E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia 12, maturantët në protestë, kërcënohen

Nxënësit e shkollës A.Z. Cajupi me ndihmën e organizatës “Rinia Aktive” kishin planifikuar të protestonin në ambientet e jashtme të shkollës por protesta nuk është zhvilluar pasi gjimnazistët janë ndjerë të kërcënuar nga drejtoria. 

TIRANE- Maturantët e shkollës së mesme “Andon Zako Cajupi” në Tiranë kërcënuan me bojkot një orë të mësimit në shenjë proteste ndaj tekstit të “Historisë 12”, ku autorët shprehen me nota negative ndaj veprimtarisë së PS-së dhe me vlerësime pozitive për kryeministrin Sali Berisha, ndërsa ngjarja e Gërdecit cilësohet si një aksident teknologjik.

Nxënësit e vitit të katërt me ndihmën e organizatës “Rinia Aktive” kishin planifikuar të protestonin në ambientet e jashtme të shkollës por protesta nuk është zhvilluar pasi gjimnazistët janë ndjerë të kërcënuar nga drejtoria dhe mësuesit e Shkollës.

Sipas dëshmive të tyre, drejtuesit e shkollës A. Z. Cajupi i kanë kërkuar gjimnazistëve të futen në mësim dhe të mos protestonin duke kërcënuar me përjashtim, apo nota të ulta.

“Qëllimi i protestës ishte që t’i bënim apel Ministrisë së Arsimit për të nxjerrë nga qarkullimi tekstin mësimor “Historia 12” dhe ndryshimin e tekstit.” Thotë një gjimnaziste

Teksti i historisë është kundërshtuar nga historianë të njohur dhe shkrimtarë ndërsa Partia Socialiste kërkoi tërheqjen nga tregu të librit të Historisë së Popullit Shqiptar për vitin e fundit të gjimnazit.

Historianët e cilësojnë të politizuar përmbajtjen e tekstit të historisë për klasat e dymbëdhjeta dhe se ai nuk i plotëson njohuritë bazë të nxënësve për periudhat shumë të debatuara mes tyre dhe për vitin 1997.

Shkrimtari i njohur Dritëro Agolli në një intervistë për Gazeta Shqiptare tha se teksti ka shtrembërime të historisë shqiptare dhe se sipas tij, ajo që pasqyrohet në të, nuk është historia e vendit por ajo e partive politike, ndërsa hartuesit e tekstit mësimor thonë se teksti është bazuarmbi argumenta shkencorë.
(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›