nga FIFA? Nuk e jap dorëheqjen”
Dash Frashëri
“Unë them se në organizmat ndërkombëtarë (FIFA dhe UEFA) punojnë e veprojnë njerëz të arsyeshëm”, - tha ministri i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, gjatë konferencës më të mediatizuar të tij. Me një urim diplomatik drejtuar gazetarëve “atëherë, mirë se keni ardhur”, ministri i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, synoi të shpjegonte post-situatën pas pezullimit të Shqipërisë nga FIFA. Gjithsesi, në përgjigje të një pyetjeje të gazetarëve për një dorëheqje të mundshme nga posti i ministrit, Pango u përgjigj kategorikisht: “Është një pyetje që më duket pa kuptim. Në rast se ne zbatojmë ligjin, nuk shkelëm asnjë ligj të shtetit shqiptar, më duket e habitshme të bëhet një pyetje e tillë. Nëse e konsideroni mëkat që i kemi shtuar statutit (të FSHF-së) ‘konform legjislacionit shqiptar’, atëherë unë do ta merrja në konsideratë”.
“4-5 fjalë”
“Ka shumë mundësi që kur të komunikojmë sërish, atëherë ata do të kuptojnë që ne kemi zbatuar ligjin një për një, por dhe statutin e FIFA-s dhe UEFA-s, pasi dhe firmosja e statutit të FSHF-së është në respekt të këtyre organizmave”, - shtoi Pango. “Kam firmosur një statut që nuk është firmosur prej asnjë nga ministrat paraardhës, përfshirë dhe ata që qeverisë socialiste. Pra dëshira nuk më ka munguar. Statutit i kemi shtuar vetëm 4-5 fjalë dhe mendoj se statuti nuk përbën pretekst. Ne jemi shtet sovran dhe zbatojmë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare, por dhe legjislacionin tonë”.
“PEZULLIM, JO PËRJASHTIM”
“E organizojmë këtë konferencë shtypi për të bërë të ditur qëndrimin zyrtar të ministrisë në lidhje me pezullimin (nga FIFA), e theksoj pezullimin për një afat të pacaktuar”, - tha Pango përballë një interesimi shumë të madh të mediave elektronike dhe shtypit. “Konform rregullores së legjislacionit përkatës së FIFA-s, pezullimi bëhet nga Komiteti Ekzekutiv, kurse përjashtimi, meqenëse disa media kanë përmendur termin përjashtim, merret me vendimin e 3/4 të anëtarëve të Kongresit të FIFA-s. Tani për tani është vetëm pezullim. Kjo nuk do të thotë që ne nuk e kemi vlerësuar situatën”, - tha jo pa e fshehur shqetësimin Pango.
“QËNDRIMI ZYRTAR”
“Qëndrimi unë zyrtar është ky. Përpara një ose dy javësh presidenti i Federatës (Duka) është shprehur i kënaqur me firmosjen e statutit nga ana ime. Këtë mund ta lexoni në mediat përkatëse. Statuti është firmosur faqe për faqe, më përjashtim të Nenit 60, që korrekton Nenin 53”, - theksoi ministri, që e ilustroi atë duke e treguar për median një ekzemplar origjinal të tij.
PUBLIKIM NDËRKOMBËTAR
“Theksoj se për pikën e parë (firmosjen e statutit), që është mjaft e rëndësishme, ne e kemi firmosur faqe për faqe. Statutit i kemi shtuar vetëm 4-5 fjalë, dhe mendoj se statuti nuk përbën pretekst, edhe auditi është drejt përfundimit dhe sipas rregullores nuk përbën ndonjë problem, pasi po mbaron. Kur të mbarojnë të gjitha këto ne do t’u drejtohemi në respekt të gjithë sportdashësve shqiptarë, opinionin publik shqiptar, t’u drejtohemi FIFA-s dhe UEFA-s, që të anulojë pezullimin, bazuar në faktin se dhe statuti është firmosur, edhe auditi përfundon me rezultatet që do t’i gjykojnë ata dhe opinioni publik ndërkombëtar nëse janë apo nuk janë të drejta. Nuk mund të flas përpara kohe për rezultatet e auditit, por ju (gazetarët) mund të shkoni e të interesoheni te Drejtoria e Audidit në Ministrinë e Financave.
TRUKIMI I NDESHJEVE
“Përsa i përket problemit të tretë, që ka të bëjë me dyshimet tona për shitje ndeshjesh, e theksoj edhe njëherë se ne i jemi drejtuar seksionit përkatës së FIFA-s për të mbledhur informacione e hetuar në bazë të raportimeve. Nuk u kemi thënë se po u japim këto të dhëna. Nëse ata e gjykojnë se nuk ka prova, ne këtë pikë nuk e kemi ngacmuar më tej.
Ndryshimi në Nenin 60
“Federata Shqiptare e Futbollit dhe anëtarët e saj janë pronarët origjinalë të të gjitha të drejtave që dalin nga garat dhe ngjarjet e tjera nga juridiksioni respektiv i tyre pa asnjë kufizim në përmbajtje kohë dhe ligje”, - citoi Pango nenin ku është bërë edhe ndryshimi. “Unë si ministër dhe si ligjvënës kam bërë vetëm një shtesë, konform legjislacionit shqiptar në fuqi. Është e vetmja shtesë përfaqësues të medias, i vetmi ndryshim që kam bërë duke reflektuar edhe tolerancën time maksimale për të firmosur statutin pas kërkesave të FSHF-së. Unë besoj se dhe me mirëkuptimin tuaj (gazetarëve), që të shtosh fjalën ‘konform legjislacionit shqiptar në fuqi’ është një respekt për shtetin tënd, për qeverinë, parlamentin, që është ligjvënës, por dhe për Federatën Shqiptare të Futbollit, që është gjithashtu pjesë e këtij vendi.
Duka, i kënaqur
“Po e them hapur që presidenti i Federatës është shprehur i kënaqur edhe me këtë ndryshim. Mbas kësaj, meqenëse auditi i kontrollit të Financave ka vazhduar punën e tij, presidenti (Duka) i është rikthyer prapë statutit”, - tha Pango. “Unë jam i hapur përsëri, por them tani zgjidhja e problemit vjen nga Federata. I vetmi nen i ndryshuar mund të aprovohet në mbledhjen e Asamblesë së FSHF-së, e cila bëhet një herë në vit. Mbledhjen e këtij viti ata mund ta bëjnë pasi nuk e kanë bërë ende. Në statutin e FSHF-së thuhet se ‘mbledhja bëhet një herë në vit brenda 6-mujorit të par뒔.
KËSHILLA E MINISTRIT
Pango dha edhe një këshillë: “Ata (FSHF) të mbledhin Asamblenë dhe ndërkohë i vetmi ndryshim që do të aprovohet do të jetë Neni 60, korrigjimi i nenit 53, ku është shtuar togfjalëshi ‘konform legjislacionit shqiptar në fuqi’. Nuk e kuptoj pse ky ndryshim është kaq i dhimbshëm për Federatën Shqiptare të Futbollit. Asambleja mund të ishte mbledhur, pasi unë e kam firmosur statutin këtu e një muaj më parë, pra kanë pasur kohë ta mbledhin. Më falni, por t’i imponosh shtetit shqiptar të mos vërë vetëm këtë togfjalësh ‘konform legjislacionit shqiptar në fuqi’ mua më duket e papranueshme dhe nuk do të kishim respekt për veten dhe legjislacionin”.
VAZHDON AUDITI
“E dyta, në lidhje me auditin. Është në përfundim. Rezultatet e auditit, që e organizon Ministria e Financave do t’u bëhen të ditura UEFA-s, FIFA-s dhe gjithë opinionit kombëtar dhe ndërkombëtar. Nëse presidenti i Federatës do të dalë i pastër nga ky audit, ne kemi bërë vetëm detyrën sipas rregullave dhe ligjeve të shtetit shqiptar. Ne kontrollojmë vetëm fondet që vijnë nga shteti shqiptar dhe vetëm ato të ardhura që nuk lidhen me FIFA-n dhe UEFA-n. Asnjë nga financimet e FIFA-s dhe UEFA-s nuk është kontrolluar dhe e them këtë me përgjegjësi të plotë. Rezultatet e auditit, meqenëse ai përfundon, pasi t’u dërgohen institucioneve përkatëse, por dhe FIFA-s e UEFA-s për t’u gjykuar prej tyre, brenda kompetencave të tyre.
17 Mars 2008