E Shtunë, 31 Tetor 2026

Histori me gardhe në det

Në Shqipëri, për fat të keq, të paktën prej 20 vjetësh nuk është lajm i pazakontë që dy vëllezër të vrasin njëri-tjetrin për
gardhin që i ndan. Gjithashtu, nuk ndodh rrallë që dy vëllezër, bij të së njëjtës nënë, të rrëmbejnë kallashnikovët për të vrarë njëri-tjetrin në sherr për kokrrat e një mani që rrënjët i ka në pronën e njërit dhe degët i zgjat në pronën e tjetrit. Kaq shpesh ndodhin gjëma të tilla tragjike, sa nuk bëjnë më përshtypjen e tmerrshme që në fakt duhet të shkaktonin.

Në Ballkan ende sot, si dhe në Evropën e djeshme përpara bashkimit të saj, çdo pëllëmbë tokë e diskutueshme në kufi, ishte shkak i mjaftueshëm për luftë dhe një det gjaku mes shtetesh. Fatmirësisht, kjo është një kohë e mbetur larg, pronë e historisë dhe shpresë për mosripërsëritje kurrë më të saj.

Shqipëria e sotme kozmopolite ka ndryshuar. Në fakt, nuk ka ndryshuar shqiptari i thjeshtë që vret për gardhin e fjalën; ka ndryshuar politika e saj zyrtare që është bërë si prej gome të epshme ngjyra-ngjyra në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare. Nga zulmet qesharake të diktatorit Enver Hoxha për forcë e luftë kundër gjithë armiqve të jashtëm, deri në brekëzbathjen e mirësjelljen servile nga pozita të pabarabarta me partnerët e sotëm ndërkombëtarë të pasardhësve të tij. Qoftë ky ish-komunisti Fatos Nano, qoftë ish-komunisti tjetër Sali Berisha.

Në të paktën njërin prej akteve më të rëndësishëm politikë, ekonomikë, juridikë, moralë e historikë, siç është marrëveshja e ndarjes së kufirit detar me fqinjin tonë jugor, Greqinë, politika zyrtare e Tiranës ka bërë një qasje mediokre, servile e të pabesë ndaj shtetasve të saj. E dukshme kjo është në formë, se për përmbajtjen kjo është diçka tjetër, që mbetet për t´u verifikuar. Në 23 gusht të vitit 2007, kryeministri Berisha urdhëron ngritjen e grupit të punës që do të merrej me këtë çështje. Në shtatë prill të një viti më pas, në përvjetorin e 69-të të ditës së pushtimit të vendit nga Italia fashiste, kryhet takimi i parë shqiptaro-grek. Dhe, në 27 mars 2009, firmoset marrëveshja e përbashkët që përcakton se ku mbaron deti shqiptar dhe ku fillon ai grek. Një proces negociatash, që teorikisht është nga më të vështirët për t´u realizuar në praktikë, por që përfundon në një kohë rekord në nivel planetar; edhe vende që nuk kanë mes tyre një trashëgimi të trazuar si ajo shqiptaro-greke, të cilat ndahen madje dhe nga një ligj arkaik lufte mes tyre, kanë shpenzuar shumë e shumë vjet për të bërë një gjë të tillë. Ndoshta rasti ynë është fatlum dhe ndarja e pronës me fqinjin është bërë në mënyrë të drejtë e matematike sipas ligjeve ndërkombëtare. Kjo është sërish një çështje që mbetet për t´u verifikuar dhe dhëntë Zoti të jenë gabim kritikët e marrëveshjes! Por, nëse ka një gjë që është e sigurt në gjithë këtë histori me “tradhtarë” dhe “patriotë”, me shitës të një “malli” që nuk është i tyri, ku trazohet e shkuara dhe e nesërmja, e sigurt në këtë histori është mungesa fatale e transparencës nga pala shqiptare për atë që nisi të bëhet, mënyrën sesi u bë dhe rezultatin që nxori. Në Tiranë, lajmi për atë që po ndodhte me detin erdhi nga Athina. Më pas, një debat i gjerë në shtyp, i pozuar për herë të parë në revistën “MAPO” vetëm si lajm, por ndjekur fort kryesisht nga “Gazeta Shqiptare”, tashmë ka bërë pjesë të saj jo vetëm gjeografë e ushtarakë, por dhe historianë, dhe sidomos politikanë. Ndonëse me vonesë, opozita bëri kauzë të saj një nga çështjet më të mprehta në Shqipërinë e postdiktaturës dhe nisi edhe betejën ligjore për zbardhjen e së vërtetës. Në këtë moment, të gjithë aktorët dhe faktorët e përfshirë, janë të mjaftë për të krijuar përzierjen e nevojshme eksplozive që nga e shkuara të kujtohet direkt Ahmet Zogu që fali Shën Naumin si ta kishte pronë të bajrakut të tij në Mat, e deri tek Sali Berisha që sot akuzohet për cenim të tërësisë territoriale të vendit.

Shqiptarët që nuk e kanë për gjë të madhe të vriten për gardhin mes tyre, sot janë përpara dilemës: është falur apo jo një sipërfaqe deti në kufirin ujor mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë. Qeveria thotë jo, media, një pjesë e shoqërisë civile dhe e politikës, dyshon të kundërtën. Marrëveshja në thelb është shumë teknike dhe mjaft e vështirë për t´u kuptuar nga joprofesionistët, por mungesa e transparencës është një shkak i mjaftueshëm që mbi të, të ketë komente të përkundërta. Të cilat, përcaktojnë as më pak dhe as më shumë identitete patriotësh dhe tradhtarësh.

Ka vetëm një shans për momentin; të lihet koha e nevojshme për transparencë totale dhe shteruese të marrëveshjes. Sa kohë që dhe një shqiptar i vetëm, gjaknxehtë nga natyra apo gjakftohtë si përjashtim nga rregulli nuk është i qartë, Kuvendi i Shqipërisë duhet të presë dhe të mos ngrejë kartonin pro a kundër marrëveshjes. Madje, përtej të gjitha barrikadave politike, kjo marrëveshje është një nga ato raste të rralla në jetën e një kombi që do të duhej të votohej nga të gjithë parlamentarët, pavarësisht ngjyrave të tyre dhe vetëm në unanimitet. Dhe, kjo do të ndodhte kur të provohej pa mëdyshje që brenda kufirit tonë nuk ka asnjë govatë me ujë “grek” dhe anasjelltas, të mos kemi dhënë asnjë govatë me “ujë” shqiptar për fqinjin, më shumë sesa përcakton e drejta ndërkombëtare.

Tashmë që Ahmet Zogu është arshivuar një herë e mirë në listën palavdi të atdheshitësve, do të ishte jo e këshillueshme politikisht e kushtetutshmërisht për Berishën t’i bashkëngjitej Zogut në të njëjtën listë. Sepse, rasti i Shën Naumit dëshmon se në atë listë mund të hysh, por është e pamundur të dalësh! Është në interesin e kryeministrit, më së pari, që këtë vendim delikat ta mbajnë mbi vete sa më shumë shpatulla të djathta dhe të majta.
Të enjten, ministri i Mbrojtjes shpjegoi për shumë orë e me durim bindjen e tij për drejtësinë e vendimit të qeverisë përpara një paneli gazetarësh. Një ditë më pas, të njëjtën gjë e bënë dhe një pjesë e grupit negociator shqiptar. Ministri i Jashtëm është prej ditësh një nga avokatët e marrëveshjes, ndërsa dje ishte opozitari që bënte një nga akuzatorët kryesorë të saj.

Do të ishte mirë që qeveria shqiptare të sqaronte në detaje marrëveshjen, pavarësisht sa kohë do të nevojitej, me të gjithë shqiptarët. Për punë të mira ka gjithmonë kohë, vetëm punët e liga bëhen me ngut. Dhe, çdo dyshim, qoftë dhe i paarsyeshëm në rastin më të mirë, në kushte të tilla, shkon direkt kundër qeverisë, aq më tepër kur ajo drejtohet nga Sali Berisha, i cili jo rrallë është akuzuar për punë të liga. Aq më shumë në Shqipëri, ku historitë me sherr për gardhe janë kaq aktuale dhe ku është fare e lehtë të zënë fill historitë me tradhtarë. Që në fakt, nuk na i kanë munguar kurrë këtij vendi. Edhe atëherë kur mbanin veshur mantelin drithërues të patriotit.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›