Ku varet fati i betejës sonë

Fatin e kësaj beteje nuk e dikton dot një pushtet i korruptuar dhe korruptues, që buron nga vjedhja e votës së popullit dhe që nuk e shmang dot përballjen me të vërtetën. Fatin e kësaj beteje do ta diktoj e drejta që kemi me vete, e drejta që ka populli për tu ngritur në këmbë, kur ligji shkelet me këmbë
Nga Edi Rama
Kryetar i PS* (Foto: Edi Rama në fjalimin e sotëm; NOA/LSA)
Dëshiroj të shpreh falënderimet e mia më të ngrohta për të gjithë qytetarët e qytetaret e Qarkut të Beratit, që mbrëmë ju përgjigjën masivisht ftesës së opozitës, për tiu bashkuar protestave popullore për transparencën e 28 qershorit përmes hapjes së kutive të votimit dhe plotësimit të kërkesave të parashtruara nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste.
Nisur nga evenimenti i djeshëm që është pjesë e asaj vazhde protestash që do të shkojnë duke u intensifikuar dhe shtrihen në të gjitha qytetet e Shqipërisë, dëshiroj të rivendos theksin te fakti se fati i kësaj beteje nuk është në duart e atyre që na detyruan të kushtëzojmë marrëdhënien me Parlamentin dhe të dalim në rrugën e protestave popullore. Fati i kësaj beteje nuk varet nga dëshira apo vullneti i Kryeministrit pa legjitimitet, i cili më kot e fton opozitën të vij në Parlament, nëse nuk i jep popullit opozitar të drejtën të hap kutitë dhe të shoh votën e 28 qershorit. Fati i kësaj beteje varet nga kurajë jonë për të luftuar për lirinë e votës dhe barazinë përpara ligjit dhe nga vendosmëria jonë për të mos u tërhequr përpara çdo lloj presioni dhe padrejtësie.
Fatin e kësaj beteje nuk e dikton dot një pushtet i korruptuar dhe korruptues, që buron nga vjedhja e votës së popullit dhe që nuk e shmang dot përballjen me të vërtetën. Fatin e kësaj beteje do ta diktoj e drejta që kemi me vete, e drejta që ka populli për tu ngritur në këmbë, kur ligji shkelet me këmbë. E drejta që ka njeriu në demokraci për të kërkuar me forcë lirinë e votës së tij, e drejta që ka sot në vitin 2009, në shekullin e 21-të çdo shqiptar dhe çdo shqiptare për tu bërë barrikadë njerëzore përballë pushtetit të manipulimit dhe korrupsionit elektoral nga ku pastaj buron i gjithë rrjeti i korrupsionit të shtrirë në çdo fushë të jetës tonë. Ne duam të shohim votën tonë, ne duam të hapim kutitë e votave tona, ne duam ta çlirojmë votën tonë një herë e mirë nga shteti deformues i bërë njësh me shtetin.
Ky pushtet nuk vendos dot për ne, sepse shumica e popullit nuk ka vendosur për të. Nëqoftëse Sali Berisha do të kërkojë ta mbaj forcërisht mbyllur në burgun e kutive të votimit vendimin sovran të shumicës së popullit, ne do ta përballim Sali Berishën, dhe pushtetin e hajdutëve të votës, me pushtetin e sovranitetit të popullit.
Ne kërkojmë që shteti të ndahet nga pushteti një herë e mirë dhe kurrë më të mos përzihet në një betejë elektorale për llogari të pushtetit.
Ne kërkojmë që zgjedhjet e 28 qershorit dhe çdo element i paligjshëm që lidhet me to të hetohet nga Parlamenti, për të mos u përsëritur më kurrë, në radhë të parë duke i hapur kutitë e votimit në sytë e gjithë Shqipërisë. Mospranimi për të hetuar në Parlament dhunimin e zgjedhjeve, duke mos i dhënë opozitës të drejtën të hap kutitë përpara popullit është jo vetëm prova e frikës së madhe që ka Sali Berisha nga e vërteta, por edhe prova e së vërtetës së madhe që ne e mbrojmë dhe do ta mbrojmë pa frikë dhe as lodhje deri në fund.
Ne nuk hyjmë dhe nuk do të hyjmë në Parlament për tu bërë bashkëfajtor në mbylljen e syve përpara të vërtetës dramatike të zgjedhjeve në Shqipëri dhe për mbylljen e rrugëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme për kushedi sa vjet të tjera. Sepse ne nuk kemi iluzionin që mund të ketë nesër zgjedhje të lira dhe të ndershme me Sali Berishën në pushtet, nëqoftëse sot pushteti i Sali Berishës nuk i hap rrugë hetimit të të gjithë mekanizmit kriminal që goditi lirinë dhe cenoi ndershmërinë e këtyre zgjedhjeve.
Kush shqetësohet nga mungesa jonë në Parlament, duhet ta kuptojë, se boshllëkun e mungesës përpara ligjit nuk e mbush prania jonë në Parlament, por përkundrazi e fsheh, ndërkohë që beteja jonë pa kompromis për rivendosjen e ligjit në rrugën e protestave dhe të rezistencës demokratike është një betejë për të mbrojtur parlamentarizmin, për të mbrojtur themelet e parlamentit, idenë dhe kuptimin e parlamentit.
E keqja e madhe që i është futur këtij vendi, duke mos e lënë të zgjedhë lirisht Parlamentin dhe qeverinë, e më pas shumë çka tjetër, duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë. Kjo nuk mund të jetë beteja e kërkujt tjetër nëqoftëse nuk është beteja e PS. Kjo nuk është një betejë për pushtet dhe për interesa të lidhura me pushtetin. Kjo është një betejë për të drejta dhe liri, ku asnjë pushtet nuk ka kuptim për ne, madje çdo pushtet që buron nga mungesa e këtyre lirive dhe të drejtave, nuk është gjë tjetër veçse pushteti për ti dhunuar liritë dhe të drejtat. Sot është përditë e më qartë, jo vetëm për ne, sepse ka qenë e qartë që në krye të herës, sepse ka vetëm një arsye që Shqipëria të mos ketë akoma më zgjedhje të lira dhe të ndershme: Arsyeja është Sali Berisha!
Vetëm përpara pak ditësh KE nxori një raport, i cili krahasuar me të gjitha raportet e 4 viteve të fundit, është më shqetësuesi. Një pasqyrë realiste e krizës në Shqipërinë e sotme, në lidhje me uzurpimin e drejtësisë nga organet e ekzekutivit, në lidhje me keqadministrimin e Kuvendit të Shqipërisë në gjithë këto vite, në lidhje me dhunimin e medias dhe gjobave selektive ndaj mediave kritike për qeverinë, në lidhje me shkatërrimin e kapaciteteve administrative përmes emërimeve politike me qëllim zhvendosjen brutale të administratës publike nga marrëdhënie ligjore me pushtetin e radhës në marrëdhënie vasaliteti me pushtetin e Familjes, që sot përmes qeverisë shqiptare sundon Shqipërinë. Praktika e dhunshme e kufizimit të lirisë së medias nga një qeveri e cila përfaqëson një vend aspirant për BE dhe është vënë tërësisht në funksion të një pushteti familjar, që kërkon ta kthejë median me hir apo me pahir në një forcë verbuese dhe shurdhuese të opinionit publik për interesa të Familjes në pushtet është një praktikë e patolerueshme.
Familja në pushtet jo vetëm e ka të pamundur ta nxjerrë vendin nga spiralja e korrupsionit, nga influenca e krimit të organizuar, nga harta e trafiqeve të ndryshme, gjë që do të mundësonte në fakt përmbushjen e standardeve të nevojshme për të përfituar nga liberalizimi i vizave, por është vet pengesa kryesore për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe qytetare, që po ndeshet përditë e më shumë nga një qeverisje e orientuar nga interesat e pushtetit të familjes. Dhe, që duhet të jetë e qartë për të gjithë, siç është e qartë si drita e diellit dhe siç mund të lexohet duke kuptuar drejt rreshtat e Raportit të KE, se korrupsioni, krimi i organizuar, trafiqet e ndryshme, nuk janë një detyrë e opozitës, janë një detyrë parësore e qeverisë dhe në rast se këto fenomene sot nuk kanë njohur ato përmirësime të domosdoshme për të liberalizuar vizat me Shqipërinë, për këtë ka vetëm një njeri që duhet të jap llogari: Është Sali Berisha dhe pushteti i tij, pushteti i Familjes së tij, pushteti i interesave të kësaj familjeje. Liberalizmi i vizave nuk ka të bëjë asgjëkundi me çka kërkon sot të thotë dhe të imponojë përmes një propagande të shëmtuar Sali Berisha dhe pushteti i tij. Liberalizimi i vizave ka të bëjë me kushte të qarta, konkrete, të cilat pikërisht pse nuk u plotësuan në kohë dhe me kohë bën që Shqipëria të mbetet jashtë programit të liberalizimit, për Malin e Zi, Serbinë, Maqedoninë, ndërkohë që duhet të ishte bashkë me to. Raporti i KE, thekson se Shqipëria duhet të shkëputet nga vargonjtë e kulturës së pandëshkueshmërisë, e cila në fakt ushqehet nga Familja në pushtet.
Korrupsioni në fakt sipas vetë raportit të KE vazhdon të mbetet një problem veçanërisht serioz,