E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kopshti i ëndrrave, jashtë

“Kopshti i ëndrrave”, një prej shfaqjeve më të mëdha të artit pamor shqiptar, mbledh në shtetin polak krijimet më të veçanta të 28 artistëve shqiptarë.

E cilësuar si një prej ekspozitave më të mëdha të artit pamor, organizuar nga artistët shqiptarë, “Kopshti i ëndrrave” së shpejti do të zërë vend në një prej galerive më të mëdha polake. Është caktuar data dhjetë dhjetor, ku do të prezantohen krijimet më të veçanta të artistëve tanë e të cilat pritet të shfaqen para publikut polak në qytetin Bydgoszcz. Janë gjithsej njëzetetetë krijues, si Adem Rusinovci, Ardian Isufi, Albes Fusha, Ali Oseku, Ardian Kapo, Artan Peqini, Fatmir Miziri, Gazmend Leka, Genc Përmeti, Ilir Butka, Lumturi Blloshmi, Majlinda Kelmendi, Merita Selimi, Najada Hamza, Oert Miziri, Sadik Spahija, Vladimir Myrtezai puna e të cilëve pritet të përcillet me interes të veçantë për shumë arsye.

Koncepti i përcaktuar në “Kopshtin e ëndrrave” përfshin tregimin e fatit të një kombi të ballafaquar me luftën e pa kompromis, interesat, ideologjitë, ekonominë dhe dëshirën për pushtet.

Të gjitha format e shprehjes sillen rreth historisë, identitetit në kontekstin e kulturës dhe historisë së Evropës. Ndërsa vlen të theksohet fakti se populli shqiptar dhe ai polak kanë shumë të përbashkëta nëse i referohemi të kaluarës historike në të cilën sunduan diktaturat më të egra të kohës. Shqiptarët për shumë vite të izoluar arritën të mbijetojnë dhe të ruajnë identitetin e tyre kombëtar dhe si një prej popujve më të vjetër në Evropë, tentuan të rikthejnë elementet e tyre si përmes kulturës dhe shfaqjeve artistike, që edhe sot e kësaj dite konsiderohen si pika më e fortë.

Ndryshe ekspozita “Kopshti i ëndrrave” ngërthen në vete gjuhën, e cila funksionon në dy aspekte, traditën dhe referencat historike të bazuara në modernitet, që në thellësi të tyre mund të shihen edhe imazhet e së ardhmes.

Ekspozita mbi të gjitha është e bazuar në përvojën e së ardhmes së veprimeve shoqërore në shumë dimensione, në formë dhe përmbajtje. Shikuesit polak do të jenë në gjendje të krahasojnë aspiratat e të dy shoqërive të shprehur në gjuhën e artistëve shqiptarë. Mediat polake e kanë vlerësuar këtë ekspozitë si të projektuar për t’i shërbyer artit polak. Kompleksiteti i kulturës shqiptare, e ardhmja pavarësisht nga dallimet e caktuara, në esencë është një element i kopshtit evropian të ëndrrave. Kopsht në të cilin mbretërojnë fjala dhe lidhja me diversitetin e të gjitha llojeve dhe vlerave. Ekspozita e artit pamor shqiptar në këtë qasje, është vlerësuar si shumë e pasur për sa i përket formalitetit dhe prezantimit të artistëve, të të gjitha gjeneratave dhe jo vetëm si projekt përfshirës në shkallën evropiane, por gjithashtu edhe në atë botërore. “Kopshti i ëndrrave” është një prej ekspozitave më të mëdha të artit bashkëkohor shqiptar, që do të hapet në shtetin polak.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›