E Diel, 1 Nëntor 2026

nuk më vjen keq për këto emocione…

Në këto ditë të një moti të xhindosur, sa shumë jemi e kërkojmë veç pak “Natë me yje!” “Këtë mëngjes nga dritarja ime vështrova gjatë fushën para se të lindte dielli e nuk kish asgjë, veç ylli i mëngjesit që dukej aq i madh. Daubigny e Rousseau e kanë pikturuar atë më parë, duke shprehur tërë intimitetin, gjithë paqen e mjeshtërinë e tyre, madje duke i shtuar një ndjenjë kaq personale e të përzemërt. Nuk më vjen keq për këto emocione…” Është Vincent Van Gogh që i shkruan këto fjalë, në natën e largët të 19 qershorit 1889, gjatë së cilës historianët e artit mendojnë se ka realizuar veprën e tij “Nata me yje”. Ndryshe nga çdo punim tjetër, “Nata me yje” është pikturuar me ngjyrat e mendjes, e jo në natyrë - en plein air sic - preferonte ai. Është grumbulli i mendimeve të turbullta që prej muajsh e ka lodhur e po i dhuron një natë të tillë. Të shumtë janë adhuruesit e saj, të dikurshëm ose të sotëm, mbeten fortësisht varur në impaktin emotiv që ndjenjat e Van Goghut kanë hedhur mbi të. Një natë me yje ai kish kohë që e kërkonte e nga muret e trasha të çmendinës në Saint-Rémy (Francë) nuk mund ta shihte. Fantazia e tij e bëri realitet, realiteti e kthehu në art, arti i tij ia dhuroi botës e bota ua riktheu mendimeve.

Në këto ditë të një moti të xhindosur, teksa shëtisim me sy panoramën që ofron vendndodhja, kërkojmë veç pak “Natë me yje”. Duam veç pak net me yje për t’u zgjuar të qetë, për të fjetur më rehat, për të përqafuar mirësi, për t’i thënë këtij dimri se po të presim, për t’u thënë Krishtlindjeve se jeni festa më e bukur e vitit, e për t’i thënë 2011-s “Mirëserdhe!”

Mos e mallko kurrë motin, thoshin dikur të vjetrit e nuk e mallkojmë jo, thjesht i lutemi të na falë pak net si “Nata me yje” e Van Goghut. Nuk janë net speciale, përkundrazi, po ta vëzhgosh mirë këtë pikturë, është një natë normale mbi një qytezë të thjeshtë, ku yjet në qiell u japin veç paqe mendimeve që fluturojnë turbullt. E pra, o mot, na jep pak net me yje për çdo person të thjeshtë, të lodhur nga uji, të mërzitur nga lagështira, të sëmurur nga pritja. Muret ku e ka gozhduar realiteti, janë më të trasha se ato të çmendinës që mbajti lidhur Van Goghun, pas çdo tulle gjendet një hendek e brenda tij “specie të reja kafshësh” janë muratore të palodhura. Veç pak “Nata me yje” pas një periudhe në limitet e iluzionit, ku dhuna e ndjenjave projekton spirale vezulluese yjesh në kujtim të një eklipsi.

Veç pak net me yje për atë peizazhin e thjeshtë të një qyteze nostalgjike, plot me shtëpi të ulëta e me qendër një arkitekturë biblike. Veç pak net me yje dhe për atë politikanin e dëshpëruar që nuk ka mundur këto ditë të veshë kravatën e tij të fundit, për atë deputeten që mbi bluzën e kuqe ka harruar të ngjisë etiketën: A ju pëlqen dekolteja ime? Hëna e portokalltë vë në lojë ngjyrat e tyre dhe horizonti i Van Goghut lë në errësirë tokat poshtë tij.

Le të jemi zemërgjerë me të gjithë e pak net me yje edhe për policin, varkëtarin, hajdutin e pushtetarin, janë pemë të egra mbi pëlhurën e Van Goghut. Dikur, pikturuar rregullisht si të sjellshëm e të zotit, sot janë flakë të errëta që kërkojnë qiellin. Veç pak “Natë me yje” për mendimtarët e ajrit e tokës, të jetës e vdekjes.

Veç pak “Natë me yje” për përzierësit e ngjyrave, ngatërruesit e fijeve, “nuseve” pa dasmë e “dhëndurëve” të paftuar. Në pikturën e Van Goghut nuk pati vend për to.

Veç pak “Natë me yje” për të gjithë, siç thotë dhe Vincent: “Nuk më vjen keq për këto emocione…”

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›